Ligji për regjistrimin e popullsisë, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, është dekretuar nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ku pas kësaj, Enti Shtetëror i Statistikave duhet të miratojë metodologjinë për realizimit e këtij operacioni statistikor, që siç thonë, është në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Eurostat-it.
Regjistrimi i popullsisë është paparaparë që realizohet nga 1 deri më 20 prill të këtij viti, apo 19 vjet nga regjistrimi i fundit i zhvilluar në vitin 2002.
"Presidenti Pendarovski pret që procesi i regjistrimit të mos politizohet dhe të dhënat e marra të jenë të dobishme për zhvillimin e përgjithshëm, që do të mundësojnë formulimin e strategjive afatgjata në zonat vitale të vendit”, ka njoftuar Zyra e presidentit pas konsultimeve që ka zhvilluar Pendarovski me ekspertë të fushave të ndryshme.
Paraprakisht Pendarovski kishte theksuar se ligji duhet të ketë mbështetjen e të gjitha partive politike.
“Nga të gjithë faktorët relevantë politikë duhet të ketë deklarata të qarta se ky proces do të jetë vërtetë statistikor dhe jo politik, dhe kush do që të vje më pas në pushtet të mos e kontestojë procesin apo ta ndryshojë Kushtetutën, e kështu me radhë. Por, deri më tani pajtueshmëri të tillë nga partitë nuk kemi”, ka deklaruar presidenti maqedonas, Pendarovski.
Opozita maqedonase nuk ka votuar miratimin e ligjit pasi konsideron se përmbajtja e tij e politizon këtë proces, ndërsa ka akuzuar partitë në pushtet se janë marrë vesh, siç thonë, për kurdisjen e përbërjes së popullsisë në Maqedonisë e Veriut.
“VMRO-DPMNE-ja e kundërshton me forcë Ligjin për regjistrimin sepse ky proces nuk do të jetë një operacion statistikor, por një operacion politik dhe për rezultatin e këtij regjistrimi apo përqindjet e popullatës, partitë në pushtet tani më kanë rënë dakord”, ka deklaruar Timçe Mucunski, deputet i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
Përplasjet kryesore mes partive maqedonase kanë të bëjnë me dyshimet e VMRO-së për numrin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Opozita maqedonase në vazhdimësi ka kontestuar faktin se shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të popullatës prej dy milionë banorësh.
Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës. Mbi bazë të kësaj përqindjeje janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, të përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Pavarësisht qëndrimit të opozitës, partitë në pushtet thonë se regjistrimi i popullsisë do të realizohen në afatin e paraparë, ndërsa hedhin poshtë pretendimet e opozitës për kurdisjen e regjistrimit.
“Unë nuk shoh ndonjë arsye për shtyrjen e tij, për moszbatimin e tij kudo, madje edhe në vendin tonë, dhe aq më tepër sepse nuk kemi një regjistrim në 20 vjetët e fundit. Më vjen mirë që presidenti i vendit me ekspertë do të shikojë përsëri, me një sy të paanshëm për të parë edhe një herë, për të mos thënë pastaj se pushteti pretendon një gjë, opozita pretendon një tjetër”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Lidhur me debatin për regjistrimin, ambasadorja e Shteteve të bashkuara në Shkup, Kate Byrnes, në një prononcim për shërbimin maqedon të Zërit të Amerikës, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për vendin miratimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë.
"Ky është një hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur regjistrim për gati 20 vjet, dhe kjo ka ndikuar në bërjen e politikave të ndryshme. Ne presim që qeveria të sigurojë që regjistrimi të kryhet nga profesionistë, të cilët do të sigurojnë informacione që do të ndihmojnë vendin në të ardhmen”, ka deklarata ambasadorja amerikane, Kate Byrnes.
Facebook Forum