Ndërlidhjet

Shkup: Mjekët kërkojnë nga qytetarët të mos fshehin informacionet epidemiologjike


Stigmatizimi i të prekurve nga virusi COVID-19 është po aq i rrezikshëm sa vet kjo sëmundje, theksojnë mjekët në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se në në këtë moment është shumë e rëndësishme të flaken të gjitha paragjykimet dhe sëmundja e koronavirusit të trajtohet me shumë seriozitet sepse, siç thonë, nga virusi nuk është imun askush.

Së fundmi, Milot Rizvani, mjek, në rrjetet sociale ka ndezur alarmin se duhet kuptuar seriozitetin e pandemisë së koronavirusit duke bërë të ditur se ai ka rënë pre e mashtrimit nga motra e viktimës nga koronavirusi duke mos dhënë informacion të plote epidemiologjik, madje duke mohuar lidhje familjare me atë rast.

Mjeku Milot Rizvani në Klinikën e Strugës, për Radion Evropa e Lirë thotë sempërderisa bëhet fjalë për një virus që është me shumë të panjohura dhe i pastudiuar mirë ka bërë që qytetarët akoma nuk e pranojnë problemin real që tani kemi me koronavirusin.

“Duhet të jemi shumë koshient dhe vigjilent për të mos hezituar që të tregojmë për prekjen nga kjo sëmundje, infeksioni me virusin COVID-19 dhe duhet pranuar ky realitet. Është turp dhe mëkat nëse fshihet sëmundja“, thekson Rizvani.

Ai thekson se sistemi shëndetësor nuk ka kapacitet të përballet me valë të madhe të të infektuarve andaj preventiva është kura më e mirë.

“Mangësia më e madhe në shtetin tonë është mungesa e një sistemi real shëndetësor duke nisur nga mungesa e godinave të përshtatshme, aparaturave të përshtatshme si dhe kuadrit specifik shëndetësor jo vetëm në shtetin tonë, por edhe vendet përrreth. Andaj duhet ditur se mbrojtja e vetme momentale është mbajtja e distancës sociale kur jemi, në markete, të zvogëlohet sa më shumë të jetë e mundur dalja jashtë shtëpisë, mbajtja e higjienës dhe sigurisht vetëkarantimi”, thotë ai.

Reagime të shumta janë paraqitur nga ana e qytetarëve të cilët ndodhen në afërsi të hoteleve që shteti i ka caktuar si karantinë për izolimin e shtetaseve të Maqedonisë së Veriut të cilët kthehen në mënyrë të organizuar nga shumë shtete të jashtme.

“Ata nuk janë njerëz që duhet të stigmatizohen vetëm pse duhet të kalojnë disa ditë në izolim si masë kujdesi për të gjithë ne nëse eventualisht e theksoj janë të infektuar. Duhet ti përmbahemi premisës mos ia bëj atë, që nuk do t`ia bëje të afërmit tënd”, ka theksuar kryetarja e Komunës së Manastirit Natasha Perovska.

Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar se të gjitha objektet që shërbejnë si karantinë sigurohen nga forcat e rendit dhe në asnjë mënyrë nuk rrezikohet shëndeti i banorëve përrreth.

Së fundmi organizatat ndërkombëtarë që veprojnë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një fushatë “Koronavirusi nuk diskriminon, pse duhet të diskriminoni ju” për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj të prekurve nga koronavirusi ose personat që janë në karantinë me rrezik nga ky virus.

Nazim Rashiti, gazetar, për Radion Evropa e Lirë duke komentuar fshehjen e simptomave nga koronavirusi thotë se kjo tregon se sa janë të painformuar qytetarët rreth rreziqeve që sjell koronavirusi përkatësisht veprimet e papërgjegjshme të personave të caktuar.

“Këto raste tregojnë se sa të painformuar janë qytetarët dhe nga ana tjetër se sa e madhe do të duhet të jetë fushata e informimit të duhur jo thjeshtë vetëm nga mjekët sepse këtë e bëjnë ata në vazhdimësi, por edhe nga të gjithë personat publik që kanë ndikim sepse vetëm kështu mund të jetë e suksesshme lufta ndaj koronavirusit“.

“Pikërisht për këtë arsye duhet bërë një fushatë sensibilizuese ku do të dëgjohen sidomos shkencëtarët për këtë situatë që kjo pandemi dhe kjo psikozë që po krijohet të kalojë sa më shpejtë,” thotë Rashiti.

Nga ana tjetër, opinionistët thonë se duhet pasur shumë kujdes dhe gjatë raportimit se ”koronavirusi është me pasoja më të rënda për më të moshuarit” duke ndjellë frikë dhe izoluar tërësisht grupmoshat më të vjetra.

Në këtë rast theksojnë se me shumë rëndësi është komunikimi më me të afërmit kuptohet duke ruajtur distancën fizike, por duke krijuar një lidhje edhe më të afërt shpirtërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG