Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar presionin ekonomik ndaj Kinës, pas trajtimit të autoriteteve kineze ndaj ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane, duke bllokuar importin e mallrave të pambukut nga një organizatë paramilitare kineze, për shkak të punë së detyrueshme.
Agjencia federale për Mbrojtje të Kufirit dhe Doganave në SHBA, ka njoftuar se do të konfiskojë dërgesat e pambukut dhe produket e pambukut të prodhuara nga Korporata e Ndërtimit dhe Prodhimit në veriperëndim të Kinës.
Ky veprim kundër kompanisë së lidhur me ushtrinë kineze, e cila prodhon rreth 30 për qind të pambukut në Kinë dhe rreth 6 për qind të të gjithë pambukut në nivel global, është veprimi i fundit amerikan që shënjestron mallrat e krijuara nga puna e detyrueshme në provincën Ksinjiang të Kinës.
Në muajin korrik, Departamenti amerikan i Thesarit pati ndaluar të gjitha transaksionet financiare me Korporatën kineze të Ndërtimit dhe Prodhimit.
Qeveria amerikane beson se autoritetet kineze janë duke shtypur ujgurët dhe minoritete tjera etnike dhe fetare.
“Abuzimi sistematik me punë të detyrueshme në rajonin Ksinjiang të Kinës, duhet të shqetësojë secilin biznes dhe konsumator amerikan”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Komisionarit të agjencisë federale për Mbrojtje të Kufirit dhe Doganave, Mark Morgan.
“Puna e detyrueshme përbën shkelje të të drejtave të njeriut, që dëmton punëtorët e brishtë dhe prezanton konkurrencë të padrejtë në zinxhirin global të furnizimit”.
Vendimi i fundit vjen teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump synon të rrisë presionin ndaj Kinës, në javët e fundit të presidencës.
Kongresi po ashtu është duke analizuar bazën ligjore përmes së cilës do të shpallte të gjitha produktet e prodhuara në Ksinjiang rezultat të punës së detyrueshme, dhe si të tilla do t’iu ndalohej importi në SHBA.
Disa kompani amerikane, duke përfshirë Apple dhe Coca-Cola, kanë bërë thirrje kundër një ndalese të gjerë.
Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe grupet për të drejta të njeriut kanë vlerësuar se 1 milion ujgurë dhe grupe tjera minoritare janë duke u mbajtur në kampe të përqendrimit në Ksinjiang.
Kina ka mohuar raportimet për abuzime dhe keqtrajtime, duke pretenduar se kampet e ndalimit janë për qëllim të edukimit dhe luftimit të “ekstremizmit”.