Pikëpamjet e shprehura në koment nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e REL-it
Përderisa po duket që Rusia po luan lojën “prit dhe shiko”, kur bëhet fjalë për protestat pas zgjedhjeve në Bjellorusi, është e qartë që Bashkimi Evropian (BE), pak a shumë, është i bashkuar për të njëjtin qëllim.
Mantra, të cilën Brukseli po e përsëritë pas 19 gushtit dhe samitit të shefave të shteteve dhe qeverive, është “kujdes”.
Ndonëse kritikohet presidenti bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, të cilin opozita e akuzon për vjedhje në zgjedhjet e 9 gushtit, nuk ka pasur asnjë thirrje të hapur për dorëheqje.
Edhe pse BE-ja i ka përshkruar votimet si “as të lira dhe as të drejta”, nuk ka thirrje të qartë për zgjedhje të sërishme.
Në fund, ndonëse ka pasur shprehje të solidaritetit me demonstruesit e shumtë që kanë dalë nëpër rrugët e të gjithë Bjellorusisë, nuk ka indikacione që liderët e BE-së janë të gatshëm të nisen për në Minsk, në mënyrë që të provojnë që të ndërmjetësojnë.
Ekzistojnë disa arsye për këtë.
Së pari, është e qartë që ndikimi i BE-së në Bjellorusi është mjaft i kufizuar. Por, ekziston edhe frika e vërtetë se kjo mund ta shqetësojë shumë Rusinë, ndonëse ekzistojnë disa vende, sikurse tre shtetet baltike dhe Polonia, që janë të irrituara se pse vendet anëtare më të mëdha perëndimore po sillen me aq shumë respekt ndaj Moskës.
Ndërkaq, në këtë situatë është edhe fryma e revolucionit të euromaidanit në Ukrainë, nga viti 2013 deri në vitin 2014, kur BE-ja ishte lojtari kyç që nga fillimi, por nuk është se kishte shumë sukses të gjejë përgjigjen që ka qenë politikisht gjithnjë e qëndrueshme.
Kur bëhet fjalë për fuqinë, është e qartë që BE-ja në tërësi, nuk është se ka ndonjë shkop të madh, por as karota tepër të shijshme. Po, do të ketë sanksione, por sipas të gjitha gjasave, ato do të jenë goxha simbolike.
Sipas burimeve nga BE-ja, nuk do të ketë sanksione ekonomike sektoriale, por më me dëshirë do të shkohet drejt ndalimit të dhënies së vizave dhe ngrirjen e pasurisë të zyrtarëve të ndryshëm.
Gjatë sanksioneve që pasuan pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2010 në Bjellorusi, janë sanksionuar më shumë se 130 individë, ndër të cilët edhe presidenti Lukashenka.
Në këtë moment, nuk duket sikur BE-ja do të sanksionojë aq njerëz dhe madje është e mundur që Lukashenka nuk do të futet fare në listë, marrë parasysh që mjaft vende anëtare (të BE-së) më me dëshirë do t’i zvogëlonin sanksionet në javët e ardhshme.
Sidoqoftë, me siguri që masat do të kenë pak efekt në regjimin, njëjtë ashtu sikurse edhe para nëntë vjetësh.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, ka befasuar pas samitit duke paralajmëruar që ky komision do t’i japë Bjellorusisë 53 milionë euro, para të freskëta. Kjo nuk është ndonjë shumë e madhe, por megjithatë është domethënëse duke pasur parasysh që Bjellorusia për çdo vit merr nga Brukseli rreth 30 milionë euro.
Por, pas një kontrolli më të ngushtë, duket se duhet të bëhet shumë punë përpara se paratë të dërgohen me të vërtetë, përfshirë edhe mënyrën se si të sigurohet që paratë të mos përfundojnë duke u shfrytëzuar nga Lukashenka dhe aparati i tij.
Nga 53 milionë, 2 milionë do të shkojnë për mbështetje për viktimat e represionit, ndërkaq 1 milion për mediat e pavarura dhe shoqërinë civile. Pjesa tjetër e parave është dedikuar për “mbështetjen urgjente të luftës kundër koronavirusit” dhe do të orientohen në spitale ose për blerjen e pajisjeve mjekësore “me detajet se si saktësisht do të shpenzohen, të cilat duhet të përpunohen”, thekson presidentja e Komisionit Evropian.
E më pas, lajmërohet elefanti në dhomë –Rusia.
Shumë prej shteteve lindore, anëtare të BE-së, nuk kanë pasur përshtypjen që kryetari i Këshillit Evropian (Charles Michel) ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin, para samitit të BE-së dhe nuk ishte mjaft e qartë se a i janë ofruar garanci nga Moska se do të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë.
Megjithatë, pasi që presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kacelarja gjermane, Angela Merkel biseduan me Kremlinin, liderët e BE-së u pajtuan që nevojitet një kanal i komunikimit i Rusisë ndaj Bjellorusisë, ndonëse shumë prej atyre që gjendeshin në dhomë insistuan që asgjë nuk guxon të vendoset duke anashkaluar këdo qoftë në Minsk.
Këtu, liderët e BE-së kanë pranuar që kjo krizë, tash për tash, është më ndryshe se revolucioni në Ukrainë para disa vitesh.
BE-ja atëherë është dashur të përfshihet sepse ‘këmbëza shkrehëse’ për protestat e para ka qenë refuzimi i presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukovych që të pranojë marrëveshjen për asociim me BE-në.
Ministrat e punëve të jashtme dhe zyrtarë të tjerë të BE-së ishin të zënë që nga fillimi dhe fluturuan për në Ukrainë, në mënyrë që të arrinin ndonjë formë të marrëveshjes. Një gjë e tillë për Kievin, atëherë, ishte afërsisht sikur një zgjidhje ndërmjet integrimit më të afërt me Brukselin apo me Moskën.
Situata në Bjellorusi ka të bëjë me ndryshimin e regjimit dhe jo për ndryshime gjeopolitike –të paktën, tash për tash.
Prandaj, më me dëshirë vihet theksi në dialogun e brendshëm bjellorus dhe thirrjen për përfshirje të OSBE-së, se sa për çfarëdo lloji të ndërmjetësimit nga BE-ja.
Pritet që Brukseli të shkojë vetëm deri në atë pikë. Të paktën, tash për tash.