Ankesa e Gjykatës Kushtetuese se është duke u kërcënuar nga politikanë vendorë është diçka që nuk është parë më herët dhe tregon se sa serioze është situata, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i kësaj gjykate.
Të martën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.
Kjo gjykatë është në proces të marrjes së vendimit nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje, gjë që favorizohet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti ose opozita mund ta bëjë qeverinë, zgjidhje kjo që favorizohet nga presidenti Hashim Thaçi. Gjykata pritet ta marrë vendimin në fund të muajit maj.
Reagimi erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi para disa ditësh tha se “askush nuk mund të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit”.
Kurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të martën se ishte kërcënuar nga një organizatë fantome që urdhëronte partinë e tij që mos të organizonte protesta kundër vendimit të gjykatës. Kurti tha se kërcënimi nuk i ishte drejtuar atij por “në veçanti, ndaj kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe gjyqtarit raportues.”
Por, të gjitha fjalët për Gjykatën Kushtetuese dhe përmendja e emrin të kryetares së këtij institucioni, shihen si presion në marrjen e vendimit se si të dilet nga kriza politike.
Ish-gjyqtari Kryeziu thotë se mund të ketë pasur presion të madh, që e ka detyruar Kushtetuesen të reagojë.
“Ato janë mendime, t’i quaj demokratike, por gjykata nuk duhet të ndikohet nga to, sepse i ka punët e saja të specifikuara dhe nuk duhet t’i dëgjojë ato. Gjithmonë kur ka lëndë të karakterit politik në shqyrtim, ka mendime e opinione të ndryshme, por gjykata nuk duhet t’i marrë sipër vetës”, tha Kryeziu.
Miftaraj: Presioni ndaj gjykatës nuk është diçka e re
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, organizatë kjo që monitoron punën e gjykatave, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarimet që kanë bërë zyrtarët e lartë të vendit për çështjen e dekretit që po e shqyrton Gjykata Kushtetuese, në vazhdimësi kanë qenë një lloj presioni mbi gjykatën.
“Qoftë përmes deklarimeve apo këshillave publike për Gjykatën Kushtetuese, janë duke ushtruar një presion të paparë i cili bie në kundërshtim të plotë me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Siç duket të dyja palët, në këtë rast edhe kryeministri edhe presidenti, kanë frikë për një vendim të gjykatës i cili nuk do të jetë në favor të tyre”, tha Mifaraj.
Praktika e presioneve mbi Gjykatën Kushtetuese, thotë Mifaraj, ka qenë evidente edhe më herët.
Këto praktika sipas tij, duhet të ndalen dhe të gjithë, nënvizon ai, duhet të kuptojnë se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund të bëjë interpretimin e Kushtetutës.
“Kjo është një praktikë e ndërtuar, nuk është diçka e re që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese. Na kujtohen rastet VLAN 1, VLAN 2, [Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma] pastaj prokurorin e shtetit, apo në rastet kur kjo gjykatë ka pasur të marrë vendime të cilat ndërlidhen me formimin e institucioneve, apo me emërimet e personave kur janë kundërshtuar në këtë gjykatë”, tha ai.
Thaçi dhe Kurti nuk ndalin avazin e vjetër
Përmendja e Gjykatës Kushtetuese ka vazhduar edhe të mërkurën nga Kurti dhe Thaçi.
Kryeministri në detyrë Kurti, me anë të një shkrimi në Facebook tha sot se Gjykata Kushtetuese është nën trysni nga veprimet e presidentit Thaçi.
“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Kurti.
Kurti deri sa ka folur për reagimin e Gjykatës Kushtetuese, për siç thuhet, presionet që po i bëhen nga politika, tha se nuk është ai që bën presione mbi atë institucion.
Gjykata, tha ai, me paanshmëri e me profesionalizëm duhet ta sjellë vendime.
“Ne nuk bëjmë trysni në askënd, përkundrazi ju e dini edhe në historikun e Lëvizjes Vetëvendosje, ne jemi ata të cilët si subjekt politik jemi kërcënuar e persekutuar vazhdimisht. Si kryeministër në detyrë, sot mund të them që unë jam në mbrojte të Gjykatës Kushtetues, sulmet i ka prej diku tjetër sepse ne e adresuam çështjen. Tjetër kush është në panik”, tha Kurti.
Zyrtarët në Presidencën e Kosovës, nuk kanë dashur të deklarohen lidhur me reagimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ata i thanë Radios Evropa e Lirë, se nuk duan të komentojnë në asnjë rast reagimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpo, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas një takimit që ka zhvilluar të mërkurën me ambasadorët e QUINT-it, ka kërkuar që të respektohen institucionet e pavarura, duke e përmendur veçmas Gjykatën Kushtetuese.
“Respektimi i institucioneve të pavarura, specifikisht Gjykatës Kushtetuese, është vitale për demokracinë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Twitter.