Më 30 gusht, në Mal të Zi do të mbahen zgjedhjet parlamentare, të njëmbëdhjetat me radhë që nga futja e këtij vendi në sistemin shumëpartiak, si dhe të pestat me radhë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 garojnë gjashtë koalicione dhe pesë parti politike. Zgjedhjet po mbahen në kohën kur janë shtuar tensionet ndërmjet shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe, për shkak të miratimit të Ligjit për Liritë Fetare, ligj të cilin e kundërshton kisha.
Procesi i zgjedhjeve po zhvillohet në rrethana të pazakonshme, të shkaktuara nga pandemia COVID-19, e cila është arsyeja pse janë vendosur një numër masash për të parandaluar përhapjen e infektimit.
Po ju sjellim pasqyrën e kandidatëve të zgjedhjeve të sivjetme parlamentare në Mal të Zi.
Vendosmërisht për Malin e Zi! DPS – Millo Gjukanoviq
Bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.
Kjo parti, nën udhëheqjen e presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tash e 30 vjet është në pushtet, në koalicion me partitë më të vogla qytetare dhe me partitë e vogla të pakicave. DPS (Partia Demokratike e Socialistëve) është themeluar në fillim të viteve ‘90 me transformimin e Lidhjes së Komunistëve.
Nga një parti e afërt me politikën e Sllobodan Millosheviqit, ajo e udhëhoqi ndarjen nga regjimi i Beogradit (1998), daljen nga bashkësia shtetërore me Serbinë dhe krijimin e Malit të Zi të pavarur (2006), anëtarësimin e Malit të Zi në NATO (2017). Në planin e brendshëm, DSP-ja e Gjukanoviqit, më së shpeshti është kritikuar për deficitet në sundimin e ligjit, për sundim partiak dhe korrupsion.
Për ardhmërinë e Malit të Zi – Fronti demokratik
Koalicionin e përbëjnë: Demokracia e Re Serbe, Lëvizja për Ndryshime, Partia Popullore Demokratike, Partia Socialiste Popullore, Mali i Zi i Vërtetë, Mali i Zi i Bashkuar, Partia Punëtore, Partia e Pensionistëve dhe Invalidëve të Bashkuar, Partia Komuniste e Jugosllavisë, Partia Radikale Serbe, Partia e Pensionistëve e Invalidëve dhe Drejtësisë Sociale.
Bartës i listës është personi jopartiak, profesori Zdravko Krivokapiq, i cili deri në këto zgjedhje ishte i panjohur për opinionin e gjerë.
Në koalicion dominojnë partitë që angazhohen për lidhje të forta me Serbinë, kryesisht me orientime pro-ruse dhe kundër NATO-s. Koalicioni e mbështet qëndrimin e Kishës Ortodokse Serbe lidhur me çështjen e Ligjit për Liritë Fetare. Në listën zgjedhore është Marko Milaçiq, i cili viteve të kaluara udhëhoqi fushatën kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamujt e NATO-s.
Kombi ynë është paqja – Alleksa Beçiq dhe Miodrag Llekiq
Koalicioni: Mali i Zi Demokratik, Demos, Partia e Pensionistëve, Invalidëve dhe Kthimit, Lëvizja qytetare “E majta e re”.
Mali i Zi Demokratik i Alleksa Beçiqit është formuar me ndarjen e Partisë Socialiste Popullore. Ndonëse në vitin 2016, kjo parti fitoi tetë mandate për deputetë, për katër vjet e ka bojkotuar kuvendin e shtetit. Ndërkaq, Demos e Miodrag Llekiqit është themeluar duke dalë nga Fronti Demokratik opozitar. Në vitin 2013, Llekiq ka qenë kandidat opozitar në zgjedhjet e atëhershme presidenciale, kur edhe humbi nga Fillip Vujanoviq. Në fillim të viteve ‘90, Llekiq ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi dhe më vonë, në kohën e pushtetit të Millosheviqit, ka qenë ambasador i shtetit të përbashkët.
E zeza mbi të bardhë – Dritan Abazoviq dhe Sërgjan Paviqeviq
Koalicioni: Lëvizja qytetare URA (ABR - Aksioni i Bashkuar i Reformës), Partia e së Drejtës dhe Pajtimit, Grupi i votuesve CIVIS dhe Intelektualët e Pavarur.
Bartës i listës është Dritan Abazoviq, një nga themeluesit e Lëvizjes qytetare URA, deputet dikurshëm i Pozitive-s, e cila ka humbur statusin parlamentar pas mbështetjes për Gjukanoviqin. URA është themeluar para pesë vjetësh. Listën e kanë mbështetur një numër intelektualësh që janë kundërshtarë të autoriteteve dhe janë të profileve të ndryshme ideologjike.
SDP – Mali i Zi i Fuqishëm! Draginja Vuksanoviq Stankoviq
Partia Socialdemokrate (SDP), të cilën për vite të tëra e ka udhëhequr Ranko Krivokapiq, deri para pesë vjetësh ka qenë në koalicion disavjeçar me DPS-në e Milo Gjukanoviqit.
Që nga fillimi i viteve ‘90, e themeluar si parti kundër luftës, SDP-ja ka luftuar për pavarësinë e Malit të Zi, për hyrje në NATO dhe Bashkim Evropian. Në vitin 2015, SDP-ja e ka braktisur pushtetin dhe që atëherë vepron si parti opozitare.
Social-demokratët: Ne vendosim me konsistencë, Ivan Brajoviq
Partia është formuar me ndarjen e SDP-së. Socialdemokratët ishin krah i SDP-së, e cila i ka mbetur besnike DPS-së së Gjukanoviqit, me të cilën e përbëjnë pushtetin aktual. Bartës i listës, Ivan Brajoviq, në këtë mandat ka kryer funksionin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.
Drejt – Partia Boshnjake – Rafet Husoviq
Partia nacionale e Boshnjakëve, tash e disa vjet e përbën koalicionin qeverisës. Në zgjedhjet e kaluara ka fituar dy vende për pozitën e deputetit. Në bazë të marrëveshjes me DPS-në, ajo ka një numër të rëndësishëm të funksioneve në ndërmarrjet publike malazeze.
Lista Shqiptare – Genci Nimanbegu, Nik Gjeloshaj
Bartësi i listës zgjedhore, Genci Nimanbegu, është nënkryetar aktual i Kuvendit të Malit të Zi, ndërkaq, Nik Gjeloshaj, aktualisht është kryetar i Komunës së Tuzit.
Koalicioni Shqiptar “Njëzëri”
Koalicioni: Partia Demokratike, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Lider i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve është Mehmet Zenka, ministër aktual për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi. Fatmir Xheka nga Lidhja Demokratike është drejtor i agjencisë turistike, "Ulqini".
Iniciativa Qytetare Kroate – Me gjithë zemër për Malin e Zi
Parti e pakicës kombëtare kroate, e cila vite më parë ishte anëtare e koalicionit qeverisës me një ulëse në kuvend dhe me një post të ministrit.
Partia Kroate e Reformës e Malit të Zi
Parti e re politike e pakicës kombëtare kroate në Mal të Zi, e cila për herë të parë merr pjesë në zgjedhje. Bartës i listës është Radovan Rade Mariq
*Për shkak të masave të vendosura gjatë pandemisë së COVID-19, të gjitha fotografitë janë marrë nga faqet zyrtare dhe profilet në rrjete sociale të kandidatëve për zgjedhje në Malin e Zi.