Ndërlidhjet

Si po përballen shtetet me rritje të papunësisë në kohë koronavirusi?


Nju Jork, prill, 2020.
Nju Jork, prill, 2020.

Shifrat janë të zymta, përtej rritjes së numrit të vdekjeve për shkak të pandemisë me koronavirus.

Në gjithë botën, shtetet janë duke u përballur me efektet e shkaktuara nga virusi në fushën e shëndetit publik dhe mirëqenie, të cilat varen nga ekonomia. Dhe në mesin e dëmit kolateral, të nxitur nga pandemia, shkalla e papunësisë mbetet e lartë.

Gjysma e fuqisë punëtore në botë – rreth 1.6 miliard njerëz – përballen me humbje të financave në gjysmën e parë të vitit 2020, sipas të dhënave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Ky trup i Kombeve të Bashkuara parashikon një ulje të pashembullt të orëve të punës, që të kombinuara do të ishin të barabarta me 305 milionë vende të plota të punës. Aktiviteti ekonomik do të bie, varfëria relative do të rritet në mesin e të punësuarve, derisa sektorët e goditur më së keqi do të jenë: shitja, prodhimi, rregullimi i makinave, shërbimet e ushqimit dhe patundshmëria.

Dhe situata është gati po aq keq në gjithë globin – Amerika është duke u përballur me humbjen më të madhe të orëve të punës, rreth 12 për qind, Evropa dhe Azia Qendrore, 11,8 për qind dhe rajonet tjera në botë me mbi 9,5 për qind.

Teksa shtetet konsiderojnë mundësi si të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe qarkullimin ekonomik, ato janë duke shqyrtuar në tavolinë një mori qasjesh.

Shtetet e Bashkuara – Hedhja e parave në problem

Ekonomia më e madhe në botë është duke u përballur me nivele ekstreme të papunësisë, çka ka shtyrë zyrat për mirëqenie dhe bankat ushqimore që të bëjnë thirrje për rihapje të ekonomisë, edhe pse pandemia me koronavirus vazhdon të jetë në pikun e saj.

Papunësia ka arritur në 14,7 për qind në muajin prill, duke shpërfaqur gjendjen më të rëndë prej “Depresionit të Madh” të viteve 1930, ndërkohë që zyra për buxhet e Kongresit parashikon që kjo shifër mund të bie pak nën 12 për qind këtë vit.

Eksperti amerikan për sëmundje infektive, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë përmes një seance dëgjimore në Senat, se ata mund të përballen me “vdekje dhe vështirësi të panevojshme” nëse shteti hapet shumë herët, andaj u ka bërë thirrje shteteve individuale që të zbatojnë udhëzimet e presidentit amerikan, Donald Trump në planin për Rihapje të Amerikës Sërish.

Mirëpo, këshilltarët ekonomikë të Trumpit kanë thënë se situata do të përkeqësohet me rritje të papunësisë me më shumë se 20 për qind në maj dhe qershor dhe kanë bërë thirrje për rihapje të ekonomisë sa më shpejt që është e mundur për të ulur ratat, ashtu që të shmanget dëmi i përhershëm ekonomik.

Presidenti Trump dhe drejtori Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci i cili ka paralajmëruar kundër hapjes së shpejt të SHBA-së.
Presidenti Trump dhe drejtori Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci i cili ka paralajmëruar kundër hapjes së shpejt të SHBA-së.

Deri më tani Shtetet e Bashkuara kanë miratuar disa pako për ndihmë në vlerë të më shumë se 3 trilionë dollarëve. Njëra, e miratuar në muajin mars ka kapur vlerën e 2 trilionë dollarëve, njëherësh pakoja më e madhe e ndihmës në historinë amerikane, nga e cila 500 milionë dollarë janë ndarë për pagesa direkte për qytetarët, 200 milionë dollarë tjerë në borxhe për industri të mëdha dhe 300 milionë dollarë si hua për biznese të vogla.

Tani, teksa ligjvënësit diskutojnë për nevojën e ndonjë pakoje për ndihmë, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve raportohet se janë duke përgatitur një projektligj që ofron asistencë për qytetarët, ofron fonde për bizneset, u ndihmon shteteve dhe qyteteve të prekura më së keqi, ofron hua për studentët, si dhe hua për qira dhe këste të banesave.

Megjithatë, këto masa mund të përballen me rezistencën e republikanëve, ndërkohë që disa demokratë kanë shprehur zhgënjimin e tyre, se ky dokument nuk do të garantojë pagesën e pagave personale.

Spanja ndjek modelin finlandez – pagë bazike universale

Koncepti i Të Hyrave Universale Bazike ka fituar vëmendje së voni, pasi politikanët në gjithë botën kanë shqyrtuar këtë ide, si dhe Papa Francesku ka sugjeruar gjatë adresimit të tij për Pashkët, që ndoshta “është koha për ta analizuar” këtë plan.

Kjo ide lidhet më së shumti me Finlandën, e cila më 2017 dhe 2018 e ka praktikuar atë, duke paguar rreth 2 mijë individë të papunë me një pagë mujore prej 600 dollarësh. Ata që kanë pranuar pagën, nuk kanë qenë të obliguar për të kërkuar punë, si dhe nuk u janë ndalur fondet nëse kanë gjetur një të tillë.

Rezultatet e studimit dyvjeçar, të publikuara më herët gjatë këtij muaji, kanë gjetur se mirëqenia e tyre, gjendja financiare dhe mendore ka qenë më e mirë, që nënkupton më shumë lumtur, ndonëse nuk kanë pasur shumë gjasa që të fitojnë ndonjë punë.

Andaj, me shpërthimin e pandemisë me koronavirus, mbrojtësit e Planit të të Hyrave Universale Bazike kanë dalë në pah.

Spanja, një prej vendeve të goditura më së keqi nga koronavirusi, ka thënë se pret që do të miratojë një legjislacion që do të mundësonte ndarjen e pagave për 3 milionë banorë të zonave më të varfra.

Rreth një e pesta e familjeve në Spanjë tani ka më pak se 270 dollarë në muaj, dhe ky shtet - me ekonominë e katërt më të madhe në Evropë - ka regjistruar një shkallë të papunësisë prej 14,4 për qind në çerekun e parë të vitit.

Dy të moshuar – që kanë veshur maska – lexojnë gazetën në Barcelonë të Spanjës.
Dy të moshuar – që kanë veshur maska – lexojnë gazetën në Barcelonë të Spanjës.

Ministri për Siguri Sociale, Jose Luis Escriva ka thënë se ideja është që të nxitet gjetja e ndonjë pune, ndërkohë që të lejohet kombinimi i pagës dhe ndihmës për një periudhë kohore.

“Pa motivim për gjetje të punës, ekziston mundësia e mjaftueshmërisë me ndihmë dhe shmangia e kërkimit në tregun e punës”, ka thënë Escriva në muajin prill.

Gjermania – Luftimi i krizës me 'Kurzarbeit'

Shumë persona kanë pasur sytë tek ekonomia më e madhe e Eurozonës, Gjermania, për të marrë ndonjë udhëzim.

Programi afatshkurtër i punës “kurzarbeit”, u garanton bizneseve fonde qeveritare, duke iu lejuar atyre që të zvogëlojnë numrin e orëve të punës, ndërkohë që paguajnë të paktën 60 për qind të pagave për punëtorët.

Dhënia e ndihmave për paga ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të papunësisë në Gjermani, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një shkallë prej 3,9 për qind të uljes këtë vit, në krahasim me 3,2 të një viti më parë.

Kjo qasje ka pranuar komente fantastike. Kryetari i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ka cituar këtë rast si shembull që duhet të ndiqet nga e gjithë bota, sepse mundëson vazhdimësinë e proceseve dhe punës së institucioneve.

Pasi kanë parë Gjermaninë, që me sukses ka pranuar punëtorë për periudhë afatshkurtër, për ta tejkaluar krizën e vitit 2008-2009, shtetet si Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Holanda kanë krijuar versionet e tyre të këtij programi.

Megjithatë, të tjerë kanë thënë se edhe nëse ky plan funksionon, nuk mund të zbatohet për kohë të gjatë.

Sipas të dhënave të Institutit për Kërkime Ekonomike, me bazë në Mynih, gjysma e kompanive gjermane kanë aplikuar për të vendosur disa apo të gjithë punëtorët e tyre në këtë program – një total prej 10 milionë punëtorëve.

Ky koncept siguron një fuqi punëtore të gatshme sapo të rikthehet biznesi.

Por, nëse nuk kthehet, atëherë papunësia është e pashmangshme.

Mynih, prill, 2020.
Mynih, prill, 2020.

Bruto-Prodhimi i Brendshëm, pritet të bie këtë vit për më shume se 6,5 për qind, duke ngritur shqetësime për recesion të thellë, pasi shumë kompani të prodhimit të automjeteve, bashkë me hotele, restorante dhe sektorin e turizmit, kanë filluar të largojnë njerëzit nga puna.

Instituti për Kërkime Ekonomike ka raportuar se gati një e treta e kompanive gjermane kanë thënë se do të mbijetojnë për vetëm tre muaj, nëse nuk hiqen kufizimet e vëna, me qëllim të luftimit të koronavirusit.

RusiaNuk ka pushim për punëtorët jo të domodoshëm

Pandemia me koronavirus ka goditur ashpër Rusinë. Ky është shteti i dytë me i prekur nga ky virus, pas Shteteve të Bashkuara, pavarësisht pretendimeve se Moska është duke manipuluar me shifrat e të infektuarve. Rusia po ashtu është duke luftuar për të mbajtur gjallë ekonominë që varet nga nafta, pas rënies së kërkesës për këtë produkt.

Pavarësisht shqetësimeve se hapja e ekonomisë mund të ndikojë në shpërthime tjera të pandemisë, presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar më 11 maj se do të përfundojë masa e prezantuar në muajin mars, e cila u ka mundësuar punëtorëve jo të domosdoshëm, të qëndrojnë në shtëpi.

Ky vendim ka ardhur pasi bizneset janë përballur me shumë vështirësi në kryerjen e pagesave të plota për punëtorët dhe pasi numri i të papunëve është dyfishuar brenda një muaji, në 1,4 milion persona.

Teksa ky shtet rihapet këtë vit, Putin ka thënë se në fokus do të jetë “faza e ardhshme” e pandemisë dhe format tjera të lehtësimeve ekonomike.

Paga të reja janë prezantuar për familje, teksa kompanive u është lejuar marrja e kredive, në mënyrë që të mund të japin paga.

Ende nuk është bërë e qartë se nga mund të vijnë këto para. Qeveria ka thënë se mbrojtja e vendeve të punës është prioritet, andaj ndihma financiare është dhënë në formë të fondeve, me më pak se 1 miliard dollarë në formën të mbështetjes direkte financiare.

Aktualisht, fondi i pasurisë kombëtare të Rusisë, në vlerë të 160 miliardë dollarëve është në fundin e tij, andaj ministri rus i Financave, Anton Siluanov i ka thënë të përditshmes, Vedomosti se “harxhimi” i tij do të përbënte gabim.

Putin ka përmendur sektorin e ndërtimtarisë si të vetmin që mund të ngritet me shpejtësi, një ide që është promovuar edhe nga ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Kazakistani – Pa gjendje të jashtëzakonshme

Kazakistani, që përbën ekonominë më të madhe në Azinë Qendrore dhe udhëheq në rajon në raportimin e të prekurve me koronavirus, duket se ka ndjekur shembullin e Rusisë, pasi më 11 maj ka njoftuar për kalim të gjendjes së jashtëzakonshme.

Presidenti, Qasym-Zhomart Toqaev ka njoftuar se do të braktiset shkalla prej 10 për qind, për t’u zëvendësuar me taksa mbi të ardhurat personale, të cilat do të ulnin taksat për të varfrit dhe do t’i rritnin për të pasurit.

Sipas udhëzimeve të reja, provincat dhe shtetet që tregojnë shkallë të ulët të infektimit për më gjatë se një javë, do të lejohen të rihapin disa biznese, zyra të kompanive dhe tregje të jashtme.

Ndërkohë që këto masa kanë nisur së zbatuari, një organizatë joqeveritare kazake, ka kërkuar transparencë në mënyrën se si shteti është duke shpenzuar 13 miliardë dollarët që Toqaev ka premtuar se ka ndarë qeveria e tij, për luftim të koronavirusit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG