Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, pa rishikim të buxhetit i cili tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Në Pakon Emergjente Fiskale – e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh –ndër të tjera është paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit, të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj (prill dhe maj). Deri më tani, është arritur të bëhët pagesa vetëm për një muaj.
Nga Pakoja fiskale deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro. Në dispozicion Kosova i ka rreth vetëm 1.5 milion euro për të disbursuar.
Ndërkohë, Bajrami ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për kredi, të arritura nga Qeveria e Kosovës, pasi këto marrëveshje ndihmojnë buxhetin e Kosovës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshinë pesë marrëveshje kredie në vlerë prej 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë prej 61 milionë euro.
Bajrami: Shumë biznese u goditën nga pandemia
Radio Evropa e Lirë: Znj. Bajrami, si paraqitet gjendja aktuale ekonomike në Kosovë, duke marrë parasysh ndikimet që ka pasur pandemia e koronavirusit?
Hykmete Bajrami: T'ju them të drejtën me relaksimin e masave filloi të bëhet një ringjallje e sektorit privat. Gjendja nuk mund të themi se është e mirë, është më e mirë se para disa javësh kur kishim komplet një mbyllje. Mirëpo, nuk është e mirë, sepse shumë biznese, sidomos bizneset e vogla janë goditur nga pandemia. Kemi një numër të qytetarëve të cilët, ne po shpresojmë se përkohësisht i kanë humbur vendet e tyre të punës.
Me instrumente të ndryshme qeveritare po mundohemi t'ju dalim në ndihmë. Por, edhe për shkak të zhvillimeve politike që patëm dhe mungesës së rishikimit të buxhetit nuk është se po mundemi si qeveri të përfundojmë obligimin tonë ndaj qytetarëve. Kemi një rënie të performancës në të gjitha institucionet. Meqenëse kemi rëndim të sektorit privat, kjo ka reflektuar edhe në të hyrat e rregullta të buxhetit të Kosovës.
Po presim që shumë shpejtë në Kuvendin e Kosovës të organizohen komisionet dhe seanca, që të fusim në ekonomi një shumë të konsiderueshme të parave përmes zbatimit të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike dhe zbatimin e të gjitha masave që i ka lansuar qeveria paraprake.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi tek qeveria e kaluar, zonja Bajrami, kishte filluar zbatimi i Pakos Emergjente Fiskale, ku ka mbetur ky proces, sa keni arritur të vazhdoni zbatimin?
Hykmete Bajrami: Tani masat e Pakos Emergjente Fiskale janë pjesë integrale e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Kostoja e saj në fillim është parashikuar të jetë 160 milionë euro. Kjo kosto sa vjen e rritet për shkak të numrit të madh të aplikacioneve. Ne në Ministrinë e Financave, sipas llogaritjeve që kemi, kostoja e Pakos Emergjente mund të shkojë deri në 180 milionë euro. Por, mund të kalojë edhe këtë shumë.
Prej kohës së lansimit e deri më tani janë disbursuar 80 milionë euro. Kemi arritur në limitet e shpenzimit të buxhetit që nënkupton, kemi mjaft pak mjete për të ekzekutuar edhe disa vendime të komisioneve ndërministrore. Nëse nuk bëhet rishikimi i buxhetit të Kosovës, ne nuk mund të ekzekutojmë kërkesa.
Kanë përfunduar të gjitha aplikacionet, sidomos këto masat që kanë të bëjnë me mbështetjen e sektorit privat. Në momentin kur bëhet rishikimi i buxhetit, mendoj se Thesari i Kosovës, do të punojë në mënyrë intensive në disbursimin e të gjitha aplikacioneve për pagesa që janë pranuar.
Ndërkohë që, Komisioni Ndërministror, të mërkurën ka përfunduar punën, ka dorëzuar një raport përfundimtar. Janë mijëra aplikacione për secilin sektor që janë refuzuar për shkaqe të ndryshme. Ata janë duke punuar intensivisht që t'i përgjigjet secilit qytetar, aplikacioni i të cilit është refuzuar, në mënyrë decidive me arsyetimin pse një aplikacion i tillë është refuzuar. Numri i përfitueseve nga aplikacionet e sektorit privat ka arritur në rreth 186 mijë.
