Ndërlidhjet

Të rinjtë me mesazhe sensibilizimi për rrezikun nga virusi


Mural nga piktori Rejan Etemi - Tetovë.
Mural nga piktori Rejan Etemi - Tetovë.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë së koronavirusit në forma të ndryshme kanë promovuar shumë mesazhe sensibilizimi për bashkëveprimin e të gjithë qytetarëve për t’i bërë ballë gjendjes së krizës, megjithëse shtojnë se mungon mbështetja institucionale.

Piktori Rejan Etemi së fundmi ka pikturuar një murale në hyrje të Tetovës me bazë tematikën e pasqyrimit të luftës së vështirë që po bën personeli shëndetësor me sëmundjen COVID- 19 për të ndihmuar të infektuarit nga ky virus.

Etemi thotë se personeli mjekësor me muaj të tërë po qëndron në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit, andaj në pikturën e tij personeli mjekësor pasqyrohet me sy të patrembur kundrejt virusit. Ai shton se kjo pikturë e shprehur në murale ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për atë sa i frikshëm është ky virus dhe çdo pakujdesi mund të kushtojë me jetë njeriu.

“Organizata joqeveritare ‘MultiKultura’, e cila më ka mbështetur, më ka kërkuar që të pikturoj diçka lidhur me virusin COVID-19, dhe unë kam dashur që të bëj diçka në përkrahje të mjekëve”, thotë Etemi.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut nga fillimi i pandemisë me COVID-19 janë infektuar rreth 2 mijë pjesëtarë të personelit shëndetësor, mjekë, infermiere dhe personel teknik, prej të cilëve më shumë se 20 kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Rejan Etemi si piktor së fundmi ka qenë i angazhuar për të pikturuar murale në shumë vende evropiane. Ai thotë se nga përvoja e tij ka mësuar se arti në murale nuk ndryshon vetëm fasadat e objekteve të ndryshme, por jep një mesazh të fuqishëm për shoqërinë duke prekur direkt në plagën që lëngon ajo shoqëri.

Etemi thotë se parë me syrin e piktorit, ka shumë hapësira në qytetet e Maqedonisë së Veriut, porse mungon mbështetja e institucioneve vendore për t’i përkrahur artistët që të pikturojnë murale me mesazhe sensibilizimi siç veprohet në vendet evropiane.

“Po si artist mendoj se ka shumë vende. Ja po filloj nga pamja këtu ku e kam atelienë ka shumë vende, por si pengesë i shoh procedurat burokratike pasi duhet marrë leje nga komuna, po edhe nëse dëshiron të bësh diçka në mënyrë vullnetare, ka shumë procedura që unë si artist e kam vështirë t’i përmbush ato kërkesa, sepse kur një artist dëshiron të shprehë e ka vështirë të mbushë letra, formularë , sepse mendoj se përderisa mesazhi është pozitiv, nuk duhet të kundërshtohet pra duhet të lejohet të shprehet me ngjyra. Po e theksoj se gjithandej në Tetovë, Shkup ka shumë vende për pikturimin e muraleve”, thekson Etemi.

Nga ana vjetër, studentja Elena Savevska, 19-vjeçare, nga iniciativa “Mendo pakëz” për disa muaj në vazhdimësi është duke ngjitur pllakate në shumë hapësira publike në tri gjuhë, atë maqedonase, shqipe dhe rome, me mesazhe sensibilizuese për barazinë gjinore, tolerancë ndëretnike dhe veçanërisht së fundmi, siç thotë, për forcën e dashurisë për t’i bërë ballë bashkërisht krizës së koronavirusit.

“Veçanërisht është i rëndësishëm mirëkuptimi i ndërsjellë, dashuria, pasi pikërisht dashuria është forca më e madhe në botë që ndihmon të tejkalohet çdo sfidë, madje dhe kjo situatë e vështirë që ka shkaktuar kriza e pandemisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Elena Savevska.

Ajo thotë se kriza e pandemisë i ka bërë edhe më të dukshme paragjykimet dhe stereotipet duke shtuar se energjinë për realizimin e iniciativës “Mendo pakëz”, me mesazhe sensibilizimi, veçanërisht luftën kundër gjuhës së urrejtjes e gjen në synimin për të ndryshuar gjendjen e mosfunksionimit përkatësisht mosveprimit të institucioneve në këtë drejtim.

“Mendoj se edhe nëse bëhen lëvizje të vogla, kjo do të kontribuojë në të mirë të shoqërisë, sepse edhe hapat e vegjël të çojnë kah qëllimi. Andaj, mendoj se të gjithë ne duhet të kontribuojmë, qoftë duke lëvizur dhe degëza të vogla për t’u hapur rrugë ndryshimeve”, thotë Savevska, duke shtuar se shteti duhet të ndërmarrë masa serioze për sa i përket reformimit të arsimit, sepse përmes një arsimimi cilësor do të ngrihet vetëdija kolektive për respektimin e të drejtave të njeriut dhe aktivizimin e të rinjve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG