Ndërlidhjet

Koronavirusi i ndalon hyrjet në Mekë e Medinë


Mekë, Arabi Saudite
Mekë, Arabi Saudite

Arabia Saudite i pezulloi përkohësisht hyrjet për pelegrinazhin Umrah në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për shkak të frikës së përhapjes së mundshme të koronavirusit.

Autoritetet saudite ua pezulluan hyrjen në vend edhe turistëve që vijnë nga vende me koronavirus.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se hapat po merren për të mbrojtur qytetarët dhe turistët.

Ajo tha se masat janë të përkohshme dhe se i nënshtrohen vlerësimit të vazhdueshëm.

“Arabia Saudite mbështet të gjtha masat ndërkombëtare për të frenuar përhapjen e virusit dhe u bën thirrje qytetarëve të saj që të bëjnë kujdes, para se të udhëtojnë në vendet që kanë shpërthime të mëdha të koronavirusit. Ne i lutemi Zotit të Plotfuqishëm që ta shpëtojë gjithë njerëzimin nga çdo dëm", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite.

Umrah, i cili tërheq dhjetëra-mijëra myslimanë të devotshëm çdo vit, është një pelegrinazh në Mekë që, ndryshe nga Haxhi, mund të bëhet në çdo kohë të vitit.

Nuk është e qartë nëse Haxhi, i cili fillon në korrik të këtij viti, do të ndikohet nga koronavirusi.

Shpërthimet e sëmundjeve kanë qenë gjithmonë shqetësime që kanë përcjellë Haxhin – një nga shtyllat kryesore të Islamit – për shkak se besimtarët mblidhen në Mekë nga e gjithë bota.

Një shpërthim i kolerës në vitin 1821, për shembull, ka vrarë rreth 20,000 besimtarë.

Një tjetër shpërthim i kolerës më 1865 ka vrarë 15,000 besimtarë dhe më pas është përhapur në gjithë botën.

Së voni, Arabia Saudite është përballur me rrezikun e një koronavirusi tjetër, të njohur si MERS, i cili është transmetuar nga devet e sëmura te njerëzit. Mbretëria i ka rritur masat e shëndetit publik gjatë Haxhit më 2012 dhe 2013, megjithëse nuk ka pasur shpërthime midis Haxhit.

Prejse është shfaqur në dhjetor në qytetin Vuhan të Kinës, koronavirusi i ri ka sëmurë mbi 80,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa ka vrarë mbi 2,700 – shumica e tyre në Kinë.

Video: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Arabia Saudite nuk ka raportuar asnjë rast me koronavirus, megjithëse Kuvajti fqinj ka thënë se një shtetas saudit, 61 vjeç, ka dalë pozitiv në atë vend.

Vendi i prekur më së keqi në Lindjen e Mesme është Irani, ku autoritetet kanë thënë se 22 njerëz kanë vdekur, ndërsa 139 të tjerë janë të prekur nga koronavirusi, i emëruar COVID-19.

Ekspertët janë të shqetësuar se Irani nuk po i raporton të gjitha rastet, marrë parasysh përhapjen e shpejtë të sëmundjes nga Irani në të gjithë Gjirin Persik.

Për shembull, Irani nuk ka konfirmuar ende asnjë rast në Mashhad, edhe pse një numër i rasteve të raportuara në Kuvajt janë të lidhura me këtë qytet iranian.

Në Bahrejn, ku, mëngjesin e së enjtes, janë konfirmuar 33 raste me koronavirus, autoritetet i kanë ndaluar të gjitha fluturimet drejt Irakut dhe Libanit.

Ministria e Shëndetësisë e Irakut ka raportuar të enjten për rastin e parë në kryeqytetin Bagdad, i cili e çon në 6 numrin e rasteve në gjithë vendin. Të gjitha ato janë lidhur me Iranin.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme për të izoluar qytete, por ka pranuar se “mund të duhen një, dy ose tri javë” për ta vënë koronavirusin nën kontroll në këtë vend.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. Aktualisht, nuk ka vaksinë për të.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG