Ndërlidhjet

Homazhe për viktimat e Masakrës së Reçakut


21 vjetori i Masakrës së Reçakut
21 vjetori i Masakrës së Reçakut

Çdo 15 janar, Bedrije Syla nga fshati Reçak i komunës së Shtimes viziton varrezat ku janë të varrosur nëntë anëtarë të familjes së saj, të cilët u vranë nga forcat serbe në vitin 1999.

Derisa mban një buçetë lulesh në dorë, e përlotur, Bedrija kujton mëngjesin e 15 janarit kur iu masakruan shumica e anëtarëve të familjes.

Bedrije Syla
Bedrije Syla

Bedrija thotë se këtë përvjetor i është shtuar dhimbja për shkak të përpjekjeve të Serbisë për të mohuar masakrën që ndodhi në këtë fshat, në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë.

“Tani për tani, sikur atë ditë të 15 janarit, gjithnjë vijnë emocionet duke u ngarkuar e mos të flasim tani për ato deklaratat e atij makabrit të madh (Aleksandar Vuçiq) që përsëri në bënë të mërzitemi, tri herë, katër herë, dhjetëfish. Shumë e dhimbshme, shumë emocionale, shumë ngarkesë”, thotë Bedrija.

21-vjetori i Masakrës së Reçakut e gjen pranë varrit të vëllait edhe Ejup Bajramin. Ai thotë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk mund t’i mohojë krimet që forcat e Serbisë kryen në këtë fshat në vitin 1999.

"Te varret duhet me e sjellë. Bjere t’i tregojmë që kjo është ngjarja, kështu ka ndodhur jo në atë mënyrë. Le të vijë ai të bisedojë me mua. Unë i tregoj me emër dhe mbiemër aq sa edhe gjymtyrët e trupit sa i ka të hequra", tha Bajrami.

Lexoni edhe këtë: MASAKRA QË NDRYSHOI HISTORINË E KOSOVËS

Homazhe pranë varreve të të vrarëve bëri edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se pas Srebrenicës në Bosnje, masakra e Reçakut është më e tmerrshmja që ka kryer shteti i Serbisë në periudhën e luftërave në ish-Jugosllavi.

“Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimit që e ka kryer drejtpërsëdrejti shteti i Serbisë që nënkupton edhe gjenocid të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë kundër popullit të Kosovës. Kjo masakër sensibilizoi opinionin gjithëkombëtarë dhe ndërkombëtarë".

"Shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët apo vonë për gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes apo edhe mohimit të krimit nga autoritetet e Serbisë, në veçanti të Masakrës së Reçakut, është një sjellje e mentalitetit të Sllobodan Millosheviqit”, tha presidenti Thaçi.

Ish-ambasadori William Walker
Ish-ambasadori William Walker

Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker është rikthyer sërish në Reçak. Deklarata e tij, 21 vjet më parë se bëhet fjalë për një masakër në Reçak, ishte parë si pikë kthese të shtetet më të fuqishme perëndimore që të ndërmarrin nisma për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe largimin e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Në shënimin e 21-vjetorit të kësaj ngjarje, Walker porositi kosovarët që të mos harrojnë masakrat që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.

“Jam i lumtur që po i kushtohet më shumë vëmendje se çfarë ka ndodhur këtu sepse kjo përfaqëson atë se çfarë ka ndodhur në të gjithë Kosovën. Unë e di shumë mirë atë që ndodhi në Reçak, por kanë qenë edhe qindra masakra të tjera dhe unë uroj që kosovarët t’i kujtojnë ato masakra ashtu si përkujtojnë atë që ndodhi në Reçak”, tha Walker.

Në muajin dhjetor të vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq bëri një deklaratë në lidhje me Masakrën e Reçakut, për të cilën ngjarje tha se ishte “trillim”.

Mohimi i krimeve të luftës nga ana e presidentit serb Vuçiq nxiti reagime të shumta të faktorit vendor kosovar dhe atij ndërkombëtarë.

Ndaj deklaratave të presidentit serb reagoi, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Bashkimi Evropian duke thënë se nuk duhet mohuar krimet e luftës.

Të martën, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara - që ndryshe njihen si vendet e Quint-it - thanë përmes një deklarate të përbashkët se "masakra që ndodhi në Reçak, përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t'i japin fund një katastrofe humanitare" në Kosovë.

Bashkimi Evropian tha se “mizoritë e kryera në Reçak në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi dhe rishikimi janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha një zëdhënës i BE-së përmes një deklarete të shkruar.

Deklarata po ashtu rekomandon që të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit të punojnë për të vlerësuar me ndershmëri dhe vërtetësi të kaluarën, për hir të respektimit të viktimave.

“U takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklaratat e caktuara përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të gjitha elementet e rastit duhet të merren parasysh", tha zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999. Në mars të këtij viti NATO nisi sulmet ajrore kundër caqeve të ushtrisë serbe për t'i dhënë fund dhunës në Kosovë.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13,500 persona, ndërsa 1,600 ende konsiderohen të pagjetur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG