Ndërlidhjet

Lajmet e rreme si mjet përfitimi në kohën e pandemisë


Ilustrim.
Ilustrim.

Që nga shfaqja e rasteve të para të kosovarëve të infektuar me koronavirus, ngjashëm me shumë vende tjera, edhe në Kosovë, në rrjetet sociale është rritur numri i lajmeve të rreme.

Këto lajme të rreme “japin këshilla” se si duhet luftuar koronavirusin e ri, medikamentet të cilat japin rezultat në luftimin e virusit e deri te zbulimi i vaksinës, e të cilat kanë dominuar hapësirën e rrjeteve sociale.

Lajme të tilla edhe në gjuhën shqipe janë duke u shpërndarë në profile dhe media fiktive.

Në Organizatën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë thonë se që nga ashpërsimi i masave nga Qeveria e Kosovës në luftën kundër koronavirusit janë shtuar lajmet e rreme.

Drejtuesi i kësaj organizate, Mentor Hoxhaj, tha se lajmet e rreme janë duke u shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për rritjen e audiencës në faqet e tyre si dhe me qëllime të përfitimit.

“Kemi media të ndryshme të cilat për qëllime të rritjes së ndjekësve, për qëllime të pëlqimeve dhe shpërndarjeve tentojnë të jenë me të pranishme me lajme bombastike. Në kuadër të kësaj hyjnë dy lajmet kryesore, si lajmi që ka të bëjë me gjetjen e ilaçit për koronavirusin. Ky ka qenë një lajm në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë prezent në versione të ndryshme si dhe lajmi për barërat e tjera që ndikojnë pozitivisht në luftimin e virusit”, tha Hoxhaj.

Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?

Pre e lajmeve të rreme sipas Hoxhajt janë duke rënë qytetarët në mbarë botën.

Lajmet e paverifikuara, sipas tij, kanë ndikim të madh në rritjen e panikut te qytetarët të cilët qe disa javë janë në izolim.

Hoxhaj beson se luftimi i lajmeve të rreme është i vështirë pasi përveç lajmeve që kanë karakter lokal, janë edhe lajmet sensacionale që kanë për qëllim manipuliminin e qytetarëve në këtë kohë krize.

“Është një 'Gray zone' që qytetarët nuk mund ta vërejnë dhe ne po tentojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës të marrin informacionin e duhur për qëllimin shumë të qartë ngase ne konsiderojmë se lajmet e rreme për koronavirusin janë po aq të rrezikshme sa edhe vetë COVID-19”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj porosit mediat kosovare dhe qytetarët që në këtë kohë të izolimit të shfrytëzojnë për informim vetëm burime zyrtare siç janë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, Ministria e Shëndetësisë në Kosovës, Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe organizata të tjera me kredibilitet.

Ditë më parë edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës - (KMSHK), kërkoi nga mediat që të verifikojnë çdo lajm para publikimit të tij në mënyrë që të mos dezinformojnë qytetarët në kohë të pandemisë.

Kryetari i KMSHK-së, Imer Mushkolaj thotë se mediat duhet të kenë jashtëzakonisht shumë kujdes në informacionet që publikojnë, pasi sipas tij, mund të shkaktojnë panik te qytetarët që janë duke respektuar kërkesën e institucioneve për të qëndruar në shtëpi.

“Gjithnjë duhet t'u referohen burimeve të sigurta, burimeve zyrtare të cilat japin informacione zyrtare e jo të bazohen në burime të tjera të cilat mund të jenë të dyshimta. Mediat duhet ta kenë parasysh se nuk ka kurrfarë ekskluziviteti në lajmërimin e një rasti apo të më shumë rasteve të të prekurve me virus, përkundrazi ekskluzivieti i vetëm i mediave dhe gazetarëve duhet të jetë raportimi në kohë dhe raportimi i së vërtetës”, thotë ai.

“Ndryshe, çdo raportim i pabazuar në kodet ekzistuese në bazë të së cilave funksionojnë mediat vetëm mund të shkaktojnë panik dhe dëmet mund të jenë të mëdha. Duhet ta kemi të gjithë parasysh se edhe mediat edhe qytetarët se përhapja e panikut është e dënueshme me ligj”, tha Mushkolaj.

Fitim Gashi është gazetar në grupin Koha. Ai thotë se ditëve te fundit ka parë numër të madh të lajmeve të rreme që janë shpërndarë nga qytetarët nëpër rrjete sociale.

Gashi thotë se mediat dhe kolegët gazetarë duhet pasur kujdes që të raportojnë vetëm të vërtetën në këtë kohë kur përveç krizës me koronavirus, vendi po kalon një ndër krizat më të mëdha politike.

“Mediat në këtë situatë duhet pasur kujdes që t'u ofrojnë lexuesve apo shikuesve informata të sakta e jo të atilla që jenë të rreme e që mund të ngjallin panik dhe frikë në këtë periudhë të vështrië sepse krahas panikut apo rrezikut nga koronavirusi, së fundmi kemi pasur edhe zhvillime politike që po shkaktojnë njëfarë konfuzioni dhe njëfarë përplasje ndërmjet qytetarëve për shkak të përplasjes së liderëve politikë”, thotë Gashi.

Për përhapjen e lajmeve të rreme në kohë të pandemisë, ka reaguar edhe UNESCO. Përmes një publikimi, UNESCO, ka kërkuar që mos shpërndahen të pavërteta duke raportuar se hudhra mund të luftojë koronavirusin.

“Hudhra mund të jetë i shijshme, por nuk do të ju mbrojë nga koronavirusi i ri. Mos shpërndani thashetheme. Lufta ndaj COVID-19 është po ashtu luftë ndaj dezinformimit”, ka shkruar UNESCO.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG