Ndërlidhjet

“Autostrada e Paqes”, prioritet i marrëveshjes së Uashingtonit  


Autostradë në Kosovë
Autostradë në Kosovë

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, tha se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë ka hapur një kapitull të ri sa i takon zhvillimit të rajonit.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference përmes telefonit me gazetarë, vetëm pak ditë pasi vizitoi Kosovën dhe Serbinë.

Boehler tha se do të punojnë ngushtë me qeveritë në Prishtinë dhe Beograd në përmirësimin e infrastrukturës, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“[Marrëveshja] hap mundësinë e bashkëpunimit ekonomik. I prek interesat e të dy popujve. Krijon vende pune dhe krijon një ambient ku njerëzit flasin për forcimin e secilit shtet dhe nuk flasin për një konflikt të vjetër. Ne jemi shumë të lumtur të mbështesim këtë, sepse kjo vërtet i zhvillon të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë”, tha Boehler.

I pyetur për shifrat e mundshme të investimeve amerikane në projektet që kanë dalë nga marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, Boehler tha se është e pamundur të jepet ndonjë shifër specifike.

Kjo, sipas tij, do të varet nga lloji dhe numri i projekteve.

Ndërkohë, udhëheqësi i zyrës rajonale të DFC-së në Beograd, John Jovanoviq, tha se disa nga projektet për të cilat është arritur marrëveshje janë në implementim e sipër, mirëpo, sipas tij, SHBA-ja do të ndihmojë në implementimin e tyre.

“Qasja jonë te këto projekte është se ne do të mundohemi që t’i zgjerojmë mundësitë financiare dhe resurset që janë në dispozicion për të dyja palët”, tha Jovanoviq.

*Video nga arkivi: DFC hap zyre në Beograd

DFC hap zyre në Beograd
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Ai theksoi se “Autostrada e Paqes” është ndër prioritetet kryesore.

“'Autostrada e Paqes' është një top-prioritet për ne që në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë, të sigurohemi që ai projekt të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Jovanoviq.

Shefi i DFC-së, Adam Boehler, qëndroi në Kosovë më 21 shtator së bashku me një delegacion të gjerë amerikan, pjesë e të cilit ishte edhe Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun paqësor mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Prishtinë, Boehler nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës përmes së cilës palët u zotuan se do të punojnë në rritjen e investimeve në sektorin privat për të përmirësuar ajrin, hekurudhën, infrastrukturën rrugore, energjinë, teknologjinë dhe turizmin.

Vizita e delegacionit amerikan në Kosovë dhe Serbi ndodhi vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes për normalizim ekonomik në Uashington.

Richard Grenell, më 21 shtator, tha në Prishtinë se vizita po ndodhte për të intensifikuar implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator, 2020.

Si pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, DFC-ja hapi zyrë rajonale në Beograd.

Kostoja e hekurudhës dhe autostradës

Lidhja hekurudhore si dhe ajo që u quajt “Autostrada e Paqes”, janë dy nga projektet më të rëndësishme të marrëveshjes së 4 shtatorit.

Këto dy projekte kanë një kosto të lartë për implementimin e tyre.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abarashi, më 26 shtator, 2020, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i linjës hekurudhore Prishtinë-Merdare kap shifrën prej 150 milionë eurove.

Distanca e kësaj linje hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë është rreth 45 kilometra.

Për dallim prej hekurudhës, autostrada ka kosto më të madhe. Sipas Qeverisë së Kosovës, për një distancë prej rreth 27 kilometrash nga Prishtina deri në Merdare, nevojiten rreth 240 milionë euro investim.

Çka nënkupton marrëveshja e Uashingtonit?

Në diskutimet që patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia u pajtuan që t’i zbatojnë marrëveshjet për lidhjen hekurudhore dhe autostradën të nënshkruara më 14 shkurt, 2020 në Berlin me ndërmjetësim të asokohe ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Pikë e rëndësishme e marrëveshjes së 4 shtatorit, 2020 është po ashtu zotimi i Kosovës që të bëhet pjesë e mini-Shengenit ballkanik.

Në Shtëpinë e Bardhë, të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, u pajtuan që të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Në dokumentet e nënshkruara Kosova dhe Serbia, po ashtu, u pajtuan që të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të siguruara nga shitës të pabesueshëm.

Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë edhe pika të fushave të tjera joekonomike.

Çfarë është DFC-ja?

Korporata Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar e SHBA-së (DFC), u themelua në dhjetor të vitit 2019.

DFC-ja lehtëson investimet e sektorit privat për të mbështetur zhvillimin global si dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. DFC-ja punon ngushtë me Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim (USAID), Bankën Eksport-Import (EXIM) si dhe agjenci të tjera qeveritare.

Në fokus të DFC-së është bashkëpunimi me partnerë nga sektori privat duke investuar në sektorë të ndryshme përfshirë energjinë, shëndetësinë, përmirësimin e infrastrukturës dhe në teknologji.

DFC-ja, po ashtu, ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse në mënyrë që të krijohen vende pune me tregjet në zhvillim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG