Ndërlidhjet

Policia arreston edhe nëntë persona për keqpërdorim të subvencioneve


Policia e Kosovës gjatë një kontrolli rutinor. Fotografi ilusturese.
Policia e Kosovës gjatë një kontrolli rutinor. Fotografi ilusturese.

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe nëntë persona të tjerë që lidhen me rastin e njohur si “Subvencioni 2021”.

Policia thotë se “bazuar në hetimet e zhvilluara ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë”.

“Personat e dyshuar janë qytetarë të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës, dhe të njëjtit sot më 25.02.2021 janë arrestuar nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) e PK-së, ndërsa në koordinim me prokurorin e rastit janë intervistuar dhe të njëjtit janë liruar për procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Arrestimet janë kryer në komuna të ndryshme, duke përfshirë arrestimin e tre personave nga Istogu, dy nga Lipjani, një nga Ferizaji, një nga Prishtina dhe dy nga komuna e Pejës.

Një ditë më parë, më 24 shkurt, përmes një aksioni të gjerë policor, u arrestuan dymbëdhjetë persona, në mesin e të cilëve 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.

Pak kohë pas aksionit një nga të arrestuarit u lira në procedurë të rregullt.

Të arrestuarit kanë mbajtur pozita të ndryshme në kuadër të kësaj agjencie.

Dyshimet mbi ta lidhen me marrje ryshfeti.

Gjatë kryerjes së bastisjeve policia konfiskoi një shumë të konsiderueshme parash, për të cilat kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se bëhet fjalë për rreth 400 mijë euro.

Vet ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa tha se kërkon nga organet e hetuesisë që ta çojnë deri në fund këtë rast.

“Aksionet si ky i sotmi, duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe ku drejtësia kryen punën e saj”, ka thënë mes tjerash ai.

Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit për 11 personat që u arrestuan më 24 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG