Ndërlidhjet

Kosova me nivelin më të ulët të punësimit të grave në rajon


Një protestë e grave e organizuar në Prishtinë. Foto nga arkivi.
Një protestë e grave e organizuar në Prishtinë. Foto nga arkivi.

Flutura Berisha, 43 vjeçe, për më shumë se tre vjet është në kërkim të një pune. Pagat e ulëta që ofrohen në sektorin privat, thotë Flutura, kanë bërë që edhe kur ka arritur të gjejë një punë, të mos e pranojë.

“E kam familjen, jam nënë e katër fëmijëve, nëse paga është e ulët ato para të shkojnë vetëm rrugë, nuk mund të bësh asgjë me ato para”, thotë ajo.

“Tash jam në shtëpi dhe angazhohem me punët e shtëpisë dhe kujdesem për fëmijët. Nuk kam gjetur punë aty ku kam dashur”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Flutura, e cila ka të përfunduar shkollimin e mesëm, thotë se është e interesuar të punoj në kopshte të fëmijëve, por pa sukses.

Vetëm 14 për qind e grave në Kosovë të punësuara

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se shkalla e punësimit te gratë është vetëm 14 për qind. Numri i grave në moshë pune, sipas këtyre të dhënave, është mbi 600 mijë, derisa të punësuara nga ky numër janë vetëm 85,601 gra.

Këto të dhëna janë të Anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së dhe tregojnë statistikat për tremujorin e parë të vitit 2020.

Të punësuarat në Kosovë kryesisht punojnë në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë.

Pagat neto te të punësuarit në Kosovë është midis 400 euro deri 500 euro në muaj.

Nga mesatarja e kësaj pagese mujore janë vërejtur dallime gjinore me 0.4 për qind më e lartë te burrat sesa te gratë.

Demolli: Në sektorin privat pagat e ulëta, ai publik i stërngarkuar

Gjeneruesi më i madh i vendeve të punës në Kosovë është sektori privat.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 85 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se sektori privat heziton të punësojë gra, për shkak të pushimit të lehonisë dhe për shkak të angazhimit që gratë kanë në familje.

Çfarë thotë ligji për pushimin e lehonisë?

Me Ligjin e punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

“Po ashtu edhe mungesa e disa sektorëve të zhvilluar, siç është sektori i tekstilit, pra mungesa e fabrikave si në të kaluarën, ka bërë që punësimi i grave të jetë i ulët. Një arsye tjetër e shkallës së ulët të punësimit të grave është se gratë nuk janë të interesuar të punojnë në sektorin privat, për shkak të pagave të ulëta”, thotë Demolli.

Nga studimet që ka bërë Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë Demolli, një grua nuk dëshiron të punësohet në sektorin privat për një pagë 220 euro.

“(Me këtë pagë) Një grua nuk mund të shkojë të punojë tetë orë dhe të paguajë për kopsht të fëmijëve deri në 100 euro në muaj, pra nuk ka llogari. Pastaj, një grua që ka dy-tre fëmijë të cilët i dërgon në shkollë dhe shkolla nuk është gjithëditore, ajo duhet të angazhohet për fëmijët dhe për një pagë të ulët nuk ka llogari të punojë”, thotë Demolli.

Sektori publik, i paarritshëm për punësim

Sa i përket punësimit të grave në sektorin publik, shton Demolli, është një sfidë më vete. Ajo tregon se një grua mund të presë deri në nëntë vjet për t’u punësuar në sektorin publik.

Sipas studimeve të qendrës, në sektorin publik numri i vendeve të reja të punës është i ulët dhe punësimet bëhen zakonisht në bazë të lidhjeve familjare apo partiake.

“Edhe kjo ka bërë që të lë gratë jashtë tregut të punës dhe të jenë jo-aktive për tregun e punës. Ti mund të përfundosh një shkollim, por nëse qëndron nëntë vjet pa një vend pune, pa e përdorur asnjëherë diplomën tënde, ajo mund të mos vlejë, pasi që ritmi në tregun e punës është i shpejtë dhe gratë nuk kanë mundësi të investojnë në trajnime dhe të krijojnë aftësi të reja”, thotë ajo.

Të punësuara, por të paregjistruara

Numri i grave të punësuar mund të jetë më i madh, por që në shumë raste ato punojnë pa kontrata pune, thonë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini thotë për Radion Evropa e Lirë se ky nivel i punësimit të grave në Kosovë është i ulët, dhe kjo duhet të alarmojë institucionet e vendit.

“Sektori privat po i paguan gratë me një pagë minimale deri në 170 euro, për më keq nuk ju ofron as kontratë pune dhe nuk paguan as kontributet në Trustin e Kursimeve Pensionale. Në këto raste kur nuk kanë kontratë pune, ata mbesin jashtë Ligjit të punës dhe nuk mbrohen me ligj”, thotë Ajdini.

Kosova prin me numrin më të vogël të punësimit të grave

Krahasuar me vendet e rajonit, sipas Bankës Botërore, Kosova ka nivelin më të ulët të punësimit të grave.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, në vitin 2019 Shqipëria kishte shkallën e punësimit të grave mbi 50 për qind, Mali i Zi dhe Serbia afër 50 për qind, Maqedonia e Veriut mbi 40, derisa Bosnjë e Hercegovina rreth 30 për qind.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG