Ndërlidhjet

Kurti dyshon se Thaçi ka shkelur Kushtetutën, vendimin ua lë deputetëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Mes tjerash, Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi, nëse konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Letra që Thaçi i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithëm të NATO-s.
Letra që Thaçi i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithëm të NATO-s.


“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar Osmanit, shkruan se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t'ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.

“Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj”, shkruan Kurti.

Letra që Sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i ka dërguar kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi.
Letra që Sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i ka dërguar kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi.


Ai thotë se e kupton dhe vlerëson “thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj”.

“Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, Albin Kurti tha se më 19 prill, 2013, institucionet e Kosovës kanë qenë të informuara vetëm për një marrëveshje, atë me Serbinë, por jo edhe për letër-këmbimin mes Thaçit dhe NATO-s.

Ai tha se me këtë rast duhet të dihet se kush e ka kërkuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të mos shkojë në veri të Kosovës.

“Brukseli nuk e besoj se e ka kërkuar, mund ta ketë kërkuar Serbia”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi që organet e drejtësisë të merren me këtë rast dhe të hetojnë nëse Thaçi ka bërë shkelje të Kushtetutës. Një shkelje, që sipas tij, hetohet në letër-këmbimin mes Thaçit dhe NATO-s, ishte formulimi “Kosovë veriore” dhe jo veriu i Kosovës. Kryeministri tha se këtë letër-këmbim e ka siguruar nga "një zyrtar i NATO-s".

"Kjo marrëveshje, në të cilën shpiket togfjalëshi ‘Kosova veriore’ dhe thuhet se atje nuk do të shkojë FSK-ja pa dakordim paraprak me KFOR-in, që as nuk mori miratim paraprak nga institucionet e Kosovës dhe as më pastaj nuk u informua Kuvendi i Republikës së Kosovës, tregon në fakt se 'Zajednica' edhe shkëmbimi territorial nuk janë dy gjëra të ndryshme. Kjo marrëveshje tregon këtë gjë", tha Kurti.

Më 2013, theksoi Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshi edhe vetë Kurtin që ishte deputet opozitar atë kohë, nuk është ditur se ekzistonin dy marrëveshje. Kjo gjendje, sipas tij, nënkupton që tash i mbetet kuvendit që të ndërmarrë hapa tjerë të nevojshëm. Ndërkaq si kryeministër, Kurti tha se nuk e ka ndërmend që të cenojë kompetencat e NATO-s, përkatësisht të KFOR-it në Kosovë.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe Hashim Thaçi. Prishtinë, shtator, 2011.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe Hashim Thaçi. Prishtinë, shtator, 2011.

Ai tha se do t’i bëjë publike të gjitha marrëveshjet, siç tha ai të fshehta, të cilat janë nënshkruar nga qeveritë e kaluara dhe për të cilat opinioni në Kosovë nuk është i informuar.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani thotë se letër-këmbimet që ka marrë nga kryeministri Kurti, ua ka përcjellë të gjithë deputetëve të legjislaturës së shtatë.

Ajo po ashtu tha se sot është takuar me komandantin e NATO-s, gjeneralmajor, Michele Risi, duke shtuar se bërja publike e këtyre letër-këmbimeve nuk duhet të shihet si “sulm apo kontestim ndaj NATO-s”.

“Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avansim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, shkruan Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

Në një përgjigje me shkrim, një zyrtar i NATO-s ka i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo lëvizje e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt veriut duhet të miratohet paraprakisht nga komandanti i KFOR-it.

"Misioni ynë mbetet i prandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara. Ne jemi këtu për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë në Kosovë dhe kjo është ajo çfarë jemi duke bërë. Në të njejtën kohë, jemi duke shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit të NATO-s me FSK-në pas tranzicionit në ushtri", thuhet në përgjigjen me shkrim.

Po ashtu, në përgjigje theksohet se "NATO nuk e ka ndryshuar mandatin dhe do të vazhdojë me misionin paqeruajtës. NATO do të vazhdojë me mbështetjen ndaj dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si zgjidhje e vetme e qëndrueshme politike në rajon".

Një ushtar i KFOR-it qëndron pranë një konvoji në afërsi të Leposaviqit. Dhjetor, 2018.
Një ushtar i KFOR-it qëndron pranë një konvoji në afërsi të Leposaviqit. Dhjetor, 2018.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke u shprehur se kreu i ekzekutivit po i “cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës”.

“Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë”, shkruan Veseli në llogarinë e tij në Facebook.

Ish-kryeministri i Kosovë, Ramush Haradinaj, ka thënë se më 9 janar, 2019, i kishte shkruar letër sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të “zhvlerësuar” kufizimet territoriale të vendosura në letër-këmbimin paraprak ndërmjet Thaçit dhe ish-sekretarit të NATO-s, Rasmussen.

“Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës së vitit 2013 dhe implikimeve të mundshme ligjore e kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Aktualisht, nuk ka ndonjë reagim nga Zyra e Presidentit, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-gjyqtari i Kushtetueses beson që Thaçi nuk e shkeli Kushtetutën

Duke komentuar letrën që kryeministri Kurti i dërgoi kryetares së kuvendit, Vjosa Osmani, përmes së cilës ai ngre dyshime që me letër-këmbimin mes kryeministrit të atëhershëm (presidentit aktual) Hashim Thaçi dhe ish-shefit të NATO-s, është bërë shkelje e Kushtetutës, Kadri Kryeziu, ish- gjyqtar në Gjykatën Kushtetues të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk e beson që bëhet fjalë për diçka të tillë, përkatësisht për shkelje të Kushtetutës.

Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar apo letër-këmbimi mes Thaçit dhe ish-shefit të NATO-s, nuk ka pasur nevojë të ratifikohet në Kuvendi e Kosovës.

"Unë konsideroj që Thaçi nuk e ka shkelur Kushtetutën. Duhet të ketë fakte që tregojnë se është shkelur Kushtetuta ose është prekur integriteti territorial ose ka bërë ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Për këtë duhet të ketë fakte relevante për të arritur deri te fillimi i ndonjë procedure për shkarkimin e presidentit", tha Kryeziu.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media tha se ai e ka njoftuar Kuvendin për këtë fakt dhe tash u mbetet deputetëve që të vlerësojnë nëse do të iniciojnë procedura tjera.

Procedura e shkarkimit të presidentit

Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh edhe çështjen e shkarkimit të presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë.

Procedura për shkarkimin e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit.

Procedurat e shkarkimit ndërlidhen me implikimet e tij të jashtëligjshme si dhe “nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, kuvendi mund të shkarkojë presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG