Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) thonë se ende nuk dihet data e saktë kur do fillojë numërimi i votave nga diaspora që kanë arritur me postë në Kosovë, atyre me kusht dhe votat e personave me nevoja te veçanta.
Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion, tha për Radio Evropa e Lirë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor, i cili është përdorur gjatë ditës së zgjedhjeve dhe sipas tij, pastaj krijohen kushtet për fillimin e verifikimit dhe numërimit të votave me postë.
"Nuk kemi një datë të saktë se kur do mund të fillojë ky proces, pasi aktualisht jemi të përqendruar në pranimin e materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat, dhe besojmë se këtë proces do të mund ta përfundojmë gjatë ditës së sotme. Besojmë se gjatë ditës së ardhshme do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të diasporës dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.
Rreth 43,000 pako me fletëvotime nga diaspora kanë arritur në Kosovë. Mbi 100,000 qytetarë, që jetojnë jashtë Kosovës, kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të 14shkurtit.
Megjithatë, Elezi shpreson se kur të krijohen kushtet për numërimin e tyre, procesi i numërimit të këtyre votave të mos marrë kohë të gjatë.
Ndërkohë, ende nuk dihet se sa është numri i votave më kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka numëruar 98 për qind të votave, për zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, më 14 shkurt 2021. Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi rreth 48 për qind apo mbi 374 mijë vota.
Sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës ka 17.35 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.18 për qind. Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind.