Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përmes një njoftimi publik ka thënë të mërkurën se masat e prezantuara nga Qeveria e Kosovës do të dëmtojnë edhe më shumë ekonominë dhe sektorin e gastronomisë.
“Kundërshtojmë fuqishëm këto masa, pasi që në asnjë rast nuk u përmend nga qeveria se për këto mbyllje do të ketë mbështetje financiare në ekonomi”, është thënë në njoftim.
Pjesëtarët e kësaj shoqate kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sektori i gastronomisë të subvencionohet me një pako ekonomike në vlerë prej 10 milionë eurosh. Ata kërkojnë që brenda një afati shtatëditor të merren parasysh kërkesat e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar të mërkurën masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Sipas Hotit këto masa do të hyjnë në fuqi të premten.
Masat e prezantuara nga kryeministri ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Më 7 nëntor Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka protestuar duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbyllje të bizneseve të tyre gjatë fundjavës.
Pjesëtarët e këtij sektori kanë zhvilluar një aktivitet simbolik, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë.
Përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike.