Ndërlidhjet

Vdekjet po shtohen, Suedia vazhdon me eksperimentin e masave anti-COVID-19


Njerzit duke e shijuar ngrohtësinë e diellit në Stokholm në kohën e pandemisë globale.
Njerzit duke e shijuar ngrohtësinë e diellit në Stokholm në kohën e pandemisë globale.

Suedia, për dallim nga pjesa tjetër e Evropës, po përballet me COVID-19, pa izolim të shkallës së gjerë.

Aty jeta po vazhdon në mënyrë pothujse normale.

Këtë fillim pranvere, pamjet nga Suedia duken ndyshe nga ato të shumicës së vendeve tjera. Në kafene dhe bare, kafeja po servohet dhe tapat e birrave dëgjohen tek hapen. Çdo mëngjes, fëmijet shkojnë në shkolla derisa palestrat dhe rrugët me dyqane përreth, nuk janë të zbrazura sikurse në vendet tjera të kontinentit.

Video: Maska për të gjithë? Shumë shtete po i bëjnë të detyrueshme

Maska për të gjithë? Shumë shtete po i bëjnë të detyrueshme
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Megjithatë, lëvizjet kanë rënë ndjeshëm në dy javët e fundit. Derisa shumica e njerzve po përgatiten të festojnë Pashkët në shtëpi, apo diku jashtë vendit ose në vilat e tyre në fshat, ky vend nordik nuk po zbaton një izolim të plotë sikurse vendet tjera.

Rregullat e vetme të detyrueshme janë mbyllja e shkollave të mesme dhe universiteteve, ndalimi i takimeve të më shumë se 50 personave (nga 500 para dy javësh) dhe një urdhër që detyron baret dhe restorantet të iu shërbejnë vetëm klientëve të ulur në mënyrë që të shmangin tubimet.

Nuk do të rastis të shohësh asnjë njeri më maskë në fytyrë dhe kufijtë e shtetit gjithashtu mbeten të hapura, edhe pse fqinjët, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia i kanë mbyllur të vetat.

Kjo treshe e vendeve nordike ka ndjekur rrugën e shumicës së vendeve të tjera evropiane, me rregulla të rrepta distancimi fizik dhe masa të tjera të izolimit.

Arkitekt i kësaj politike të Suedisë është, Anders Tegnell, shefi i Agjencisë për Shëndet Publik.

Ai ka vlerësuar se është më mirë të presësh sesa të nxitosh të zbatosh një izolim mbarëkombëtar.

Derisa ka pasur edhe zëra kundërshtues, vlerësimet ndaj qeverisë dhe kryeministrit janë rritur drastikisht javët e fundit. Duket se suedezët, deri më tani, me kënaqësi po ndjekin dhe po u besojnë autoriteteve të tyre. Por, a do të duhej kështu?

Në shikim të parë, shifrat e të infektuarve dhe vdekshmërisë duken të arsyeshme në krahasim me disa vende tjera evropiane. Në Suedi që nga 9 prilli janë regjistruar pak më shumë se 9,000 raste të të infektuarve dhe rreth 800 të vdekur.

Këto numra janë më të ulëta se në vendet si Italia, Spanja, Franca, Belgjika, Gjermania, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, shumica e të cilave numërojnë mijëra të vdekur.

Por, në të njëjtën kohë, ky nuk është një krahasim i drejtë.

Vendet nordike nuk janë aq të lidhura ngushtë me kontinentin e Evropës, pasi janë të ndara përmes detit Baltik. Ato kanë dendësi dhe numër të ulët të popullsisë.

Krahasojeni Suedinë me popullsi rreth 10.2 milionë banorë me Republikën e Çekisë, që është në zemër të Evropës, me një popullsi prej 10.7 milionë banorësh.

Këto dy vende janë pothuajse identike për nga numri i popullsisë, por kanë miratuar strategji krejtësisht të kundërta kur bëhet fjalë për izolimin e popullatës së tyre.

Video: Rrugët gati të shkreta të Pragës

Rrugët gati të shkreta të Pragës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Deri më tani, Çekia, përkundër masave të rrepta të vendosura në fillim të pandemisë, përfshirë detyrimin për vendosjen e maskave të fytyrës, ka regjistruar pak më shumë se 5000 raste të koronavirusit dhe 104 vdekje.

Pra, 8 herë më pak vdekje se Suedia.

Kur e krahasoni Suedinë me fqinjët e saj nordikë, rezultati sërish e bën atë të jashtëzakonshme, por në aspekt negativ.

Suedia ka shënuar më shumë vdekje sesa tre vendet e tjera nordike të bëra bashkë, përkundër faktit se popullsia e Danimarkës, Finlandës dhe Norvegjisë numëron mbi 16 milionë njerëz në krahasim me 10 milionë sa ka Suedia.

Të katër vendet raportuan vdekjen e tyre të parë të koronavirusit afërsisht në të njëjtën kohë por në vlerësimet për kokë banori, si Finlanda ashtu edhe Norvegjia janë jashtëzakonisht mirë në krahasim me Suedinë. Danimarka gjithashtu duke treguar një numër shumë më të shëndetshëm sesa fqinji lindor i saj përgjatë ngushticës Oresund.

Askush nuk mund ta parashikojë situatën brenda disa javësh ose muajve. Suedia ka disa përparësi natyrore, të cilat mund ta bëjnë atë të kalojë krizën më mirë se disa vende të tjera.

Besimi i suedezëve në autoritetet është më i lartë se në shumicën e vendeve të botës. Sipas të dhënave zyrtare më shumë se gjysma e familjeve suedeze përbëhen nga një person i vetëm dhe ka tendencë të ketë më pak socializim ndër breza, krahasuar me shumë vende të tjera.

Shumica e të moshuarve jetojnë në shtëpitë e kujdesit për të moshuar shumë larg nga anëtarët e rinj të familjes.

Kjo mund ta ndihmojë vendin në mbrojtjen e grupit më të rrezikuar nga koronavirusi.

Me fjalë të tjera, Suedia, ndoshta mund të ketë nevojë të rishqyrtojë vendimet e saj për masat ndaj koronavirusit.

Deri më tani, është e vështirë të argumentohet se rruga që Suedia ka ndërmarrë në këtë pandemi do të mund të shërbente si model që duhet ndjekur.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG