Ndërlidhjet

Shqipëri: 33 raste pozitive me koronavirus


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, përmes përditësimit të përditshëm për gjendjen e deritashme lidhur me koronavirusin në Shqipëri, ka bërë të ditur se ka raste të reja të të infektuarve në vend.

Deri tani janë 33 raste të prekura me virusin vdekjeprurës, dhe në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

DREJTPËRDREJT:Shpërthimi i koronavirusit: Mbyllje masive e shkollave

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri të ditur se nga 33 të prekurit, 8 janë të shtruar në Spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina) dhe 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Ndër të prekurit me COVID-19 është edhe një mjek.

“Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në Spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar”, ka bërë të ditur Ralacolli.

Në anën tjetër, shumica e qyteteve të Shqipërisë, përfshi Tiranën, janë bllokuar për hyrje-daljet e banorëve. Gjithashtu, janë marrë masa drastike për moslejimin e qarkullimit të automjeteve private mosjelimin e grumbullimit të njerëzve.

Bizneset e ndryshme, si lokalet e restorantet, janë mbyllur në kohë të pacaktuar.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se keto masa po merren për të ndaluar përhapjen e virusit dhe për të mirën e vetë qytetarëve.

Ai ka dhënë urdhër që policia bashkë me ushtrinë të dalin nëpër rrugë dhe të sigurohet se njërëzit po vetëkarantinohen dhe se nuk përbëjnë rrezik për të tjerët.

Edhe Policia e Shtetit, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë ndëshkuar 509 drejtues mjetesh për mosrespektim të urdhrit të dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve.

“Prej orës 06:00, deri në orën 12:00, janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm drejtuesish të mjeteve, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është solidarizuar me mjekët që po punojnë nëpër spitalet e Shqipërisë. Ai, përmes një postimi në Facebook i ka falënderuar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Shqipëria dy ditë më parë ka shënuar një viktimë nga koronavirus. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacientja 73-vjeçare, e konfirmuar me sëmundjen COVID-19 ka ndërruar jetë nga komplikimet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG