Ndërlidhjet

Ahmeti: Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut


Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dalë edhe zyrtarisht me kërkesën për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, Ali Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e qeverisë, ka thënë se pas zgjedhjeve të reja, kryeministër i vendit duhet të zgjidhet një shqiptar, i cili, siç tha ai, do të angazhohet për barazi të të gjithë qytetarëve.

“Kryeministri i parë shqiptar do të jetë një kryeministër për të gjithë. Një kryeministër i barazisë, për vende të barabarta të punës, pagave të barabarta, të drejtave të barabarta dhe i drejtësisë joselektive. Për shqiptarët dhe për të gjithë”.

“Kryeministri i parë shqiptar do të udhëheqë një gjeneratë të re të politikës, duke përfaqësuar një shoqëri të barabartë dhe duke udhëhequr Maqedoninë e Veriut drejt një të ardhmeje të begatë, si vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Një kryeministër, i cili unifikon dhe që do të nisë një epokë të re, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, madje edhe në historinë e Evropës”, ka deklaruar Ahmeti, pa dhënë sqarime se si do ta realizojë këtë synim.

Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në nenin 90 theksohet se “presidenti i Republikës, mandatin për formimin e qeverisë ia beson kandidatit të partisë, përkatësisë, partive që kanë shumicën në kuvend”.

BDI-ja, por edhe partitë tjera politike shqiptare deri më tani asnjëherë nuk kanë dalë si parti e parë apo e dytë fituese në zgjedhje. Mandatin për formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi e kanë marrë njëra nga dy partitë maqedonase: Lidhja Sociale Demokrate (LSDM) apo VMRO-DPMNE.

Kryetari i BDI-së, Ahmeti, në fjalimin e publikuar në profilin e tij në Facebook, është shprehur se kandidati për kryeministër duhet të jetë një personalitet i pranueshëm për të gjithë, andaj u bëri thirrje të gjitha partive tjera që të mbështesin propozimin e tij.

“Tani është koha. Është koha për t’u bashkuar, koha për të vepruar përsëri së bashku. Kjo është një thirrje për të gjitha partitë shqiptare dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, për të mbështetur kauzën tonë, e cila është më e madhe se të gjithë ne. Tani është koha për ta bërë së bashku historinë”, ka theksuar Ahmeti.

Propozimi për kryeministrin e parë shqiptare nga ana e BDI-së në opinion ishte paraqitur javën e kaluar dhe në reagimin e tij të parë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kishte deklaruar se kryeministër do të jetë vetë ai në rast të fitores në zgjedhje, ndërsa BDI-në e paralajmëroi se me ide të tilla, të mos llogarisë se do të mund të jetë pjesë e qeverisë së re.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët, parti shqiptare në opozitë, kishte deklaruar të martën se propozimi i BDI-së është si pasojë e rënies së popullaritetit të saj, të cilin synon ta ngritë me propozime të tilla.

“Sot, (v.j. lideri i Aleancës për Shqiptarët) Ziadin Sela me rejting është përpara Ali Ahmetit. Do të dalin së shpejti anketat edhe për partitë politike. Pra, e shihni pse e lansojnë idenë e kryeministrit shqiptar, për të cilën absolutisht ASH-ja nuk është kundër. Por, e parashtrojmë pyetjen, pse në gjashtë mandatet e kaluara asnjëherë nuk e kanë bërë këtë punë”, ka deklaruar Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut momentalisht udhëheqin me një nga tre postet më të larta në shtet, atë të kryetarit të kuvendit, të cilin e ushtron, Talat Xhaferi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG