Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar të shtunën se mund të mos e njoh rezultatin e regjistrimit të popullsisë, që është paraparë të mbahet në prill të këtij viti.
"Tri pika, përkatësisht tre kushte, janë të paqarta për ne. Së pari, pse të mos publikohet metodologjia e regjistrimit që supozohej të ishte një pjesë e integruar e Ligjit të regjistrimit, për të parë të gjithë? E dyta, pse LSDM-ja është kundër që regjistrimi apo evidentimi i qytetarëve të bëhen me shenjat e gishtave, ngjashëm sikur që përdoren edhe për dokumentet personale dhe e treta, pse LSDM po përpiqet të bëjë një regjistrim në të cilin njerëzit nuk do të kenë besim, qytetarët nuk do të kenë besim dhe institucionet nuk do të kenë besim. Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE do të kryejë një regjistrim të besueshëm sipas të gjitha standardeve të Eurostat-it”, tha Stefan Andonovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Dyshimet e opozitës maqedonase kanë të bëjnë në veçanti me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo në vazhdimësi ka ngritur dilemën se shqiptarët janë në numër më pak 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë 2 milionëshe, bazuar në regjistrimin e zhvilluar në vitin 2002.
Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për mosnjohjen e regjistrimit ka bërë që Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në pushtet e akuzoi partinë më të madhe të opozitës për "sjellje anti-shtetërore, të papërgjegjshme dhe shkatërruese, në kundërshtim me interesat kombëtare".
"VMRO-DPMNE nuk dëshiron të kuptojë se regjistrimi është një operacion statistikor, jo politik, një proces i rëndësishëm për të pasur të dhëna të plota që janë të rëndësishme për krijimin e politikave dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekuilibruar të të gjitha sferave në vend. Regjistrimi do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet dhe rregulloret e Eurostat-it, në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Vërejtje lidhur me regjistrimin paraprakisht kanë paraqitur edhe partitë opozitare shqiptare duke kërkuar garanci se ky proces nuk do të keqpërdoret në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që brenda janarit të votojë ndryshimet në ligjin me organizimin e referendumit, me çka edhe nisin përgatitjet për realizimin e këtij procesi statistikor, që do të mbahet 19 vjet pas atij të realizuar në vitin 2002.