Ndërlidhjet

Nderimi i viktimave shqiptare nga liderët serbë, prapa dyerve të mbyllura


Viktimat e Masakrës së Mejës, të gjetur në varrezën masive në Batajnicë: Mark, Pashk dhe Pjetër (Abazi) Krasniqi.
Viktimat e Masakrës së Mejës, të gjetur në varrezën masive në Batajnicë: Mark, Pashk dhe Pjetër (Abazi) Krasniqi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se në një takim të mbyllur me përfaqësuesit e shoqërisë civile më 3 tetor në Beograd, ai i nderoi viktimat shqiptare të luftës së viteve 1990.

"Unë do të ngrihem për çdo serb, për çdo shqiptar, për të gjithë të tjerët që vdiqën në çdo konflikt lufte me shpresën se nuk do të ketë kurrë një luftë tjetër," tha Vuçiq në përgjigje të pyetjes së gazetarit të Radios Evropa e Lirë pas një takimi me Komisionarin evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi në Beograd.

Vuçiq deklaroi se gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, një nga pjesëmarrësit kërkoi nga të gjithë të pranishmit të ngrihen dhe të nderojnë për shqiptarët e vrarë.

"Nuk do të them nëse ishin trika apo jo, nuk më intereson, gjithmonë do të ngrihem. Mendoj se mirësjellja elementare ia dikton këtë çdo njeriu. Fakti që disa njerëz nuk kanë moral, dhe dalin me gjëra për të cilat është rënë dakord të mos dalin në publik, kjo flet për moralin e tyre ”, shtoi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë nuk u përgjigj në pyetjen e REL-it nëse ai do të nderonte shqiptarët e vrarë të Kosovës në vendin e varrezës masive në Batajnicë, afër Beogradit, ku u gjetën mbetjet e tyre.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), ia drejtoi kërkesën presidentit serb për t'i nderuar më shumë se 700 viktima shqiptare në Batajnicë afër Beogradit pas publikimit të informacioneve se ai, së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, më 3 tetor në Beograd në një takim të mbyllur, me një minutë heshtje i nderoi viktimat shqiptare, të cilat ishin të varrosura në varrezën masive në Batajnicë.

Ky ishte një takim me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE-në, një grup i organizatave joqeveritare që monitoron procesin e pranimit të Serbisë, i cili u mbajt nën rregullat e "Chatham House", që do të thotë se pjesëmarrësit mund të zbulojnë informacione, të cilat i kanë marrë, por nuk duhet ta zbulojnë identitetin e folësit.

Por, Ivana Zhaniq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse dikush dëshiron t’i nderojë viktimat, atë nuk duhet ta bëjë në një takim të mbyllur me një rreth të ngushtë të njerëzve.

“Sjellje e përgjegjshme e dikujt që është në krye të një vendi që pretendon të jetë i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe është rrugës për në Bashkimin Evropian, është që të shkojë te vendi i varrezës masive. Aty duhet të vendosë lule dhe t’i nderojë viktimat me një minutë heshtje, ku do të jenë të pranishëm zyrtarë të tjerë të qeverisë, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Çdo shprehje e dhimbjes pas dyerve të mbyllura, për mua është një akt shtesë i vetë-promovimit dhe jo sinqeritetit të kësaj qeverie“, tha Zhaniq.

Në vitin 2001, 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës që u vranë nga forcat serbe, u zhvarrosën në Batajnicë, rreth njëzet kilometra nga qendra e Beogradit.

Mbetjet e tyre ishin transportuar nga Kosova në poligonin e njësisë Speciale Antiterroriste në Batajnicë më 1999 dhe ishin varrosur në një varrezë masive. Bëhet fjalë për njërën nga varrezat masive më të mëdha të gjetura në ish-Jugosllavi.

Nderimi i viktimave, pa drejtësi, nuk shëron plagët e luftës

Lush Krasniqi nga fshati Ramoc i Gjakovës, e kishte kryer shërbimin ushtarak në Batajnicë të Serbisë më 1988.

Trembëdhjetë vjet më vonë, në këtë vend, i kishte gjetur eshtrat e dy vëllezërve të tij dhe axhës, që u vranë në masakrën e Mejës në prill të vitit 1999. Pas vrasjes, ata fillimisht ishin varrosur në Korenicë, e pas dy muajsh ishin dërguar në varrezën masive të Batajnicës. Në masakrën e Mejës, ndërmjet 27 dhe 28 prillit ishin vrarë 377 civilë shqiptarë, shumica e të cilëve u gjetën në varrezën masive të Batajnicës.

Nderime për viktimat në Batajnicë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Për Krasniqin, nderimi i viktimave nga presidenti serb në vendin e varrezës masive - nëse do të ndodhte një veprim i tillë - nuk do t’i shëronte plagët e luftës, pa pasur drejtësi për viktimat.

“E dimë iniciativat që i kanë ndërmarrë organizatat e shoqërisë civile në Serbi, ato i përshëndesim. Por, unë pres që presidenti serb të ndryshojë me vepra dhe jo të bëjë vetëm fushatë, sidomos në këtë kohë, kur janë edhe bisedimet me Kosovën dhe SHBA-në. Unë mendoj se Vuçiqi nuk ka treguar deri më tash gatishmëri që të bisedojmë sinqerisht dhe të kemi pajtim të sinqertë, kështu që nuk e konsideroj si një hap që do të ndikonte te familjet që kanë të zhdukur”, shprehet Krasniqi.

Iniciatori i takimit me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE Millan Antonijeviq, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një minutë heshtje u mbajt me iniciativën e njërit prej pjesëmarrësve në takim.

"Në pjesën e dialogut ku u diskutuan bisedimet me Kosovën, u fol edhe për viktimat, veçanërisht të zhdukurit. Kjo kategori do të jetë gjithashtu temë e bisedimeve të Brukselit dhe një nga pjesëmarrësit foli për nevojën e një përkufizimi më të qartë të Serbisë ndaj viktimave, duke folur jo vetëm për viktimat serbe, por edhe shqiptare. Më pas u propozua një minutë heshtje ku të gjithë në sallë u bashkuan", tha Antonijeviq.

"Batajnica bart një simbolikë të madhe"

Së bashku me Qendrën për të Drejtën Humanitare edhe në Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, besojnë se presidenti i Serbisë duhet publikisht t'u bëjë nderime viktimave të krimeve.

"Gjithë Serbia duhet ta shohë atë (Vuçiqin) duke i nderuar viktimat civile, para së gjithash në Batajnicë. Batajnica bart një simbolikë të madhe. Përveç faktit që u varrosën 750 njerëz, kjo simbolikë është edhe sepse ajo është në Beograd, tregon të gjithë infrastrukturën e krimit, ku ata u transportuan 400 - 500 kilometra në mënyrë që të fshehin krimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ivan Gjuriq, nga kjo iniciativë.

Në 19-vjetorin nga zbulimi i varrezës masive në Batajnicë, nuk ka asnjë memorial për viktimat, pavarësisht se Fondi për të Drejtën Humanitare filloi një iniciativë në vitin 2015 për të krijuar një Qendër Përkujtimore kushtuar viktimave.

Për familjarët e viktimave, Batajnica është Srebrenicë, Aushvitz

Për Lush Krasniqin, Batajnica simbolizon krimin më të rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore.

“Batajnica për mua është Srebrenicë, Aushvitz, kështu që Batajncia meriton të jetë plot me lule. Batajnica për mua do të jetë gjithmonë kujtim i tmerrshëm, mbetet vend i tmerrshëm që ma ka bërë dhe do të ma bëjë jetën të pakuptimtë”.

Autorët e krimit ndaj familjarëve të tij janë zbardhur nga një ish-ushtarak serb që ka qenë dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Hagës në rastin e Vllastimir Gjorgjeviqit, ish-ndihmës i udhëheqësit të Policisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për krime lufte në Kosovë, përfshirë transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varreza masive, nga Tribunali i Hagës ai është dënuar me 27 vjet burgim. Ky dënim më vonë u ul në 18 vjet.

Organizatat joqeveritare që monitorojnë këtë rast, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) dhe Qendra për të Drejtën Humanitare, thonë se Gjorgjeviq është personi i vetëm përgjegjës për katër varreza masive të gjetura. Për këto krime nuk ka pasur procese gjyqësore në gjykatat serbe.

Në vend të një Qendreje Përkujtimore për viktimat, në vitin 2018 afër vendit që fshehu krimet e policisë serbe, forcave ushtarake dhe paraushtarake, u ndërtua një kishë. Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, dekoroi anëtarët e Njësisë Speciale Anti-Terroriste të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, në poligonin e së cilës u gjetën trupat, "për një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e saj".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG