Ndërlidhjet

Trajtimi i COVID-19 në komunat serbe: Heshtin spitalet, por edhe qytetarët


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Gazetarët të cilët raportojnë nga mjediset serbe në Kosovë, gjithnjë e më vështirë po ia dalin që të marrin informata në lidhje me situatën në shëndetësi në këtë pjesë të vendit.

Zorica Vorguçiq, gazetarja e RTV KIM nga Çagllavica, ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë (REL) se prestarët e bashkësisë serbe në Kosovë, refuzojnë të flasin për probleme sepse frikësohen nga pasojat. Pasojat kryesore kanë të bëjnë me mundësinë e humbjes së vendit të punës, meqë shumica e tyre janë të punësuar në institucionet serbe, përkatësisht në shëndetësi dhe arsim.

Vorguçiq pohon se ka raste kur vendasit e Komunës së Graçanicës, shpesh lajmërohen vet duke kërkuar që të hulumtohet ndonjë çështje e rëndësishme, por se ata nuk janë të gatshëm që të dëshmojnë rreth çështjes në fjalë.

"Janë lajmëruar dy pacientë: njeri tek i cili është konfirmuar virusi dhe tjetri, të cilin e kanë refuzuar për testim. Mirëpo ata refuzuan që t’iu publikohet identiteti. Këto dy raste nuk përfaqësojnë ndonjë përjashtim sepse ka shumë raste të këtilla. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk ka kushte në institucione shëndetësore, por nuk e di përse kjo gjë po mbahet sekret”, deklaroi Zorica Vorguçiq.

Ajo pohon se gazetarët nga Graçanica nuk kanë mundur të marrin asnjë informatë nga organet kompetente shëndetësore, deri sa nuk ka reaguar një grup i përfaqësuesve të mediave si dhe nga sektori civil. Vetëm pas këtyre reagimeve, sipas Vorguçiq, janë mbajtur gjithsej dy konferenca për shtyp të shtabit të krizës dhe përfaqësuesve të spitalit të Graçanicës.

“Tani ne marrim komunikata nga të cilat nuk mund të gjejmë përgjigje në lidhje me procesin e shërimit dhe situatës reale”, deklaroi Vorguçiq.

Drejtori nuk i përgjigjet thirrjeve

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Niçiq gjithashtu konfirmon se problemi kryesor i gazetarëve serbë është se nuk kanë qasje tek zyrtarët e Qendrës spitalore në Graçanicë.

"Ata janë krejtësisht të mbyllur për gazetarët, konkretisht drejtori i kësaj Qendre spitalore, Bratislav Laziq, i cili duket se është i vetmi person i autorizuar që të bisedojë me gazetarët. Kur ne i pyesim mjekët tjerë në institucionet shëndetësore, ata na thonë se nuk mund të flasin pa pëlqimin e drejtorit Laziq”, pohon Niciq.

Drejtori Bratislav Laziq nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të REL-it, përkundër tentimeve të shumta.

Duke u bazuar në informata jozyrtare, Budimir Niçiq thotë se situata në institucionet shëndetësore në këtë pjesë të Kosovës është alarmante; se nuk ka teste dhe nuk ka mjek e as mjete esenciale për punë.

Jemi në një lëmsh: në njërën anë mjekët na tregojnë një version, por nuk guxojnë të flasin publikisht, ndërsa vjen Laziq dhe të gjitha këto i demanton”, thekson Budimir Niçiq.

Ai shpjegon se bëhet fjalë për komunitet të vogël dhe lehtë mund të zbulohet identiteti i burimeve, sidomos nëse ata në media prezantohen përmes inicialeve.

Ku bëhen testet dhe ku shkojnë mostrat?

Aleksandar Antonijeviq, specialisti i epidemiologjisë në Qendrën për shëndetin publik në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë, ka deklaruar më herët për REL se Graçanica dërgon mesatarisht dhjetë mostra në ditë dhe se kjo është e “e mjaftueshme”.

