Ndërlidhjet

Dialogu i Brukselit nën hijen e zhvillimeve të Gjykatës Speciale


Takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Bruksel, 7 shtator, 2020.
Takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Bruksel, 7 shtator, 2020.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe që të dyja palët duhet të jenë të gatshme për vazhdimin e tij. Por, njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Fisnik Halimi, kanë pikëpamje të ndryshme nëse Kosova duhet të vazhdojë apo për një periudhë ta pezullojë pjesëmarrjen në këtë proces.

Pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë disa përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë kanë kërkuar ndërprerjen e dialogun me Serbinë.

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës më 5 nëntor, menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara, të cilat njihen si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë.

Ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentit së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk është momenti që të vazhdohet dialogu, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar pezullimin e tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 10 nëntor, kryeministri Avdullah Hoti, kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Qeveria paralajmëron masa drastike kundër COVID-19
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Pozicion i dobësuar i Kosovës në dialog?

Analisti i çështjeve politike, Fisnik Halimi, thotë për Radion Evropa e Lirë, që Kosova duhet tërësisht që në çështjen e dialogut ta anashkalojë çështjen e Dhomave të Specializuara, për shkak se kjo e fundit, sipas tij, është çështje brendshme Kosovës, e cila është negociuar me partnerët strategjikë të vendit.

“Pavarësisht akuzave që po i bëhen ish-presidentit Thaçi, zotit Veseli dhe të tjerëve nga Gjykata Speciale, Kosova duhet të gjejë forcën dhe burimet e veta të brendshme, që të vazhdojë kokëlartë luftën e saj drejt përmbylljes së shtetësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, Kosova nuk duhet të ndihet e hendikepuar, sepse ajo është më e madhe se secili prej nesh individualisht”, ka theksuar Halimi.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që aktualisht Kosova ka nevojë për një pushim të dialogut, derisa ta marrë veten nga zhvillimet e brendshme. Sipas saj, përveç asaj që po ndodh me Gjykatën Speciale, pozicioni i presidentit të vendit tash për tash është vakant dhe atë e mban vetëm ushtruesja e detyrës.

“Kjo mund të sjellë krizë të brendshme politike. Kriza e brendshme politike apo dështimi për të zgjedhur presidentin e ri, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Mund të kemi një formacion komplet ndryshe të Kosovës në dialog, pas zgjedhjeve. Kështu që mendoj se për momentin, ky pozicion i dobësuar i Kosovës po ndikon te mënyra se si Kosova përfaqësohet në Bruksel. Kosova, e cila edhe ashtu ka qenë dhe e ka pasur një pozicion të dobët, marrë parasysh që Hoti e ka vazhduar dialogun krye më vete, pa asnjë konsultim të brendshëm me partitë tjera politike, por edhe me shoqërinë civile”, theksoi Emini.

“Për” dhe “kundër” vazhdimit të dialogut

Zëdhënësi i për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke komentuar lidhur me disa qëndrime në Kosovë, përmes së cilave kërkohet pezullimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, ka theksuar se “ Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut”.

Stano ka thënë se “BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit, Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”.

Kryeministri Hoti më 10 nëntor, ka deklaruar për REL që zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.

Analisti Fisnik Halimi, shpreh mendimin se ndërprerja e dialogut me Serbinë nga ana e Kosovës, do të ishte me pasoja për këtë të fundit. Më këtë lloj politike, sipas tij, Kosova ka përjetuar pasoja të rënda kur kishte imponuar taksën ndaj produkteve të Serbisë. Kërkesën e disa përfaqësuesve institucionalë dhe liderëve politikë për ndërprerjen e dialogun me Serbinë, ai e konsideron si naivitet politik.

“Kërkesa për ndërprerjen e dialogut është naivitet dhe është e dëmshme politikisht. Atë që Kosova duhet ta bëjë me dialogun, është që ta përgatitë një ekip të unitetit, t’ia kthejë kompetencën për dialogun Kuvendit, të krijojë një ekip të unitetit pushtet-opozitë, duke emëruar një personalitet nga opozita në krye të atij ekipi të unitetit dhe të përgatitet para sfidave jashtëzakonisht të mëdha, të cilat do t’i paraqiten Kosovës me rastin e negociatave finale Kosovë-Serbi”, theksoi Halimi.

Por, analistja Emini këmbëngulë në vlerësimin e saj që ky proces, për momentin, mund ta dëmtojë Kosovën, pavarësisht që, siç thotë ajo, është i kuptueshëm presioni që ka kryeministri Hoti nga BE-ja dhe nga i dërguari i saj i posaçëm, Mirosllav Llajçak, për të dialoguar dhe për të nënshkruar një marrëveshje.

“Unë e kuptoj zotin Hoti që këto procese janë të ndara sepse edhe janë të ndara. Mirëpo janë të ndërlidhura ngushtë. Performanca e Kosovës në politikë të jashtme, në dialog, varet shumë nga stabiliteti i brendshëm politik. Nëse këtë nuk e kemi, kjo do të reflektohet në dialog. Prandaj, zoti Hoti duhet të marrë parasysh edhe kërkesën, jo vetëm të AAK-së, por edhe të zonjës Osmani, e cila për momentin është ushtruese e detyrës së presidentit dhe e cila kërkoi që të pauzojmë dialogun, që të marrim pak kohë për t’u konsultuar përbrenda, në mënyrë që të shkojmë në Bruksel më të përgatitur”, theksoi Emini.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, gjatë këtij viti, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel, sa më parë që të lejojnë mundësitë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG