Bordi drejtues i Agjencisë së Inteligjencës së Bashkimit Evropian, EUROPOL, miratoi marrëveshjen e punës me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë, njoftoi të premten Ministria e Brendshme e Kroacisë - vendit që aktualisht kryeson Këshillin e BE-së.
Vendimi u mor në seancën e 115-të të këtij bordi, që u mbajt në format të video-konferencës më 9 dhe 10 qershor.
Bëhet e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet nga drejtorja ekzekutive e EUROPOL-it dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës.
Marrëveshja, e miratuar nga bordi drejtues, parashikon bashkëpunim midis EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe njësive për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas njoftimit, me këtë marrëveshje, Kosovës “i jepen mundësi të reja në bashkëpunimin ndërkombëtar policor”.
Kosova, deri më tani, ka qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.
Bazuar në këtë marrëveshje pune, e cila do të hyjë në fuqi në ditën e nënshkrimit, Kosova do të krijojë një zyrë qendrore për bashkëpunim me EUROPOL-in dhe do të fitojë qasjen në kanalin e komunikimit të EUROPOL-it, si dhe mundësinë e dërgimit të oficerëve ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Përveç bashkëpunimit me EUROPOL-in, “Kosova, në këtë mënyrë do të ketë edhe një formë të re dhe më aktive të bashkëpunimit me të gjitha vendet e BE-së”, thuhet në deklaratë.
Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por që kanë oficerë ndërlidhës në EUROPOL.
Ministria e Brendshme kroate tha se marrëveshja me Kosovën “është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit me partnerët në Evropën Juglindore, në përgjigje të sfidave të sigurisë dhe promovimit të vlerave evropiane”.
Rruga e pasuksesshme e Kosovës drejt INTERPOL-it
Kosova, qysh në vitin 2010, ka bërë disa përpjekje për t’u anëtarësuar edhe në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, por është penguar nga Serbia, e cila ka bërë fushatë kundër Kosovës.
Herën e fundit, në nëntor të vitit 2018, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, për t’u bërë anëtare e këtij mekanizmi.
Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e atëhershme e Kosovës e ka tërhequr kërkesën për anëtarësim, duke e shtyrë për këtë vit.