Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill do të marrin pjesë 15 parti politike dhe koalicione me 1598 kandidatë të mundshëm për përbërjen e ardhshme parlamentare që numëron 120 deputetë, ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Afati për dorëzimin e listave me kandidatë ka skaduar të enjten në mesnatë ndërsa KSHZ-ja ka 24 orë afat për të kontrolluar nëse ndonjëra nga partitë ka lëshime në përmbushjen e kritereve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Fushata elektorale duhet të fillojë më 23 mars, por për shkak të gjendjes me koronavirusin nuk përjashtohet mundësia që ajo të anulohet apo të zhvillohen në forma tjera, kryesisht nëpër media dhe rrjete sociale.
Këtë e kanë paralajmëruar vetë drejtuesit e partive të enjten në një takim me kryeministrin, Oliver Spasovski në të cilin kanë diskutuar për gjendjen me virusin Covid-19.
Për momentin nuk ka ndonjë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve.
Beteja në zgjedhje do të zhvillohet mes katër blloqeve politike, dy në bllokun maqedonas dhe dy në atë shqiptar. LSDM dhe VMRO DPMNE-ja synojnë fitore sikur edhe BDI-ja dhe koalicioni opozitar shqiptar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.
Kreu i Lidhjes-Socialdemokrate, Zoran Zaev pret fitore në zgjedhjet e 12 prillit, madje pritjet e tij janë që të marrë 61 deputetë apo gjysmën e përbërjes parlamentare, që të mos kushtëzohet, siç thotë, nga partitë tjera.
“Ky është qëllimi dhe ambicia jonë, por populli është ai që do të vendos se cilin opsion do të votojë. Me 61 deputetë formohet qeveria, por na duhet formacion stabil sepse në periudhën që vjen kemi shumë punë. BE-ja dhe NATO kaluan, u bënë. Problemet me Bullgarinë dhe Greqinë u zgjodhën. Tash jemi të bashkuar brenda. Duhet të punojmë që brenda të kemi rregull, ligje të zbatueshme, kritere në punë”, tha kryetari I LSDM-së, Zoran Zaev.
Kjo parti në zgjedhje merr pjesë me disa parti të bashkësive tjera etnike, përfshirë edhe Lëvizjen Besa, që është partia e parë në historinë e pluralizimit që hyn në koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase.
Fitore në zgjedhje pret edhe opozita maqedonase. VMRO DPMNE-ja, e cila udhëheq bllokun opozitare prej disa partive më të vogla.
“Po hyjmë në finalen e një beteje shumë të rëndësishme për Maqedoninë, kjo është një betejë vlerash dhe parimesh, një betejë thelbësore dhe një gjeneratë e re që duhet të luftojë për drejtësi, liri dhe një të ardhme më të mirë. Fitorja jonë është fitore për rindërtimin e vendit. Rimëkëmbja që do të sjellë më shumë për të gjithë, më shumë drejtësi, më shumë vlera, më shumë parime, punë, më shumë para, më shumë shëndet, më shumë lumturi, rend, siguri dhe buzëqeshje në fytyrat e qytetarëve tanë dhe besim se do të kemi sukses”, ka deklaruar kryetari I VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim pret të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në bllokun shqiptar dhe ta realizojë siç thotë një nga fitoret më të mëdha në ekzistimin e saj politik.
“Qytetarët e kanë të qartë se BDI është parti e cila ka rezultate, ka vizion dhe konsistencë. Mund të vonojë, por gjithmonë ka rezultate. Në BDI veçanërisht shqiptarët e shohin interesin e tyre edhe për shkak të historisë edhe për shkak të listës së çështjeve të cilat i ka gjatë gjithë mandatit. Prandaj jemi absolutisht të bindur se kjo do të jetë një prej fitoreve më të mëdha të BDI-së”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Drejtuesit e koalicionit opozitar shqiptar besojnë se zgjedhjet e 12 prillit sipas tyre, do t’i kthejnë shqiptarëve dinjitetin e nëpërkëmbur nga pushteti aktual, në veçanti nga BDI-ja të cilën e fajësojnë për moszgjidhjen e çështjeve kryesore të shqiptareve.
Fushata për zgjedhjet e 12 prillit do të zgjasë 20 ditë.