Ndërlidhjet

Qeveria Hoti nën ‘llupën’ e Gjykatës Kushtetuese


Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Foto nga arkivi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Foto nga arkivi.

Gjykata Kushtetuese mbajti seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

“Ne si Grup Parlamentar, mendojmë që, z. Arifi, që nga fshehja e informatave e deri te votimi i qeverisë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vota e Etem Arifit duhet të shpallet e pavlefshme dhe vendimi i kuvendit kundërkushtetues”, ka thënë përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë, Blerim Sallahu.

Ai shtoi se vota e deputetit Arifi, nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, ka qenë vendimtare, ndërkaq në bazë të dokumentacionit të ofruar, “konstatohet se ish-deputeti Arifi ka gënjyer dhe e ka mbajtur të fshehur faktin se ka aktgjykim të formës së prerë”.

“Prandaj, ne konsiderojmë se procedura në kuvend më 3 qershor është ezauruar dhe se tani duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Sallahu.

Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i Qeverisë së Kosovës, avokati Besnik Berisha e cilësoi të pabazë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi në këndvështrimin e tij, deputeti Arifi nuk kishte dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes dhe se vendimi i gjykatës ishte subjekt i legjislaturës së kaluar.

“Ish-deputeti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar kuvendi”, tha avokati Berisha.

Avokati Berisha iu referua edhe çështjes së shumicës në kuvend, e cila sipas tij, nuk cenohet as në rast se kontestohet vota e deputetit Arifi.

“Nëse deputeti Arifi nuk ka pasur të drejtë zgjedhjeje në kuvend, atëherë i bie që në kuvend kanë qenë 119 deputetë. Edhe në këtë rast, shumica paralmentare është 60”, tha ai.

Përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës në këtë seancë dëgjimore, Artan Murati, tha se kuvendi është njoftuar për vendimin e gjykatës për deputetin Etem Arifi në prill të këtij viti dhe se më tej janë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme. Sipas tij, mungesa e informimit në kohë po shkakton telashe të tilla.

Shkëmb Manaj, kryetar i Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës kishte qëndrim të njëjtë me përfaqësuesin e qeverisë, duke thënë se vlerësimi i tij, i dhënë edhe në mbledhjet e Komisionit, është se “një deputet humb mandatin vetëm nëse dënohet me burgim gjatë atij mandati”, gjë që sipas tij nuk është rasti tek Arifi.

Seanca po mbahet online për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Seanca po mbahet online për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shpërputhje në mes të ligjit dhe vendimit gjyqësor

Shumica e pjesmarrësve në këtë seancë dëgjimore ngritën shqetësimin se si KQZ-ja nuk e ka verifikuar të kaluarën e deputetit Etem Arifi.

Në këtë rast, sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, problematike mbetet një aktgjykim i vitit 2017, i Gjykatës Supreme, në rastin Zafir Berisha kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e ka detyruar KQZ-në ta rikthejë zotin Berisha në listën e kandidatëve. Ky aktgjykim, specifikon se duhet edhe një vendim shtesë i gjykatës për të ndaluar garimin në zgjedhje. Ky aktgjykim është në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet, i cili specifikon se asnjë person që ka dënim të plotfuqishëm në 3 vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.

“Fatkeqësisht, vendimi i gjykatës Supreme ka qenë i detyrueshëm. Ne kemi vepruar në vitin 2017, i kemi de-certifikuar më tepër se 80 kandidatë, të cilët kanë qenë të dënuar me një vendim të plotfuqishëm. Mirëpo, fatkeqësisht pas një ankese në vitin 2017, Gjykata Supreme na ka obliguar që t’i kthejmë në listat e kandidatëve. Prandaj, deri sa nuk ka ndonjë vendim tjetër, ose nuk jepet ndonjë verdikt tjetër nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të veprojmë vet”, tha Daka.

Sidoqoftë, ajo tha se për rastin e deputetit Arifi nuk ishte në dijeni të vendimit të Gjykatës së Apelit, pasi për të njëjtin, nuk ishte informuar as nga Këshilli Gjyqësor.

Por, përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor, Astrit Hoti tha se KQZ-ja nuk i kishte kërkuar këtë informacion.

Kjo seancë dëgjimore u mbajt online, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Në seancën dëgjimore, gjykatësit kanë parashtruar pyetje të shumta, të ndërlidhura kryesisht me procedurat për përfundimin e mandatit të deputetit, pasojat juridike; opsionet; shpallja e zgjedhjeve të reja apo rikthimi i procesit para dekretit të presidentit; mungesën e zingjirit të përgjegjësisë për njoftimin në kohë reale për aktgjykimet e plotfuqishme; integritetin e procesit zgjedhor dhe të kuvendit; kërkesën e parashtruesit për shpalljen jo kushtetuese të vendimit; pritjet e parashtruesit dhe përfaqësuesit të qeverisë etj.

Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë afat se kur do të shpall aktgjykimin përfundimtar për këtë rast.

Etem Arifi ende deputet

Pavarësish se është në vuajtje të dënimit, Etem Arifi vazhdon të mbajë postin e deputetit. Kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani kishte kërkuar nga komisioni përkatës parlamentar për imunitete interpretim për rastin e tij.

Në seancën e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës. Shkëmb Manaj, tha se ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Mund të konfirmoj që deputeti në fjalë tashmë pothuajse është afër përcaktimit të kohës prej gjashtë muajsh në vuajtje të dënimit, janë edhe disa ditë dhe Komisioni për legjislacion mund të vihet në lëvizje me kompetencë që ta trajtojë kërkesën e kryetares së kuvendit, tani pasi që t’i bëjë gjashtë muaj dhe t’i rekomandojë kuvendit që t’ia marrë ose mos t’ia marrë mandatin”, tha Shkëmb Manaj.

Nga 29 shtatori, deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është duke vuajtur dënimin pasi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Sipas vendimit të gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG