Ndërlidhjet

Ankthi dhe depresioni, problemet më të shpeshta në pandemi


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Në Qendrën për shëndetin mendor në Prishtinë, puna gjatë pandemisë COVID-19 ka ndryshuar. Neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i kësaj qendre, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë gjithë kohës u kanë ofruar ndihmë njerëzve përmes telefonit, ku janë angazhuar gjashtë ekipe psikiatrish, të cilët kanë punuar nga katër orë çdo ditë.

Në secilën ekip, ndihmë kanë kërkuar rreth 15 persona. Edhe sot, thotë Rexhepi, nevoja për ndihmë sa i përket shëndetit mendor, po vazhdon të jetë e lartë.

“Kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë çdo ditë. Çrregullimi i gjumit, ankthi, depresioni, mungesa e ilaçeve të klientëve tonë, kanë disa prej telasheve më të shpeshta që ne i kemi identifikuar që nga muaji mars”, thotë Rexhepi.

“Pastaj frika nga virusi, për shkak të informatave të shumta që i kanë marrë e që nuk kanë mund që t’i përballojnë njerëzit, e që rrjedhimisht iu ka shkaktuar ankth e depresion”, shton ai.

Më shumë se 1,200 kosovarë kërkuan ndihmë psikologjike gjatë pandemisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Genta një qytetare nga Prishtina, studente e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, tha se pasojat e pandemisë po i vëren si te vetja po ashtu edhe te familjarët e saj.

Ajo thotë se i është shfaqur pagjumësia, problem të cilin nuk e kishte pasur më parë.

“Kohëve të fundit jam rënduar shumë sa i përket gjendjes emocionale, psikologjike. Ndoshta ka bërë që dëgjimi i lajmeve, por edhe situata ekonomike e financiare ka ndikuar që shëndeti mendor në këtë rast të luhatet”.

“Ajo çka unë po vërej te vetja është një pagjumësia e cila më është shfaqur. Gjithashtu përveç pagjumësisë, edhe niveli i lumturisë ka rënë jashtëzakonisht shumë. Kam edhe të afërm që kanë rënë në depresion gjatë kësaj kohe, sepse ka të tillë që i kanë humbur punën. Pra efektet e pandemisë po shihen çdo ditë e më shumë në popullatë, sa i përket shëndetit mendor”, tha ajo.

Gjatë muajit mars, kur në Kosovë u aplikuan masa të izolimit, 200 psikologë nga e gjithë Kosova u lajmëruan për të ofruar kontributin e tyre vullnetarë, për të ndihmuar qytetarët, përmes një linje telefonike falas.

Kjo linjë e ndihmës është mundësuar falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, e që po vazhdon edhe sot.

Aty ndihmë psikologjike po del të kenë kërkuar mbi 2 mijë persona të moshave të ndryshme, kryesisht për shkak të ankthit, stresit dhe problemeve emocionale e familjare që kanë kaluar që nga shfaqja e pandemisë.

Fitim Uka, psikolog klinik, i tha Radios Evropa e Lirë, se sfida e ankthit si dhe e depresionit, po vazhdon te jetë e pranishme në masë të madhe, ndonëse tashmë njerëzit nuk janë të izoluar totalisht.

“Ka pasur rritje të numrit të rasteve që kanë përjetuar shqetësime të ankthit, depresionit dhe kjo ka qenë e shprehur më shumë në kohën e izolimit. Por, edhe tash pas disa muajsh njerëzit po tregojnë simptoma të ankthit në veçanti, pasi që rriten shqetësimet në lidhje me atë se kur ka do të përfundojë pandemia, gjithashtu rriten shqetësimet te familjarët e tjerë gjithashtu, andaj është sfiduese”, tha ai.

OBSH-ja kërkon rritjen e buxhetit për shëndetin mendor

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar nga shtetet që të shpenzojnë më shumë nga buxhetet e tyre për shëndetësi, sa i takon shëndetit mendor.

Më 31 gusht, OBSH-ja ka publikuar rezultatet e një hulumtimi mbi ndikimin e pandemisë në sistemet shëndetësore në 105 shtete të botës.

“Nga të dhënat nga pesë rajone për periudhën mars-qershor 2020, dëshmohet se thuajse çdo shtet (90 për qind) kanë përjetuar ndërprerje të shërbimeve të tyre shëndetësore, më të prekurat kanë qenë shtetet me të ardhura të ulëta dhe mesatare”, thuhet në të gjeturat e këtij hulumtimi të OBSH-së.

Sipas rezultateve të hulumtimit, shërbimet shëndetësore për shëndetin mendor kanë qenë më të prekurat që nga fillimi i pandemisë, pasi si pasojë e izolimit, shumë njerëz e kanë pasur të pamundur që të marrin trajtime për shëndetin mendor.

Ministria e Shëndetësisë pa buxhet shtesë për shëndetin mendor

Ndërkohë në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk ka pasur buxhet shtesë për shërbimet e shëndetit mendor. Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri thotë se për këtë çështje kanë funksionuar sikurse më parë, pasi buxheti për shëndetin mendor ekziston.

“Në kuadër të buxhetit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ekziston edhe programi i shëndetit mendor, e që ofrohen shërbime terciare, pra reparti i psikiatrisë. Aty përmbushen nevojat e personave me barna dhe program të caktuar për shëndetin mendor. Programi buxhetor është pjesë e buxhetit të përgjithshëm që e ka SHSKUK-ja”, tha Hoti.

Sidoqoftë, koha e izolimit dhe frika nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore e ekonomike gjatë pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, ka ndikuar më shumë në shëndetin mendor të burrave në Kosovë sesa të grave. Kjo sipas të dhënave të regjistruara në linjën falas për ndihmë psikologjike në Kosovë (038-200-80-890), ka dalë se mbi 52 për qind e personave që kanë telefonuar në këtë linjë kanë qenë burra.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG