Ndërlidhjet

Demokratët përplasen për luftën, tregtinë dhe “gruan si presidente”


Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara.
Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë kandidatë demokratë për president kanë debatuar të martën në Ajoa, në mundësinë e tyre të fundit për ta bindur publikun, para se të fillojnë garat e para zgjedhore më 3 shkurt.

Debati i shtatë ka përfshirë kandidatë të larmishëm, teksa sondazhet kanë nisur të ngushtojnë rrethin për ata që mund të fitojnë pozitë në Shtëpinë e Bardhë.

Çështjet si: një grua presidente, politikat për Irakun dhe Korenë Veriore dhe tregtinë, kanë mbizotëruar diskutimet mes rivalëve. Disa prej thekseve ishin:

A mund të fitojë një grua?

Senatori amerikan, Bernie Sanders ka insistuar se nuk i ka thënë kurrë senatores, Elizabeth Warren, gjatë një bisede private më 2018, se nuk beson që një grua mund të bëhet presidente e SHBA-së në nëntor të vitit 2020.

Ky koment është kthyer në çështje kyçe shumë shpejt, pasi Warren ka konfirmuar raportimet e mediave amerikane për këtë deklaratë, derisa Sanders ka vazhduar t’i mohojë ato.

“Pse e keni thënë atë gjë?”, ka pyetur moderatorja, Abby Phillip, senatorin Sanders.

“Unë nuk e kam thënë këtë dhe nuk do të humbas shumë kohë në këtë çështje sepse kjo është çfarë dëshiron (presidenti amerikan) Donald Trump e mbase edhe mediat”, ka deklaruar Sanders.

Warren ka thënë se nuk pajtohet me mendimin e Sandersit, para se të shfrytëzonte këtë çështje për zgjerim të diskutimit.

Senatorja Elizabeth Warren duke biseduar me senatorin, Bernie Sanders.
Senatorja Elizabeth Warren duke biseduar me senatorin, Bernie Sanders.

“Bernie është shoku im, dhe unë nuk jam këtu për ta luftuar Bernien. Mirëpo shikoni, çështja nëse një grua mund të bëhet presidente është ngritur dhe ne duhet ta sulmojnë këtë gjë”.

Warren ka thënë se katër kandidatë demokratë në sallë kanë humbur 10 palë zgjedhje, derisa dy gra, ajo vetë dhe senatorja, Amy Klobuchar, kanë fituar të gjithat zgjedhjet në të cilat kanë garuar.

“Unë kam fituar secilën garë, në secilin vend, unë kam fituar edhe në zona rurale”, ka thënë Klobuchar.

Lufta në Irak dhe Korenë Veriore

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden dhe Sanders kanë përmendur votat e tyre më shumë se një dekadë më parë për luftën në Irak, ndërkohë që secili prej tyre kanë shpërfaqur qëndrimet e tyre, sipas të cilave ata do të ishin kryekomandantët më të mirë të forcave ushtarake amerikane.

Sanders ka qenë një prej pjesëtarëve të vetëm të Kongresit që ka votuar kundër luftës në Irak më 2002, derisa Biden, atëbotë senator ka votuar për intervenim.

“Unë jam i gatshëm të punoj me republikanët, unë jam i gatshëm të bashkoj njerëzit për të krijuar një botë ku mund të zgjidhim konfliktet në tavolinë negociuese dhe jo përmes përpjekjeve ushtarake”, ka thënë ai.

Biden ka mbrojtur votën e tij, duke thënë se në atë kohë ka besuar se administrata e ish-presidentit amerikan, George W. Bush ka vepruar në interesin më të mirë të SHBA-së.

“Ka qenë gabim shumë, shumë i madh”, ka thënë Biden.

“Dhe që nga ajo kohë, unë kam punuar për të kthyer më shumë trupa në shtëpi”.

Elizabeth Warren, Joe Biden dhe Bernie Sanders.
Elizabeth Warren, Joe Biden dhe Bernie Sanders.

Sanders ka thënë se Biden është dashur të vërejë se administrata e Bushit nuk ka qenë duke tentuar të marrë anën e duhur në konflikt.

“Kam menduar se kanë gënjyer, nuk u kam besuar për asnjë moment”, ka thënë Sanders.

“Unë kam bërë gjithçka për të parandaluar luftën. Joe i ka parë gjërat ndryshe”.

Kur është përmendur Koreja Veriore, Biden dhe Sanders janë pajtuar, të paktën sa për të ndarë një shaka.

Biden ka thënë se ai nuk do të takohet me liderin verikorean, Kim Jong-un, pasi ky i fundit e ka quajtur Bidenin “qen të tërbuar” që “duhet të goditet me shkop për vdekje”.

“Përveç kësaj, juve ju pëlqen ai”, ka thënë Sanders.

Biden ka qeshur dhe ka thënë: “Përveç kësaj më pëlqen, ai ka marrë letër nga Trump pak pas kësaj deklarate”, ka thënë ai.

“Mosmarrëveshje thelbësore” në çështjet tregtare

Biden dhe Sanders nuk janë pajtuar edhe në çështjet tregtare, pas marrëveshjes së fundit të arritur mes presidentit amerikan, Donalad Trump me Meksikën dhe Kanadanë, e cila zëvendëson një marrëveshje paraprake në mes të këtyre shteteve.

Sanders ka kundërshtuar marrëveshjen paraprake dhe ka thënë se nuk mbështet paktin e ri, për dallim nga Biden.

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë marrëveshje tregtare që për senatorin do të kishte kuptim”, ka thënë Biden për Sandersin.

“Joe dhe unë kemi mosmarrëveshje të thella, në rast se nuk e keni vërejtur”, ka thënë Sanders duke nxitur të qeshura në këtë zonë.

Kthim i shpejtë në Uashington

Warren dhe Klobuchar kanë thënë se nuk janë të shqetësuara për zgjatjen e procedurave në gjyqin për shkarkim të Trumpit në Senat, dhe pengesën eventuale që mund të shkaktojë ky proces në fushatë.

Warren, Klobuchar dhe Sanders kanë qenë gati të largohen nga Ajoa për në Uashington pasi Dhoma e Përfaqësuesve pritet të dërgojë akuzat kundër Trumpit në Senat ditën e mërkurë.

“Disa gjëra janë më të rëndësishme sesa politika”, ka thënë Warren.

Presidenti Trump, nga Partia Republikane ka mohuar çdo keqbërje dhe ka kundërshtuar tentimet për ta shkarkuar atë nga pozita që ka.

Senati i udhëhequr nga republikanët pritet ta shfajësojë atë.

Klobuchar e ka cilësuar gjykimin “kontroll të denjë për qeverinë tonë”.

“Gjykimi në Senat është kontroll i denjë për qeverinë tonë. Ky është vëzhgim demokratik. Jo vetëm ky gjykim, por edhe këto zgjedhje presidenciale”, shtuar ajo.

“Ne kemi kërkuar që vetëm katër persona të jenë dëshmitarë. Dhe nëse kolegët tanë republikanë nuk do të lejojnë këtë dëshmitarë, ata mund t’i vënë presidentit edhe kurorë në kokë”, ka thënë Klobuchar.

Warren në anën tjetër ka thënë se ky gjykim do të nxjerrë në pah korrupsionin.

“Ky gjykim në Senat do të tregojë edhe një herë para popullit amerikan, rreth asaj që duhet të flasim, korrupsionin e kësaj administrate. Kjo gjë gjendet në qendër. Kjo ka të bëjë me vënien të rendë të parë të Donald Trumpit nga vetë ai dhe jo popullit amerikan. Kjo ka të bëjë me ndihmën që ai i ka bërë vetës”, ka deklaruar ajo.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.


Presidenti Trump akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pengim të punës së Kongresit.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG