Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila u mbajt në Tiranë, u dakorduan për një qeverisje të përbashkët strategjike mes dy shteteve.
Prishtina dhe Tirana zyrtare deri më tani kanë arritur më shumë se 70 marrëveshje, protokolle dhe memorandume dhe gjatë mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, të dyja shtetet nënshkruan edhe 4 marrëveshje, 3 protokolle, 5 memorandume dhe Kalendarin e përbashkët kulturor vjetor.
Në fushën e transportit hekurudhor u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.
Ky memorandum i nënshkruar nga të dy qeveritë është theksuar se është një fazë e re e zhvillimit të rajonit, që do të lehtësojë trafikun hekurudhor.
Ministritë e të dy qeverive janë dakorduar që të lëvizin shpejt në përgatitjen e plotë të studimit të fizibilitetit dhe sigurimit të fondeve nga SHBA-ja BE-ja dhe buxhetet e të dy qeverive.
Kjo ka të bëjë më pikën e marrëveshjes të nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.
Në takimin mes dy qeverive, po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje për ngritjen e grupit të punës për krijimin e Fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.
Kosova dhe Shqipëria, po ashtu, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.
Për këtë pikë, të dy qeveritë janë pajtuar që të shohin mundësitë dhe alternativat e duhura për teknologjinë 5G.
Marrëveshje, memorandume dhe dokumente bashkëpunimi Kosova dhe Shqipëria nënshkruan edhe për fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë e të tjera.
Rama: Të hiqet kufiri Shqipëri-Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, tha se të gjitha dokumentet e nënshkruara janë në proces të zbatimit ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar.
Rama tha se synojnë heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dua të nënvizojë ecurinë e mirë të zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve për hapjen e pikave të përbashkëta të pikëkalimit kufitarë Morinë - Vermicë. Kontrolli i kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Vermicë funksionon sipas parimit një ndalesë, një kontroll. Por, kjo nuk mjafton dhe ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Evropian në rajonin tonë, duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha kryeministri Rama.
Sipas tij, është e rëndësishme që të dyja shtetet të intensifikojnë punën për të krijuar databazën e përbashkët dhe për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve dhe daljeve që do të mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme.
Ai shtoi se marrëveshja për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve "na çon në destinacion", shndërrimin e portit të Durrësit në një port de facto të Kosovës. Rama tha se për këtë çështje do të qëndrojë në Kosovë dhe ku pritet të nënshkruajë marrëveshje në mënyrë që Dogana e Durrësit të kalojë në dispozicion të Kosovës.
Rama foli edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë. Sipas tij, dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje.
“Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale, por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë së brendshmi në raport me vetveten dhe qoftë së jashtmi në raport me botën”, tha Rama.
Hoti: Marrëveshjet adresojnë problemin e bizneseve dhe qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve, të dyja vendet hyjnë në një fazë të re të një bashkëpunimi ndërshtetëror. Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjeve, memorandume e protokolleve tregon përkushtimin dhe vendosmërinë për të ecur përpara në rrethana të reja.
Kryeministri Hoti ka shtuar se gjatë muajve të fundit kanë punuar në vazhdimësi që të jenë një qeveri e cila shihet si kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, “dhe po punojmë së bashku në arritjen e objektivave përfundimtare, siç është një regjion i qetë stabil me një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”.
“Gjatë këtyre tre muajve kemi pasur mjaft sfidë në diplomacinë tonë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe me gjithë resorët pa përjashtim, për të rivendosur si duhet marrëdhëniet tona me partnerët tanë strategjikë që kemi pasur: Bashkimin Evropian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës, marrëdhënie që ishin lënduar në kohët e fundit”, tha Hoti.
Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, Hoti tha se ky proces mbetet sfidë për Kosovën. Ai shtoi se disa tema që i janë hapur në Bruksel janë kornizuar me terma të përgjithshëm dhe siç thotë ai, në qasjen që kanë ndërtuar së bashku me partnerët e koalicionit mund të lëvizin shpejtë përpara për të përmbyllur këtë çështje dhe stabilizuar regjionin dhe siguruar integrimet euroatlantike.
Shengeni rajonal, projekt transformues
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas mbledhjes kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për rëndësinë e nismës së mini-Shengenit.
Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, është pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Shengeni rajonal është projekt transformues dhenjë projekt i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në një të ardhme shumë më të mirë për qytetarët e të dy shteteve.
“Është një projekt transformues ku duhet të shkëputemi nga e kaluara dhe një proces për njohjen e Kosovës nga Serbia, që mund të realizohet vetëm përmes rrugëve diplomatike, mençurisë, durimit dhe aftësisë për të fituar një betejë. Kosova është shtet sovran që s’mund të vihet në dyshim nga askush që ende vonon ta njohë”, thotë ai.
Mbledhja e gjashtë e dy qeverive, kërkohet mbikëqyrja e marrëveshjeve
Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë është e gjashta me radhë që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.
Që nga ajo kohë, të dy qeveritë mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.
Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.
Por, shumë herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.
Në Kosovë institucionet nuk ka ndonjë të dhënë të publikuar se sa këto marrëveshje janë zbatuar në praktikë.
Në mbledhjen në Tiranë u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.
Studimet: Marrëveshjet nuk gjetën zbatimin e duhur
Numri më i madh i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë synojnë lehtësimin e bashkëpunimit tregtar.
Sipas një studimi që ka bërë Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP dhe Riinvest, thuhet se ndonëse ka një progres të mirë në realizimin e marrëveshjeve, ende shfaqen barriera tregtare.
Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë, sipas këtij studimi kanë të bëjnë me pengesa që lidhen me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.
Karakteristikë, sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë, është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe të njëjtat në mënyrë sistematike përsëriten.
Porti i Durrësit, i finalizuar
Një nga e marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas studimit të Institutit GAP dhe Riinvest, është funksionimi i Portit të Durrësit.
Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës pati hapur pikën doganore në Portin e Durrësit.
Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset kosovare, duke marrë parasysh se Porti i Durrësit është porti që ofron mundësi për qarkullimin më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave për dhe nga Kosova.
Studimi i Institutit GAP rekomandon ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqje të barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik.
Facebook Forum