Rreth 30 mijë persona, që kanë aplikuar për votim jashtë Kosovës, nuk janë telefonuar ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të verifikuar të dhënat e tyre personale.
Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Lirim Krasniqi, bashkëdrejtues i organizatës “Germin” e cila merret me çështje të diasporës dhe që po përcjell nga afër përgatitjet për procesin zgjedhor.
Në janar të këtij viti KQZ-ja pati njoftuar se shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, do t’i telefonojë si masë verifikimi para se t’i regjistrojë zyrtarisht në listën e votuesve.
Sipas afateve ligjore, KQZ-ja duhet të certifikojë më 2 shkurt listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
I ndodhur në këtë situatë, Departamenti i Operacioneve Zgjedhore i KQZ-së do të rekomandojë vazhdimin e afatit të thirrjeve telefonike për aplikuesit që janë regjistruar suksesshëm për të votuar përmes postës.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë të KQZ-së se në rekomandim përfshihet që personat e regjistruar, të cilët nuk janë telefonuar ende, megjithatë të përfshihen në listën përfundimtare të votuesve me postë.
Kjo do të thotë se atyre do t’iu mundësohet votimi menjëherë, ndërkaq verifikimi do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim.
Po sipas këtij rekomandimi, ata që dështojnë të verifikohen, KQZ-ja nuk do t’ua numërojë votën e dërguar me postë.
Ky rekomandim do të votohet në mbledhjen e së martës të KQZ-së.