Ndryshe, në Kosovë funksionon sistemi shëndetësor kosovar dhe ai serb, ndërsa qytetarët serbë mund të zgjedhin se ku dëshirojnë të dorëzojnë mostrën për testim për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Qendra klinike spitalore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, andaj mostrat e mbledhura i dërgon në laboratorët në Serbi.

Ndërkohë, spitalet rajonale të cilat funksionojnë në kuadër të sistemit të Kosovës, mostrat i dërgojnë në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë.

Ana Brnabiq, kryeministrja e Serbisë, ka deklaruar më 5 gusht se në Kosovë ka aparaturë të mjaftueshme mjekësore dhe se mjekët nga Serbia janë në dispozicion që të shkojnë në Kosovë, nëse është e nevojshme. Ajo gjithashtu ka paralajmëruar si prioritet hapjen e laboratorit ne Mitrovicën e Veriut, në mënyrë që të përshpejtohet dhe shumëfishohet procesi i testimit.

Drejtori i Spitalit në Pasjan demanton informacionet për mungesë të ilaçeve dhe mjeteve

Jovan Simiq, gazetar i RTV Puls nga Shillova e Gjilanit, thotë se në spitalin e përgjithshëm në Pasjan nuk ka mjete, ilaçe e as shiringa.

Ndërkohë, këtë e demanton drejtori i spitalit, Zoran Periq.

“Oksigjen kemi për një vit, kemi mjaft ilaçe për COVID-19. Përqindja e shërimeve është e madhe”, thotë Periq.

Mirëpo gazetari Simiq e tregon një pasqyrë krejt ndryshe të situatës:

"Për incizimin e mushkërive duhet të shkohet në klinika private. Krejt këto (shërimi) kushtojnë mesatarisht 250-300 euro”, pohon Simiq i cili edhe vet është i infektuar me koronavirus dhe gjendet në vetizolim.

Ky gazetar shpjegon se si në Anamoravë jetojnë rreth 30,000 serbë, ndërsa maksimumi që mund të testohet, janë gjashtë persona.

“Nëse një familje e tërë i ka të gjitha simptomat (e COVID-19), ata do e testojnë vetëm një person. Andaj asnjëherë nuk mund të dimë pasqyrën reale rreth numrit të të infektuarve. Kjo në të vërtet nënkupton se ka shumë më shumë të infektuar në krahasim me atë që thuhet”, deklaroi Jovan Simiq, nga RTV Puls.

Se qytetarët refuzojnë të flasin publikisht, këtë e konfirmon edhe Darko Dimitrijeviq, gazetar nga Graçanica.

“Frika është shprehja më e mirë e cila përshkruan refuzimin e konfirmimeve nga burimet zyrtare, të cilat as nuk janë tipike, as nuk janë të natyrshme për situatën në të cilën gjendemi”, nënvizon Dimitrijeviq.

Ivan Vuçkoviq, gazetar shumëvjeçar i Radio Televizionit të Kosovës nga Leposaviqi, tërheqë vërejtjen se është vështirë që të kryhet puna e gazetarit në veriun e Kosovës sepse qytetarët, sipas tij, refuzojnë të flasin kur situata është e tensionuar.

"Nëse nisim ndonjë temë politikë apo ngrisim çështjen e përgjegjësive, këtu përfundon tregimi. Ka frikë. Këtë e kemi vërejtur edhe më herët duke kryer punën tonë. Ata konsiderojnë se ky është territor i rrezikshëm dhe mund t’i shkaktojnë vetes probleme”, pohon Vuçkoviq.

Sipas informatave të fundit, në mjediset serbe në Kosovë, nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë regjistruar 899 raste me koronavirus. Prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur, ndërkaq raste aktive janë 474.

Kurse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) të hënën ka regjistruar në Kosovë 172 raste të reja me koronavirusin e ri, pas marrjes së 506 mostrave. Përgjatë 24 orëve, me këtë virus kanë vdekur 14 persona, duke e çuar numrin total të viktimave në 341.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG