Ndërlidhjet

Kosova dhe Shqipëria presin UEFA-n për Kupën ‘Nëna Terezë’


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë duke punuar për realizimin e nismës për krijimin e një gare të futbollit, të quajtur Kupa “Nëna Terezë”, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha klubet e futbollit nga Shqipëria dhe Kosova.

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, thonë se ky format i garës do të përfshijë të gjitha ekipet e të rriturve (senior), që janë të regjistruara në dy federatat e futbollit, në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat do të nisin garën që nga faza e parë, për të vazhduar drejt eliminatorëve.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, kërkesa për lejimin e kësaj gare është dërguar në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA).

“Pra, nuk është fjala për formate gjysmake, por do të përfshiheshin të gjitha klubet nga Shqipëria dhe nga Kosova, si dhe do të bëhet me sistemin ‘vajtje-ardhje’. Pastaj, sigurisht me elemente të eliminimit, për shkak se ka shumë ekipe dhe mbase në fazat e fundit, kur mbesin tre apo katër ekipe, të kemi një sistem tjetër. Mëtojmë që ta bëjmë të përvitshëm, pra, kupa mbarëkombëtare Kosovë-Shqipëri. Federata Shqiptare e Futbollit ka aplikuar (në UEFA) në emër të dy federatave. Kemi kërkuar që të kemi një vend, të fituesit të garës, mbase edhe në Ligën e Evropës ose në formatin e ri të garave që do të quhet Liga e Konferencave (të UEFA-së)”, tha Salihu.

Lidhur me këtë nismë të dy federatave të futbollit, të Shqipërisë dhe Kosovës, Radio Evropa e Lirë i ka shkruar UEFA-s, për të kuptuar nëse ka nisur shqyrtimi eventual.

Zyra për medie e UEFA-s ka thënë se lidhur me këtë çështje nuk kanë ndonjë koment.

“Ne nuk kemi koment lidhur me këtë çështje. Ne vetëm mund t’ju referojmë juve te federatat kombëtare përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Zyra për medie të UEFA-s.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Arbnor Morina, trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që në të kaluarën ka pasur organizime të ngjashme të garave, kampionate apo kupa, të shteteve që janë në kufi me njëra-tjetrën, sidomos në Skandinavi. Sipas tij, nismën për Kupën “Nëna Terezë”, të dy federatat e futbollit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, duhet ta shqyrtojnë dhe deri në detaje, në qoftë se dëshirojnë sukses të këtij organizimi eventual.

“Të dy federatat, së bashku me dy Ministritë e Sportit, duhet ta marrin këtë punë më seriozisht, ta analizojnë më mirë dhe ta shohin se sa është kostoja financiare, si dhe se si do të rrjedhin gjërat rreth asaj se a do të merr pjesë ekipi fitues në gara evropiane apo jo".

"Do të jetë garë më dinamike, sepse klubet më nuk mund të funksionojnë me nga 17 apo 18 lojtarë, por do të kenë nevojë që të kenë mbase edhe deri në 30 lojtarë brenda kontingjentit, siç janë në Evropë. Kjo, për arsyen se do të kenë gara në kampionat vendor, për kupën vendore dhe për Kupën Nëna Terezë”, u shpreh Morina.

Por, Salihu thotë se të dy federatat janë të vetëdijshme për implikimet buxhetore që mund të sjellë gara eventuale Kupa “Nëna Terezë”.

“Kuptohet që kostoja është e madhe. Për këtë arsye, të dy federatat po punojnë me sponsorë, pastaj edhe me dy qeveritë tona, që të kemi ndihmë financiare, jo si federata, por klubeve që marrin pjesë, në mënyrë që t’i përballojnë këto shpenzime, si dhe në fund të ketë një shpërblim të veçantë për vendin e parë. Megjithatë, këto janë studimet preliminare. Pritet që të gjitha këto t’i përcaktojnë të dy grupet punuese që do të punojnë në emër të FFK-së dhe FSHK-së”, ka thënë Salihu.

Përkundër insistimit të Radios Evropa e Lirë që të marrë një përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit për pritjet e saj lidhur me mundësitë e realizimit të nismës për Kupën “Nëna Terezë”, zyrtarët e kësaj federate nuk janë përgjigjur.

Të dy federatat e futbollit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, nuk do të mund ta realizojnë nismën e tyre pa një dritë të gjelbër nga UEFA.

Morina vlerëson që të dy federatat nuk duhet harruar që brenda UEFA-s, sipas tij, ekzistojnë ndikime me ngjyrime politike, ndaj të cilave duhet të tregohen të kujdesshme.

“Vet hapi i parë dhe përgjigja që e ka dhënë UEFA, që t’i drejtoheni dy federatave, tregon që përpos futbollit ka edhe shumë politikë aty brenda. Është momenti kur ka shuam gjëra të pasqaruara politike brenda vet Evropës, më shumë shtete, me shumë regjione dhe të tjera. Por, mendoj që ato duhet të përkrahin një hap të tillë, sepse, fundja, futbolli si një vlerë universale, botërore, mund të sjellë vetëm dobi dhe assesi dëm, për askënd”, theksoi Morina.

Nismën për Kupën “Nëna Terezë” e kanë bërë publike krerët e të dy federatave të futbollit, të Kosovës dhe të Shqipërisë, në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishin deklaruar se tashmë edhe e kanë dërguar projektin në UEFA. Deri më tash, kjo e fundit nuk u ka kthyer ndonjë përgjigje zyrtare dy federatave, të cilat synojnë realizimin e këtij projekti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG