Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se masat e reja të prezantuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do t’iu mundësojnë bizneseve të punojnë sa për të mbijetuar.
“Ekonomia në masë të madhe do të mbetet e hapur dhe do të punojë, nuk jemi duke folur për ndonjë qarkullim të madh, por sa për të mbijetuar”, tha Rukiqi.
Ai ka kërkuar nga bizneset që të respektojnë masat pasi që dënimet do të jenë të mëdha.
Në një nga masat e prezantuara në Qeverinë e Kosovës thuhet se bizneset të cilat nuk respektojnë masat do të dënohen me mbyllje të biznesit deri në tre muaj.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar të mërkurën masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sipas Hotit këto masa do të hyjnë në fuqi të premten.
Masat e prezantuara nga kryeministri ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.