Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa ndryshime në dekretin lidhur me procedurat që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, respektivisht ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të dorëzojë pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të dhënat për personat të cilat gjatë kësaj periudhe janë furnizuar me dokumente personale.
Ndërkohë, pas hyrjes në fuqi të këtij ndryshimeve të këtij dekreti, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Enti i Statistikave janë të detyruar të vazhdojnë me veprimet për përditësimin e listës zgjedhore nga data 21 mars 2020, kur ishte ndërprerë kjo procedurë për shkak të pandemisë dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Në bazë të këtij vendimi të qeverisë, në rast se nuk vazhdohet më gjendja e jashtëzakonshme, e cila përfundon të shtunën, atëherë me automatizëm zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik, edhe pse partitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve.
“Unë ende shpresoj se komunikimi mes partive politike do të vazhdojë në ditët në vijim. Ende mendoj se ka hapësirë për një proces të drejt, gjithëpërfshirës, elektoral për zgjedhjet më 5 korrik”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke sqaruar vendimin e qeverisë për procedurat zgjedhore.
Sa i përket vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme, Osmani tha se gjithçka do të dihet ditën e premte, nëse do të kërkohet ose jo vazhdimi i saj.
“Vlerësimi besoj se do të bëhet gjatë ditës së premte, kështu që nuk dua të prejudikoj, pasi ideja është që në fund të javës, një ditë para se të skadojë afati, të bëjmë një vlerësim të trendit epidemiologjik dhe pastaj t’i propozojmë presidentit vendimi të mëtejme”, tha Osmani.
Por, kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, në të gjitha paraqitjet ka theksuar, se gjendja e jashtëzakonshme nuk duhet të vazhdohet dhe se vendi duhet të mbajë zgjedhjet më 5 korrik, apo 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ashtu siç parashihet me ligj.
Nga VMRO-DPMNE-ja, të enjten, nuk ka dalë me qëndrim lidhur me datën e zgjedhjeve, ndërsa nuk kanë komentuar as dekretin e qeverisë për afatet zgjedhore, duke përsëritur qëndrimin se për opozitën në këtë periudhë me rendësi është shëndeti i qytetarëve.
“VMRO-DPMNE-ja ka pozicione të qarta për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Ne qëndrimin e kemi thënë për të gjitha çështjet. E ftojmë palën tjetër të tregojë nëse kanë hequr dorë nga miratimi me konsensus i çështjeve të rëndësishme”, ka deklaruar Ivanka Vasilevska, anëtare e kryesisë së VMRO-DPMNE-së, pa saktësuar nëse do të jetë ose jo e pranishme për opozitën mbajtja e zgjedhjeve më 5 korrik.
Lidhur me debatin për zgjedhjet të mërkurën në mbrëmje liderët e dy partive kryesore, Hristijan Mickovski nga VMRO-ja dhe Zoran Zaev nga LSDM-ja, kanë realizuar biseda telefonike me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në një postin në Twitter, komisioneri evropian, ka shkruar se me krerët e dy partive maqedonase ka biseduar për rëndësinë e madhe që ka për Maqedoninë e Veriut mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe gjithëpërfshirëse, por duke mbajtur llogari edhe situatën me koronavirusin si dhe për nevojën për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.