Punëtorët do të marrin mjetet pas rishikimit të buxhetit
Radio Evropa e Lirë: Ka shumë ankesa nga punëtorët e sektorit privat se nuk kanë marrë mjetet e premtuara. Për sa muaj janë dhënë mjetet e ndara nga Pako Emergjente Fiskale, për punëtorët të cilët nuk kanë punuar në kohën e masave të izolimit?
Hykmete Bajrami: Kostoja e pakos është 180 milionë euro, deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro. Ne në dispozicion kemi rreth 1.5 milion euro për të disbursuar dhe po presim vendimet nga Ministria e Ekonomisë në kuadër të së cilës tashmë është Departamenti i Ndërmarrësisë.
Arsyeja pse deri më tani qytetarët nuk i kanë marrë mjetet është në mungesë të rishikimit të buxhetit. Deri më tani këto 50 milionë euro janë marrë nga organizata dhe zëra të ndryshme buxhetore dhe janë vendosur në shërbim të sektorit privat. Tani me buxhet të rishikuar kemi krijuar Fondin për rimëkëmbje ekonomike, në kuadër të së cilit janë edhe mjetet për zbatimin e masave emergjente.
Në momentin kur ne miratojmë rishikimin e buxhetit ne do të mund të disbursojmë të gjitha këto mjete. Ka qytetarë që kanë marrë mjetet për pagesën e parë, kurse pagesat e dyta po presim nga rishikimi I buxhetit. Nuk kemi mjaftueshëm buxhet për të bërë pagesat e dyta. Përndryshe, të gjithë ata që kanë marrë pagesën e parë, pagesa e dytë bëhet në mënyrë automatike sepse nënkupton se aplikacioni i tyre është pranuar dhe verifikuar.
Por, kjo nuk po varet më nga Qeveria e Kosovës, ka dhjetë ditë që buxhetin e rishikuar e kemi dërguar në Kuvend. Po, shpresoj shumë që Kryesia e Kuvendit do të vendosë shpejtë të thërras një seancë, sepse situata nuk është e mirë dhe qytetarët po presin që t'i marrin këto mjete.
Radio Evropa e Lirë: Janë disa marrëveshje ndërkombëtare për kredi, por që ende nuk janë votuar në Kuvendin e Kosovës. Ku qëndron problemi?
Hykmete Bajrami: Në fakt ne kemi një numër të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në Kuvendin e Kosovës, por nuk arritën që të marrin 2/3 e votave. Secila marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Tani unë shpresoj shumë se në seancën e radhës këto do të trajtohen me prioritet. Në pritje për ratifikim në Kuvendin e Kosovës janë marrëveshjet që kapin shumën prej 60.2 milionë euro. Por, kemi edhe një numër të marrëveshjeve ndërkombëtare, huave që jemi duke i negociuar dhe duke nënshkruar, dhe sipas procedurave të gjitha janë duke u përcjellë në Kuvend.
Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare janë të domosdoshme edhe votat e opozitës, sepse nevojitën 2/3 e deputetëve.
Ka qenë praktikë në Kuvendin e Kosovës, që marrëveshjet ndërkombëtare, meqenëse secila prej tyre kalon në hapa dhe procedura tepër të detajuara dhe secila prej tyre është në interes të qytetarëve të Kosovës, historikisht janë mbështetur edhe nga opozita. Unë sinqerisht shpresoj se këto marrëveshje do të mbështetën në seancën e radhës.
Por, edhe në seancat tjera marrëveshjet për huamarrje që jemi duke negociuar dhe plotësojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, sepse gjatë këtij viti do të hyjmë në borxhe të mëdha për të plotësuar të gjitha vrimat e krijuara në buxhet më rastin e pandemisë.