Ndërlidhjet

Maqedoni e V.: Të gjithë duan zgjedhje, por nuk pajtohen për datën


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Në opinion, gjithnjë e më shumë po përflitet 5 korriku, si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. Por, kjo datë ende nuk është konfirmuar nga partitë politike, të cilat kanë intensifikuar takimet mes vete për të arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka thirrur për të shtunën mbledhje të Këshillit për Siguri, ku pritet të vendoset nëse do të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme – e vendosur për shkak të koronavirusit – apo e njëjta të shfuqizohet.

Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut, kanë theksuar se shkuarja në zgjedhje, në një afat sa më të shkurtër, do të kontribuonte në formimin e institucioneve stabile, të cilat duhet të menaxhojnë krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

Ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për institucione funksionale, të cilat do të kenë për detyrë të menaxhojnë pasojat që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

“Ne të gjithë punojmë nën presionin e çështjeve të lidhura me shëndetin e njerëzve, të cilët janë prioritet dhe nuk duhet të harrojmë se shoqëritë tona demokratike kanë nevojë për institucione funksionale, për shkak se vështirësitë më të mëdha do të paraqiten për të zbutur pasojat nga epidemia. Duhet të sillen një varg masash dhe vendimesh, gjë që është e mundur të bëhet vetëm nga ana e institucioneve legjitime, por kur do të ndodhin zgjedhjet kjo çështjeje është e vështirë për t’u përgjigjur”.

“Dëshira jonë është që zgjedhjet të ndodhin sa më shpejt që është e mundur, dhe kur them sa më shpejt, para së gjithash mendoj se duhet të ketë një vendim politik dhe objektivi i të cilit duhet të bazohet në gjendjen e përgjithshme shëndetësore lidhur me koronavirusin”, është shprehur ambasadori Timonie.

Edhe Sefer Selimi, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet është e domosdoshme që të mbahen sa më parë. Ai thotë se për një gjë të tillë ka shumë arsye, siç është vënia në funksion e parlamentit so organ kontrollues i vendimeve të qeverisë dhe krijimi i një qeverie stabile e cila do të mund të përballej me pasojat e koronavirusit.

“Në kushtet e kësaj qeverie teknike, e cila në radhë të parë ka organizimin e zgjedhjeve, tashmë është treguar se funksionaliteti i institucioneve brenda qeverisë është në pikëpyetje të madhe, si brenda ministrive që udhëhiqen nga pozita ashtu dhe të atyre që udhëhiqen nga opozita. Për më tepër edhe në mungesë të një parlamenti funksional, që tashmë edhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese u dëshmua se nuk mund të mblidhet sërish, kemi mungesë të plotë mbi funksionimin e qeverisë, por edhe për të sjellë vendime të rëndësishme sa i përket menaxhimit të situatës me koronavirusin”, thotë Selimi.

Socialdemokratët e ish-kryeministrit Zoran Zaev, kanë insistuar që zgjedhjet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, përkatësisht më 21 qershor, por më vonë kanë deklaruar se janë të hapur për kompromis rreth datës së zgjedhjeve.

Ndërkaq, partia opozitare VMRO-DPMNE ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve në qershor është e papranueshme dhe nuk përjashtojnë mundësinë e bojkotimit të tyre. Megjithatë nga kjo parti nuk e kanë përjashtuar mundësinë që zgjedhjet të mbahen gjatë muajit korrik.

Partia shqiptar në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka deklaruar se është me rëndësi që data e zgjedhjeve të vendoset me konsensus.

Lidhur me mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve, ambasadori francez Timonie është shprehur se ky opsion nuk paraqet zgjidhje për asnjë sistem demokratik, andaj ka kërkuar që palët përmes bisedimeve të vendosin për një datë të zgjedhjeve, e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Sefer Selimi vlerëson se qeveria e cila mund të dalë nga zgjedhjet – të cilat eventualisht do të bojkotoheshin nga opozita – do të kishte mungesë të kredibilitetit dhe vendi do të futej edhe në një krizë më të thellë politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG