Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe transferimin e tij në objektet e paraburgimit në Hagë.
“Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë pas rreth dhjetë orësh të qëndrimit të pjesëtarëve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e tij në Prishtin.
Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka bërë të ditur se Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit i cili është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuar është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit.
"Është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet shumë shpejtë të caktohet seanca”, ka deklaruar avokati Hasani.
Hasani deklaroi se veprat për të cilat dyshohet Krasniqi, nuk janë të specifikuara, por janë në kuadër të veprave të cilat bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Dardan Krasniqi, familjar i Jakup Krasniqit, tha se po ashtu është bastisur edhe shtëpia e Krasniqit në Negroc.
Limaj: Krasniqi nuk do t’i bënte opozitë drejtësisë
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media Limaj e ka quajtur mënyrën e arrestimit, të panevojshme.
“Ai (Jakup Krasniqi) asnjëherë s’do t’i bënte opozitë drejtësisë, ai asnjëherë nuk do t’i dilte kundër drejtësisë. Pëkundrazi, e gjithë jeta e tij është luftë për drejtësi, për liri, për bashkjetësë, luftë për mirëqenie.”, tha Limaj.
Operacioni i bastisjes
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftuan të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione në Prishtinë.
Gjatë ditës, Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione se përse është duke u kryer operacion në shtëpinë e tyre.
Sipas Sevdije Krasniqit, operacioni ka filluar në orën 5:30.
“Nuk na kanë ofruar kurrfarë dokumenti. Kështu që, nuk e dimë se cili është qëllimi ose arsyeja e ardhjes në shtëpinë tonë”, tha ajo.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), porse detaje të tjera lidhur me këto operacione do të jepen më vonë.
Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke theksuar se, “Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.
“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Nisma Socialdemokrate: Jakup Krasniqi çdo herë i është përgjigjur drejtësisë
Partia Nisma Socialdemokrate ka reaguar lidhur me veprimet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Ne vlerësojmë që skenat që i kemi parë sot, kanë qenë të panevojshme dhe traumatike për familjen. Krasniqi çdoherë u është përgjigjur ftesave që kanë ardhur nga organet e drejtësisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, tha Bilall Sherifi, sekretar i Nismës Socialdemokrate, gjatë një konference për media.
Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, pati deklaruar Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi e kishte marrë ftesën për intervistim.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
*Video nga arkivi: Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin e parë në Kosovë në muajin shtator. Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së për Zonën e Llapit, u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.
Aktakuza e ngarkon Mustafën për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Gjatë seancës së mbajtur më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.