Ndërlidhjet

Zemërim e hidhërim pas vdekjes së mjekut që paralajmëroi koronavirusin e ri


Vuhan, Kinë.
Vuhan, Kinë.

Vdekja e Li Wenliang, mjekut që ka tentuar të paralajmërojë për shpërthimin e koronavirusit të ri, ka shkaktuar zemërim të pashembullt dhe hidhërim në Kinë.

Wenliang ka vdekur pasi ka rënë në kontakt me virusin duke trajtuar pacientët në Vuhan.

Në dhjetor të vitit të kaluar ai u ka nisur një mesazh mjekëve të tjerë duke thënë se ka dyshime për një virus të ngjashëm me Sars-in, një lloj tjetër i koronavirusit.

Ndërkohë policia i ka kërkuar “të mos bëjë komente të rreme” dhe e njëjta kishte nisur të hetojë “shpërndarjen e thashethemeve”.

Lajmi për vdekjen e tij është përcjellë me hidhërim të madh nëpër rrjetet sociale kineze, pa përjashtuar me raste edhe zemërimin.

Banorët kinezë po ashtu kanë akuzuar qeverinë për zvogëlim të rrezikut të virusit, pasi kanë thënë se qeveria fillimisht ka tentuar ta mbajë atë sekret.

Vdekja e mjekut ka nxitur debat edhe për mungesën e lirisë së shprehjes në Kinë.

Agjencia kundër korrupsionit në këtë shtet ka thënë se do të nisë hetime për “çështjet që lidhen me mjekun Li”.

Qeveria kineze ka pranuar më parë “mangësitë” në përgjigjen ndaj virusit, i cili ka lënë të vdekur 636 persona dhe ka infektuar rreth 31,161 vetëm në Kinë.

Sipas faqes kineze, Pear Video, gruaja e mjekut Li pritet të lindë në muajin qershor.

Cili ka qenë reagimi i publikut?

Zemërimi është parë gjithandej nëpër rrjetet sociale, madje është thënë se është vështirë që këto reagime të krahasohen me ndonjë ngjarje tjetër më të komentuar në vitet e fundit kundër qeverisë.

Dy shprehjet më të përdorura fillimisht në rrjetet sociale kanë qenë “Qeveria e Vuhanit duhet t’i kërkojë falje” dhe “Ne duam liri të shprehjes”.

Mirëpo pas pak kohe, të dyja shprehjet janë censuruar.

Transmetuesi britanik BBC ka thënë se kur ka kërkuar në platformën kineze, Weibo të premten, qindra mijëra komente janë fshirë.

“Kjo nuk është vdekje e një informatori. Kjo është vdekja e një heroi”, është thënë në një koment në këtë platformë.

Si është bërë e ditur vdekja e mjekut?

Në fillim ka pasur kundërthënie për fatin e mjekut.

Në orët e vona të së enjtes ai ishte shpallur i vdekur nga mediat shtetërore kineze, përfshirë, Global Times, People's Daily dhe të tjera.

Disa orë më vonë, Global Times ka thënë se mjeku po trajtohet, duke dhënë shenja se ai është ende gjallë.

Video nga arkivi: Çfarë duhet të dini për shpërthimin e koronavirusit?

Çfarë duhet të dini për shpërthimin e koronavirusit?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Gazetarë dhe mjekë të shumtë që kanë qenë në spital kanë thënë se zyrtarët qeveritarë kanë ndërhyrë andaj mediave shtetërore u është thënë që të ndryshojnë raportimet e tyre, duke thënë se mjeku po trajtohet.

Si përfundim, në orët e para të së premtes, mjekët kanë thënë se nuk kanë arritur të shpëtojnë jetën e mjekut Li.

Çfarë ka bërë Li Wenliang?

Mjeku Li, ka qenë oftalmolog. Ai ka publikuar një video në rrjetin social kinez, Weibo një muaj pasi ka bërë paralajmërimet për virusin.

Ai ka vërejtur shtatë raste të virusit, që ka menduar se kanë të bëjnë me Sars-in, epideminë globale që pati shpërthyer fillimisht në Kinë më 2003.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar ai u ka kërkuar mjekëve të tjerë që të vendosin maska mbrojtëse për t’iu shmangur infeksionit.

Katër ditë më vonë, ai është ftuar për të nënshkruar një letër nga Zyra për Siguri Publike në Kinë.

Në letër ai akuzohej për “shpërndarje të komenteve të rreme”.

Më vonë autoritetet lokale i kanë kërkuar falje mjekut.

Në postimin e tij ai ka thënë më 10 janar se fillimisht ka pasur kollë, më vonë temperaturë dhe dy ditë më vonë ka shkuar në spital.

Ai është diagnostikuar me koronavirusin e ri më 30 janar.

Cila është situata aktuale në Kinë dhe gjithë botën?

Të premten, presidenti kinez, Xi Jinping i ka thënë homologut të tij amerikan, Donald Trump se Kina “beson tërësisht se është e gatshme të luftojë epideminë”.

Kjo pasi Kina ka prezantuar masa të reja, teksa tenton të kontrollojë shpërndarjen e virusit.

Kryeqyteti Pekin ka ndaluar organizimin e drekave dhe darkave në ambiente të jashtme. Qytetet si Hangzhou dhe Nançang janë duke kufizuar numrin e personave të familjes që mund të largohen nga shtëpia brenda ditës.

Përveç Kinës, edhe në të paktën 25 vende tjera të botës është raportuar për persona të prekur me koronavirusin e ri.

Deri më tani janë regjistruar dy vdekje jashtë Kinës, një në Hong Kong dhe tjera në Filipine.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG