Ndërlidhjet

Dialogu, tema kryesore në takimin e Hotit me partnerët e koalicionit qeverisës


Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë tema kryesore, për të cilën kanë biseduar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me liderët e tri partive të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Kështu ka deklaruar lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas takimit të përbashkët me kryeministrin Hoti.

Ai ka theksuar që takim është diskutuar për temat aktuale dhe zhvillimet në vend, janë informuar nga kryeministri Hoti për gjendjen në Kosovë lidhur me pandeminë e koronavirusit, për pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe parapërgatitjet për vitin e ri shkollor.

Por, sipas tij, tema kryesore ishte dialogu me Serbinë. Siç ka theksuar ai, Kosova tashmë i ka disa ftesa në tavolinë dhe pritet të marrë pjesë në takimin në Uashington dhe në Bruksel.

“Ka qenë një shqetësim i përbashkët, por në fund edhe pajtim i përbashkët, që Kosova është e gatshme për të vazhduar dialogun. Pra, do të vazhdojë të marrë pjesë me agjendën dhe parime të qarta. U konfirmua edhe një herë që kompromiset që i ka bërë Kosova, me heqjen e taksës dhe reciprocitetet (ndaj Serbisë), si dhe të gjitha ato kërkesa për t’u rikthyer në dialog, janë bërë për njohje. Ne shkojmë në dialog për njohje”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se duhet të eliminohet shqetësimi që dialogu politik mund të rrëshqasë në nivel teknik dhe delegacioni i vendit që do ta përfaqësojë Kosovën në dialog, duhet të fokusohet vetëm në njohjen e ndërsjellë.

Ai ka theksuar që çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës, për të cilën tashmë ekzistojnë deklarata kundërthënëse nga partnerët e koalicionit, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk është biseduar fare. Për më shumë, ai ka theksuar se “është turpshme që në këtë kohë të diskutohet kjo temë”.

Siç ishte paralajmëruar, takimin me liderët e partive politike të koalicionit qeverisës, kryeministri Hoti e ka ftuar për t’i informuar ata për zhvillimet në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe pritjet për takimin në Uashington.

Ftesën për takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është paralajmëruar të mbahet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, e ka bërë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Siç është thënë, në këtë takim pritet që të diskutohet për përparimin e çështjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë si hap të parë drejt përparimit në procesin e paqes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG