Ndërlidhjet

Bumerangu i mosinvestimeve në shëndetësi


Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Mungesa e anesteziologëve dhe infektologëve e ka rënduar edhe më shumë situatën e pandemisë së koronavirusit në Kosovë.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu, thotë se deri te kjo ka ardhur për shkak të mosplanifikimeve buxhetore për hapjen e vendeve të reja të punës në sistemin shëndetësor.

"Këtë vit, nuk kemi të lejuar numër për rekrutim të stafit shëndetësor. Tash, edhe gjatë kohës së pandemisë, është evidente mungesa e anesteziologëve dhe infektologëve. Në fakt, ka mungesë edhe të dhënies së specializimeve", thotë Sejdiu.

Kosova, prejse ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars, përballet me numër në rritje të të infektuarve.

Pacientët e prekur kanë shpesh probleme ekzistuese ose shoqëruese shëndetësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në Klinikën Infektive në Prishtinë janë të punësuar 21 infektologë, kurse 14 të tjerë janë duke punuar në komunat tjera: Gjilan, Prizren dhe Gjakovë.

"Çështja që do të ngrihet në të ardhmen është mungesa e shpalljes së specializimeve. Një gjë jo të mirë e kemi edhe në neurokirurgji, ku është vetëm një specializant”, thotë Sejdiu.

Kosova, tash e sa vite, përballet me ikje të stafit mjekësor, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Arsyet e ikjes ndërlidhen shpesh me pagat dhe kushtet më të mira për punë, por shqetësues konsiderohet fakti se pozitat e tyre në Kosovë, nuk plotësohen.

Ka tre vjet që Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e politikave të duhura për punësim, ka bërë që në sistemin shëndetësor të ketë mangësi.

"Ne, si profesionistë, jemi jo në panik, por të brengosur për shkak se jemi në dijeni për mungesë reale të profesionistëve, të cilët vërtet do të duhej të përballeshin me këtë situatë. Fatkeqësisht, ka mungesë të specializimeve edhe të punësimeve. Mos të harrojmë se kemi mbi 700 mjekë të papunë në Kosovë, të regjistruar në Odën e Mjekëve. Kjo tregon edhe për trendin në rritje të largimit të mjekëve nga Kosova", thotë Sejdiu.

Sipas tij, në dy vjetët e fundit, mbi 250 mjekë kanë kërkuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës certifikatën e mirësjelljes profesionale, që duhet për punësim në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Nuk kemi të dhëna për numër të saktë se sa kanë shkuar, por llogaritet që minimumi 150 veta janë punësuar dhe kanë filluar jetën profesionale në Gjermani”, thotë Sejdiu.

Sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, rreth 60 mjekë që kanë ikur nga Kosova, kanë qenë mjekë specialistë.

Edhe Naser Rustemi, kryetar i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, thotë se institucioni që ai drejton, ka lëshuar muajve të fundit dokumente për infermierët, që synojnë punësimin jashtë Kosovës.

"Mbi 250 persona [infermierë] na ikin në vit. Mund të them edhe më shumë. Kjo nuk është shifër reale, se ka shumë që nuk kërkojnë dokumente nga ne", thotë Rustemi.

Sfida e një infermieri në kohën e koronavirusit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Oda që e drejton Rustemi ka të regjistruar rreth 25,500 infermierë, mami dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.

Në krye të luftës kundër koronavirusit thuhet se janë epidemiologët dhe pastaj mikrobiologët.

Në Kosovë janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin dhe 29 mikrobiologë.

Ekspertët vlerësojnë se në kategorinë e parë, Kosova ka nevojë edhe për 17 të tillë, ndërsa në kategorinë e dytë edhe për 32.

Epidemiologu Isuf Dedushaj, mjek i pensionuar, është ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të japë këshilla lidhur me gjendjen e krijuar nga koronavirusi dhe me situatën pandemike.

“Në gjendjen siç e kemi tani me epidemiologjinë, sigurisht që nuk është numër i mjaftueshëm i epidemiologëve. Në rast se situata epidemiologjike është më e qetë, atëherë ky numër është relativisht i mirë", thotë Dedushaj për Radion Evropa e Lirë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, zotohet se do të ketë investime në shëndetësi dhe resurse njerëzore.

"Çdo largim i personelit shëndetësor ndikon edhe në situata dhe rrethana të zakonshme, e lëre më në rrethanat aktuale të një pandemie, të cilën po e kalon edhe vendi ynë", thotë Vitia në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, është e domosdoshme që “të bëhen reformat e nevojshme në sistemin shëndetësor, të bazuara në analiza dhe me projeksione të studiuara mirë".

Sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, mosha mesatare e mjekëve të cilët janë duke punuar në Kosovë, është mbi 50 vjeç.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG