Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka biseduar me shefin e delegacionit kinez në Interpol, Daki Duan, lidhur me argumentet e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, njoftoi ministria serbe.
Ministri Stefanoviq po qëndron në Kili, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, nga 15 deri më 18 tetor.
Ai i tha delegacionit kinez, se pranimi eventual i Kosovës do të çojë në një ndarje të thellë të organizatës ndërkombëtare të policisë, dhe rrezikon luftën e ardhshme kundër krimit në botë.
"Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës, do të rezultojë në keqpërdorim të Interpolit, dhe se politika do të zëvendësojë punën e policisë", ka thënë Stafanoviq.
Shefi i delegacionit kinez konfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Kinës në lidhje me kërkesën e Kosovës për pranim në Interpol, thuhet në deklaratë.
Angazhimi i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare e pati shtyrë qeverinë e Kosovës, që në nëntor të vitit 2018, të vendosë tarifa ndaj mallrave serbe.
Vendosja e tarfiave më pas shkaktoi ndërprerjen e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vendeve, që lehtësohej nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të tërhiqet apo do të vazhdojë të insistojë që votimi për anëtarësimin e saj në këtë organizatë të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it.
Më 18 shtator, zëvendësministri në largim i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesit drejt anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL duhet qasur me kujdes, për t’u mos përsëritur situata e njëjtë sikurse vitin e kaluar, kur Kosova kishte dështuar të anëtarësohet në këtë organizatë.
Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.