Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një projektligj si përgjigje ndaj ligjit të ri për siguri kombëtare për Hong Kongun, që bën thirrje për sanksionim të grupeve që dëmtojnë autonominë e Hong Kongut, apo kufizojnë liritë e premtuara të qytetarëve.
Projektligji, që është miratuar në mënyrë unanime më 1 korrik, do të penalizojë bankat që kryejnë biznese me zyrtarët kinezë që kanë miratuar ligjin e ri.
Ky dokument shënjestron edhe zyrtarë të Partisë Komuniste Kineze, që janë përgjegjës për zbatim të ligjit, si dhe njësitet policore që kanë shtypur protestat në Hong Kong.
Kjo masë mund të diskutohet në Senat nga 2 korriku.
Senati ka miratuar projektligj të ngjashëm javën e kaluar, mirëpo dokumenti i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve duhet të kalojë përmes tij, përpara se të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i ka bërë thirrje institucionit që ajo drejton që të votojë “për një përgjigje të domosdoshme ndaj miratimit të qeverisë frikacake kineze të të ashtuquajturit ligj ‘për sigurinë kombëtare’, i cili kërcënon që t’i japë fund organizimit ‘një shtet, dy sisteme’, të premtuar 23 vjet më parë”.
Pelosi e ka cilësuar dokumentin kinez si “ligj të tmerrshëm”, duke shtuar se synon të “shpërbëjë liritë demokratike në Hong Kong”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se miratimi i ligjit ka qenë “shkelje serioze dhe e qartë” e deklaratës së vitit 1985.
Sipas kësaj deklarate, Hong Kongu i është dorëzuar Kinës më 1997, me disa liri të garantuara për të paktën 50 vjet.
Mbretëria e Bashkuar u ka ofruar lejeqëndrim, dhe më vonë edhe shtetësi, rreth 3 milionë banorëve të Hong Kongut.
Mirëpo, Kina është kërcënuar të enjten për bllokim të planit për ofrim të shtetësisë.
“Nëse britanikët bëjnë ndryshime të njëanshme, kjo do të ndikojë në shkelje të pozicionit të saj, të ligjit ndërkombëtar dhe normave bazike”, ka thënë ambasada kineze në Britani.
Kina ka thënë se miratimi i këtij ligji ka qenë i domosdoshëm për të shtypur protestat që janë parë në pjesën më të madhe të 2019-s.
Pavarësisht kritikave të perëndimit, më shumë se 50 shtete, të udhëhequra nga Kuba, e kanë përkrahur Kinën në Kombet e Bashkuara këtë javë.
Arrestimet e para nën ligjin e ri
Më 1 korrik është shënuar 23-vjetori i dorëzimit të Hong Kongut te Kina nga ana e Britanisë, sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, i cili garanton liri më të mëdha në këtë qytet sesa në pjesën tjetër të territorit kinez.
Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kanë bërë thirrje për veprim të ashpër pas miratimit të ligjit për sigurinë, në të cilin gjenden edhe ndëshkime me burgim të përjetshëm.
Vetëm disa orë pas nisjes së zbatimit të ligjit, policia ka kryer arrestimet e para, duke ndaluar një burrë që ka qenë duke mbajtur një flamur dhe duke kërkuar pavarësi të Hong Kongut.
Zyrtarët policorë kanë përdorur edhe topa uji dhe sprej piperi kundër mijëra protestuesve që kanë shënuar përfundimin e rregullit britanik.
Policia e Hong Kongut ka thënë se ka arrestuar më shumë se 70 persona për shkelje të ndryshme, duke përfshirë tubimet joligjore e deri te shkelja e ligjit të ri.
Kina ka thënë se do të vendosë kufizime në viza për amerikanët që beson se janë të përfshirë në çështjen e Hong Kongut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka dënuar kërcënimin për kufizimet në viza.
Ai ka qenë tejet kritik ndaj ligjit të ri për sigurinë, duke thënë përmes një deklarate më 30 qershor se ai “shkatërron autonominë e territorit dhe një prej arritjeve më të mëdha të Kinës”.
Paranoja e Pekinit dhe frika nga aspiratat e popullit të vet kanë rezultuar me evitim të themeleve të suksesit të këtij territori, ka thënë mes tjerash Pompeo.