Ndërlidhjet

Pa sigurime shëndetësore në pandemi


Pamje e një pacienteje duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pamje e një pacienteje duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Paracetamol, favipiravir, fraksiparina, enoksaparin, remdesivir, lactoferrina dhe vitamina të ndryshme, janë disa nga ilaçet që kërkohen për mjekimin e koronavirusit.

Të gjitha këto ilaçe kanë një kosto. Çmimet e tyre sillen nga 0.50 euro deri në 50 euro.

Trajtimi i sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, zgjat dy deri në tri javë, e në disa raste edhe më gjatë.

Por, pa sigurime shëndetësore, si po e tejkalojnë qytetarët në Kosovë infektimin me këtë virus?

L.K (emër i njohur për redaksinë), punon në një kompani private dhe nuk ka sigurim shëndetësor.

Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se është prekur nga COVID-19 tre muaj më parë dhe se shpenzimet kanë qenë pothuajse të papërballueshme për xhepin e saj.

Shërimi nga COVID-19, thotë se i zgjati dy javë.

“I jam nënshtruar një terapie që kanë qenë shumë e shtrenjtë për xhepin e secilit qytetar të Kosovës, që jeton me një pagë. I gjithë trajtimi më ka kushtuar 1,100 euro. Me pagën time ka qenë e pamundur t’i mbuloj të gjitha shpenzimet. Jam detyruar të huazoj para nga shoqet”, tregon ajo.

Që prej 13 marsit të vitit 2020, Kosova ka regjistruar mbi 71 mijë raste me koronavirus.

Trajtimin e sëmundjes COVID-19, e ka vështirësuar edhe më shumë mungesa e sigurimeve shëndetësore, thotë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore ka treguar se qytetarët nuk janë të mbrojtur nga rreziqet financiare që mund t’i kenë nëse kanë sëmundje dhe këtë më së miri e ka dëshmuar pandemia COVID-19, pasi shumë qytetarë janë detyruar të paguajnë shuma marramendëse për t’u trajtuar nga sëmundja e COVID-19 dhe shteti nuk ka arritur t’i mbulojë këto”, tha Kodra për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se jo të gjithë qytetarët kanë mundur të marrin mjekimin e duhur, për shkak të pamundësisë për të paguar të gjitha medikamentet që u janë përshkruar nga mjekët.

“Disa pa ja dalin me 100 telashe, disa nuk po ja dalin fare. Njerëzit që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë e kanë të pamundur të trajtohen nga kjo sëmundje”, thotë ai.

Kosova mbetet shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë masive.

Vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme me nën 1.90 dollar amerikan në ditë.

Këto të dhëna janë të paraqitura në raportin e fundit të progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Rreth 18 për qind e popullsisë nuk kërkon shërbime mjekësore

Niveli i lartë i varfërisë dhe papunësisë, sipas këtij raporti, ka bërë që rreth 18 për qind e popullsisë në Kosovë të mos kërkojë shërbime mjekësore në rast të përballjes me ndonjë sëmundje.

Raportin e fundit të Progresit, të Komisionit Evropian, publikuar në vitin 2020, ishte theksuar se Kosova nuk ofron sigurim shëndetësor universal dhe shpenzimet nga xhepi për shëndetin mbeten të larta.

Ku mbetën sigurimet shëndetësore?

Kosova nuk ka sigurime shëndetësore, ani pse në vitin 2007, ishte miratuar Ligji për këtë çështje, por, që asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi shefi i UNMIK-ut në atë kohë, nuk e kishte nënshkruar këtë Ligj.

Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishin qeveritë që e tërhoqën ligjin për shkak të implikimeve buxhetore.

Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim deri tash.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Mbledhja e fondeve, ishte paralajmëruar të nisë që nga 1 korriku i vitit 2017. Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.

Në Kosovë, disa qytetarë janë të siguruar përmes kompanive private, të cilat ofrojnë sigurime shëndetësore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG