Hong Kongu po vazhdon të përballet me protesta antiqeveritare. Raportohet për përleshje mes protestuesve dhe policisë në Universitetin Kinez të Hong Kongut.
Policia ka gjuajtur gaz lotsjellës dhe plumba gome ndërsa protestuesit hodhën bomba benzine në drejtim të policisë.
Përleshje kishte edhe në pjesë tjera të qytetit.
Byroja e Arsimit ka njoftuar se të gjitha shkollat do të pezullojnë mësimet ditën e enjte për arsye sigurie.
Një seancë në parlamentin e qytetit, i njohur si Këshilli Legjislativ, u ndërpre pak kohë pasi politikanët e opozitës morën në pyetje shefin e sigurisë lidhur me brutalitetin e dyshuar të policisë.
Përshkallëzimi i dhunës në Hong Kong u rikthye pas vdekjes së një studenti 22 vjeçar, gjatë një operacioni të policisë një javë më parë.
Hong Kongu është pjesë e Kinës, por si ish-koloni britanike gëzon një autonomi të gjerë, dhe njerëzit kanë më shumë të drejta sesa në pjesë tjera të Kinës.
Protestat filluan në qershor kundër planeve për të lejuar ekstradimin në territorin e Kinës.
Projekt-ligji u tërhoq në shtator, por demonstratat vazhduan dhe tani protestuesit bëjnë thirrje për më shumë demokraci, dhe një hetim mbi sjelljen e policisë.
Përplasjet midis policisë dhe aktivistëve janë bërë gjithnjë e më të dhunshme.