Deputetët e Kuvendit të Kosovës, së shpejti mund ta kenë para vetes për shqyrtim dhe votim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Qeveria e Kosovës, më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerës e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.
Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion.
Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fillimisht në prill të vitit 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.
Por, sipas zyrtarëve të PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur, për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, gjatë vitit 2019.
PDK-ja e hapur për sugjerime, LVV-ja me shumë vërejtje
Më 30 prill 2020, Partia Demokratike e Kosovës, sërish i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të njëjtin projektligj, pa ndonjë ndryshim në përmbajtje, kanë konfirmuar zyrtarët e kësaj partie.
Propozimin, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës e ka bërë deputeti Gazmend Bytyqi.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai Bytyqi thotë që është optimist që deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht dallimeve partiake, do ta votojnë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, sepse kjo do ta plotësonte tërësisht kornizën ligjore që ka të bëjë me vlerat e luftës.
“Prandaj presim, që këtu më së paku, të gjitha partitë politike apo deputetët të tentojnë të bëjnë lojën e pushtetit dhe opozitës dhe që të bëjnë politikë të ngushtë partiake. Por, presim që të gjithë do ta mbështesin. Do të jemi shumë të hapur, unë dhe Grupi Parlamentar i PDK-së që ta plotësojmë apo të marrim sugjerimet dhe këshillat, por edhe vërejtjet jo vetëm nga të gjitha grupet tjera parlamentare, por ne kemi takuar edhe të gjitha shoqatat e dala nga lufta dhe presim që të kemi edhe propozimet e tyre, në mënyrë që ky ligj të jetë sa me më përmbajtje dhe që ta mbrojë apo vlerësojë sa më mirë luftën e shenjtë të UÇK-së”, tha Bytyqi.
Por, Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se Projektligji i iniciuar nga PDK-ja për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, nuk e ka përmbajtjen e duhur në përputhje me temën që trajton.
Vërejtjet lidhur me këtë projektligj, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i kishte shprehur edhe kur ishte iniciuar për herë të parë, në vitin 2018 dhe do t’i shprehë sërish. Sipas tij vërejtjet nuk do të jenë të pakta, por kjo nuk nënkupton që Lëvizja Vetëvendosje kundërshton miratimin e një Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Ai thotë që vërejtje të shumta, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur edhe për Ligjin për veteranët e luftës së UÇK-së, të cilat kundërshtarët politikë i kishin cilësuar si kundërshtim të ligjit. Por, siç thotë ai, vërejtjet ishin shtruar për ta bërë ligjin më të mirë, gjë që nuk ndodhi dhe sipas tij, pasojat tashmë janë të dukshme.
“Nuk do të duhej ta bënim të njëjtën gjë edhe me Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së, thjeshtë për ta përmbushur një hapësirë të mbetur bosh me diçka që nuk është adekuate. Nëse është hapësirë e mbetur bosh, ligji, pra, mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së, atëherë do të duhej që këtë hapësirë ta përmbushnim me një ligj adekuat, me një ligj që e trajton me shumë dinjitet vlerën e UÇK-së. Ne nuk kemi pse të jemi kundër, por as pse ta pranojmë ‘blanco’. Ne aty jemi për t’i dhënë mendimet tona, për t’i dhënë vërejtjet tona. Vërejtje kemi të mjaftueshme. Në përputhje me përfshirjen e vërejtjeve tona, atëherë do ta përfaqësojmë edhe votën për këtë projektligj ose jo. Sido që të jetë, nëse nuk do të ketë ndryshim ky ligj, siç është tash për tash, nuk ia vlen sa të përkrahet”, theksoi Selimi.
Haradinaj: Më mirë çfarëdo ligji sesa fare
Ndërkaq, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shohin si prolongim të panevojshëm deri më tash miratimin e një Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të UÇK-së. Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgjatë mandateve të tri qeverive të fundit, është tentuar që projektligji të procedohet për miratim në Kuvend, por kjo nuk ka ndodhur.
Sipas tij, nxjerrja e një ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është vonuar për shkak të, siç thotë ai, “tekeve të partive politike”.
Tashmë sipas tij, pavarësisht vërejtjeve që mund t’i kenë për projektligjin e tanishëm, siç thotë ai, më mirë është të ketë një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, sesa fare.
“Tash, më vjen mirë që më në fund paskan bërë diçka. Por, me duket se u desh edhe insistimi i Ambasadës amerikane që është këtu, sepse në takimin që ka pasur kryetari ynë (Hysni Gucati), ambasadori (Philip Kosnett) i ka premtuar që do të ndihmojë që ky ligj sa më shpejt të aprovohet. Nëse aprovohet ligji, si çdo ligj ai është i mirë, derisa nuk del një ligj tjetër që plotësohet, me amendamente dhe të tjera. Por, me rëndësi është që të paktën të kemi një ligj, sepse deri më sot nuk kemi pasur dhe njerëzit nuk kanë pasur respekt për këto vlera të luftës dhe nuk kanë ditur që kanë edhe obligime ndaj këtyre vlerave. Është shumë mirë që po bëhet dhe është keq që është vonuar. Keq edhe turp për ata që deri më sot e kanë vonuar”, tha Haradinaj.
Së fundmi, më 9 korrik, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar edhe një rezolutë “në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”, ku është thënë që Kuvendi i Kosovës “e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës”.