Ndërlidhjet

KQZ: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses lidhur me personat e dënuar 


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se do të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit iu pamundësohet kandidimi në zgjedhje të gjithë atyre personave që në tre vjetët e fundit kanë qenë të dënuar me vendim të shkallës së prerë për ndonjë vepër penale.

“Gjykata Kushtetuese, me aq sa kemi lexuar në njoftimin e shkurtër që ka publikuar, kërkon që të zbatohet Neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pra që pamundëson kandidimin e një personi që është shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

"KQZ-ja do të shohë të gjitha obligimet që dalin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Modalitetet do të saktësohen nga ana e KQZ-së gjatë procesit zgjedhor", shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, tha se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte jokushtetuese, pasi për të votoi Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Arifi gjendet në burg, ku po vuan dënimin prej një vit e tre muaj burgim.

Por, vendimi i Kushtetueses, sipas Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të pamundësojë kandidimin në zgjedhjet të kreut të kësaj partie, Albin Kurtit dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiut, të cilët më 2018, u dënuan me kusht.

Kështu tha për REL, Përparim Kryeziu, zëdhënës i LVV-së, sipas të cilit, dënimi ndaj Kurtit dhe Haxhiut ka qenë me kusht “dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”.

Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG