Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur të martën që t’iu mundësojë rreth 103,582 aplikuesve jashtë Kosovës, që kanë të drejtë vote, të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Kryetarja e këtij Komisioni, Valdete Daka, ka thënë se pavarësisht pse disa qytetarë të Kosovës nuk janë telefonuar për t’iu verifikuar të dhënat, nëse ata kanë vërtetuar të drejtë juridike për të marrë pjesë në proces zgjedhor, një gjë e tillë nuk do t’iu mohohet.
Në janar të këtij viti KQZ-ja pati njoftuar se shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, do t’i telefonojë si masë verifikimi para se t’i regjistrojë zyrtarisht në listën e votuesve.
“Të gjitha ata që kanë dokumentuar zotësi juridike të tyre, pra kanë bashkëngjitur dokumentacionet, të cilat janë verifikuar nga Shërbimi i listës së votuesve, janë përfshirë në listën përfundimtare të votuesve dhe do ta kenë të drejtën të votojnë”, ka deklaruar Daka.
Sipas zyrtarëve në KQZ-së, mbi 103,582 persona jashtë Kosovës do të mund të votojnë më 14 shkurt, derisa rreth 27,000 aplikuesve të tjerë nuk u janë pranuar aplikacionet.
Kryeshefi i sekretariatit në KQZ, Burim Ahmetaj, ka thënë se ata që nuk do ta gjejnë emrin e tyre pas publikimit të listës përfundimtare, do ta kuptojnë se nuk do të mund të votojnë, meqë për shkak të afateve kohore ata nuk janë njoftuar paraprakisht.
Si arsyetim për mospranim të aplikacionit, zyrtarë të KQZ-së kanë përmendur mungesën e dëshmisë juridike, dërgimin e aplikacioneve për persona me mbiemër tjetër, apo edhe mungesën e numrit të telefonit në aplikacion.
Votimi përmes postës për zgjedhjet në Kosovë do të nisë më 2 dhe përfundon më 12 shkurt.