Udhëheqësit e G7-ës janë zotuar të rrisin bashkëpunimin për të luftuar pandeminë dhe të shtojnë kontributin e tyre në kuadër të programit global COVAX për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19. Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një samiti virtual të mbajtur të premten (19 shkurt), udhëheqësit e G7-ës shpallën zotimin për ndarjen e 7.5 miliardë dollarëve.
Vendet e pasura janë nën presion për të siguruar vaksina edhe për vendet e varfëra.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka premtuar 4 miliardë dollarë ndihmë në kuadër të këtij fondi. Më 2021 do të dhurohen 2 miliardë, ndërsa gjatë dy viteve të ardhshme dy miliardë të tjera. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se vendi i saj do të ndajë 1.2 miliardë dollarë shtesë.
"Pandemia nuk mbaron derisa të gjithë njerëzit në botë të vaksinohen", u tha ajo gazetarëve. Edhe Bashkimi Evropian ka premtuar se do të shtojë kontributin.
COVAX është një projekt global për blerjen dhe shpërndarjen vaksinave për së paku 20 për qind të popullatës së rrezikuar në secilin vend.
Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura.
Vendet e G7-ës janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, me seli në SHBA, deri më tani, të paktën 110 milionë njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri dhe më shumë se 2.4 milionë kanë vdekur në gjithë botën.