Ndërlidhjet

Rezultatet paraprake: Garë e ngushtë në Mal të Zi


Mbështetësit e opozitës duke festuar në rrugët e Podgoricës pas shpalljes së rezultatit preliminar të zgjedhjeve.
Mbështetësit e opozitës duke festuar në rrugët e Podgoricës pas shpalljes së rezultatit preliminar të zgjedhjeve.

Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar "Për ardhmërinë e Malit të Zi" 32,63 për qind të votave.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E zeza në të bardhë”, 5.55, Socialdemokratët 4.08, Partia e Boshnjakëve 3.81, Partia Social-Demokrate 3.13, Lista Shqiptare 1.61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1.15.

Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun.

Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor i këtij vendi, Millo Gjukanoviq, përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje.

Shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Gjukanoviq: Do t’i pranojmë rezultatet zgjedhore, por e presim atë përfundimtar

Rreth katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, Gjukanoviq iu drejtua mbështetësve në Podgoricë, duke thënë se partia e tij do t’i pranojë rezultatet zgjedhore, porse do të presë rezultatin përfundimtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Millo Gjukanoviq pas shpalljes së rezultateve preliminare
Millo Gjukanoviq pas shpalljes së rezultateve preliminare

Dallimi midis dy forcave që kanë marrë vendet e para në zgjedhje është aq i vogël, saqë një votë në përbërjen e ardhshme parlamentare mund të sjellë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

“Do të presim të shohim se kush do ta ketë atë votën e 41-të”, tha Gjukanoviq, për të shtuar se partia e tij do të mbetet luftëtare e palëkundur për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E zeza në të bardhë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.

Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.

Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.

Përbërja e parlamentit të ri në Malin e Zi
Përbërja e parlamentit të ri në Malin e Zi

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t (Qendra për Monitorim), Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.

OSBE: Partia në pushtet me "përparësi të padrejtë" gjatë fushatës

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka vlerësuar se partia qeverisëse në Mal të Zi kishte një "përparësi të padrejtë" në fushatën zgjedhore. Një ditë pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare, OSBE vlerësoi se zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të polarizuar.

"Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ishin konkurruese dhe u mbajtën në një mjedis që ishte polarizues në lidhje me çështjen e kishës dhe identitetit kombëtar. Pjesëmarrësit ishin në gjendje të përcjellin mesazhe, por partia në pushtet fitoi një përparësi të padrejtë përmes përdorimit të burimeve zyrtare dhe shtetërore dhe mbulimit mediatik mbizotërues", thuhet në vlerësimin gjithëpërfshirës të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), e cila është pjesë e OSBE-së.

BE-ja pa qëndrim rreth zgjedhjeve në Malin e Zi

Bashkimi Evropian beson se Mali i Zi do të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane, por në këtë moment nuk dëshiron t'i komentojë rezultatet e zgjedhjeve të zhvilluara të dielën.

Zëdhënësi i Komisionit Evropain për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se Bashkimi Evropian do të dalë me qëndrim rreth zgjedhjeve pasi të publikohet raporti i vëzhguesve të ODIHR-it.

Ai ka thënë se është praktikë e institucioneve të BE-së që të mos komentojnë zgjedhjet derisa ODHIR të mos përpilojë raportin për procesin zgjedhor.

“Mali i Zi është një partner i rëndësishëm në procesin e zgjerimit. Ne kemi ndjekur procesin e tërë zgjedhor dhe pozicionin tonë do e bazojmë në raportin e ODHIR-it”, ka thënë ky zëdhënës i Komisionit Evropian.

Mali i Zi për momentin është shteti më i avancuar i rajonit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ka pasur shqetësime se, në rast të ndryshimeve të brendshme në Mal të Zi, mund të ketë rrezikim të rrugës evropiane të këtij shteti i cili tashmë është bërë edhe anëtar i NATO-s.

Por, në Bruksel në këtë moment nuk duan të komentojnë rreth kësaj çështjeje sepse duhet të presin jo vetëm konfirmimin e rezultateve dhe raportin e ODHIR-it, por edhe procesin e krijimit të qeverisë.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.

Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.

Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.

Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.

Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.

Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.

“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.

Garuesit

Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, ka garuar në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.

DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.

Nga partitë e pushtetit aktual, në garë ishin edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.

Opozita, ndërkaq, ka garuar me tri koalicione dhe një parti.

Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, ka garuar brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq - një figurë jopartiake.

Lart në listë zgjedhore ishte edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.

Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.

Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit - i cili është shqiptar - me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.

Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila ka garuar në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.

Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.

Fushata

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.

Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.

Podgoricë
Podgoricë

Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.

Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.

Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.

Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.

Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore - përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë - kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.

Mali i Zi: Ligji për fenë në garën zgjedhore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtyllë e fushatës.

Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.

Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.

Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.

Zgjedhjet paraprake

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë - mbi 73 për qind - të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.

Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.

Video: Arrestimet në Mal të Zi, 16 tetor, 2016.

Arrestimi i 20 personave nga Serbia në Mal të Zi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:38 0:00

Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.

Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.

Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.

Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG