Ndërlidhjet

Të mërkurën, votimi për dërgimin e akuzave kundër Trumpit në Senat


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e cila udhëheqet nga demokratët, do të votojë të mërkurën për dërgimin e akuzave formale kundër presidentit Donald Trump në Senat.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, tha po ashtu se ajo do të emërojë të ashtuquajturit menaxherë të Dhomës që do të ndjekin rastin kundër Trumpit gjatë gjykimit në Senat.

Pelosi, deri më tash, nuk i ka dërguar akuzat në Senat, pasi Partia Republikane - së cilës i përket edhe presidenti - ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e dëshmitarëve në gjykim.

Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor - gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët - Trump do të shkarkohej nga detyra.

Trump këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan "gjueti shtrigash".

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG